4-5 vjeç

"Ada vizaton", planifikimi ditor

Ky material është shkëputur nga udhëzuesi metodik për dosjen “9 Miqtë e mi”, botimet Albas. Dosjet e parashkollorit ALBAS shoqërohen me udhëzues metodik.

Metodat: Veprimtari, bashkëbisedim,veprimtari, lojë imagjinative, lexim, vizatim / ngjyrosje.

Mjetet dhe materialet: guaskë kërmilli, sfungjer, lapsa, gërshërë, pjatë me ujë, kapëse letrash (tel), lapustilë, karton (ambalazhi), ngjitës, fl etë të bardha (A4), ngjyra, tempera.

Objektivat: 

Fëmija të jetë i aftë:

- të vizatojë vija të drejta, zigzage dhe të lakuara, duke bashkuar pikat;

- të vizatojë një objekt duke bashkuar pikat;

- të aktivizohet në lojërat e ndryshme lëvizore.

Ada vizaton

Veprimtari. Gjurmët e kërmillit. Përgatitja e kërmillit. Mësuesja i ul fëmijët përballë saj. Merr një sfungjer, pret prej tij formën e një shiriti me gungë, që vjen duke u holluar në bisht (shih skicimin në fi gurë). Merr dy kapëse letrash prej teli me ngjyrë, i hap dhe i sajon si antena kërmilli. I vizaton dy sy anash “kokës” me lapustilë. Fut guaskën boshe te “gunga” e sfungjerit dhe e ngjit me vinovil.


Zhvillimi i veprimtarisë. Sfungjeri njomet në një pjatë me ujë (ujit mund t’i shtohen xixa, ngjyrues ushqimorë ose bojë tempera, për ta bërë tërheqës). Në një karton (ambalazhi me ngjyrë kafe) “kërmilli” ecën, duke lënë pas lëngun, pra, gjurmë.


Bashkëbisedim. Gjurmët e lapsit. Fëmijët tregojnë për përvojat vetjake dhe çfarë dinë për kërminjtë.

- Keni parë ndonjëherë kërmill? Ku e keni parë, në natyrë apo në fi lma vizatimorë?

- A ju pëlqejnë kërminjtë? Si janë ata? A vrapojnë ata shpejt si lepujt? (Jo.)

- Ku qëndrojnë kërminjtë, brenda apo jashtë, në natyrë? (Jashtë.)

- Çfarë u ka bërë përshtypje? A e ka ai lëkurën me push?

- Si është lëngu që lëshon kërmilli? A duket më ai kur thahet?

- Me çfarë ju ngjason gjurma / rruga e kërmillit?


Mësuesja u shpjegon atyre ngjashmërinë e gjurmës së kërmillit me gjurmën e lapsit, duke shkruar në tabelë me shkumësa me ngjyra ose mbi letër.

- Kërmilli kudo ku kalon: mbi gjethe ose mbi mur, lë një lëng të tejdukshëm që shkëlqen. Kur mbi të bie drita, ne arrijmë ta shohim atë.

- Le të mendojmë se lapsi është një kërmill. Ai ka dëshirë të kalojë në lëkurën tuaj e të lërë një shenjë, që do të thotë se ai ju ka shumë qejf.

Mësuesja u shënon me laps fi gura të thjeshta të gëzueshme fëmijëve në pjesë të ndryshme të trupit, si në dorë, në pëllëmbë, në gishtin e madh të këmbës, afër kërthizës etj.

- Nëse lëngu i kërmillit do të ishte me ngjyrë, ai do dallohej dhe do të ngjante me vijën e lapsit.

- Ku shkruajmë ne me laps? (Në fl etë.) A keni shkruar edhe në vende të tjera? (Në mur, në tavolinë, në trup etj.)

- A ju kanë folur të rriturit kur keni shkruar muret?

Për të krijuar situatë gazmore, mësuesja e vendos lapsin anash ose mbrapsht (nga goma) në fletë.

- Le të provojmë të shënojmë diçka në letër. Ou! Po pse nuk po shkruan ky lapsi? Mos është prishur?


Pika dhe vija. Mësuesja “çukit” fl etën me laps kur shpjegon pikën dhe e rrëshqet lapsin kur shpjegon vijën.

- Jo, lapsi nuk është prishur, por vetëm maja e lapsit mund të shkruajë. Vetëm ajo lë gjurmë në letër. A e dini se si quhet gjurma/shenja që lë lapsi mbi letër?

Ajo u shpërndan fëmijëve nga një letër e laps ose i lë ata të eksperimentojnë në fletën e saj.

- Nëse lapsi e “çukit” fletën vetëm një herë , kjo gjurmë quhet pikë. Provojeni edhe ju.

- Nëse lapsi rrëshqet si me patina në letër, gjurma e tij quhet vijë. Provojeni edhe ju.

- E dini sesi krijohet një vijë? Ajo krijojet nga pika shumë-shumë të vogla që rrinë ngjitur me njëra-tjetrën. Doni ta shikoni se si?


Veprimtari. Nga pika te vija. Mësuesja hedh në dysheme disa kokra fasuesh dhe u shpjegon fëmijëve se ato janë pika. I zhvendos farat me laps, i vendos njëra pas tjetërs për të krijuar vija: të drejta, zizage, të lakuara. Të tjerat që mbeten i vë në formë rrethi. Brenda rrethit, në largësi të barabartë vë dy fara / pika (në vend të syve) dhe 3-5 kokrrra në gjysmëhark në vend të gojës që buzëqesh.

Mësuesja:

- Çfarë u krijua duke i vendosur fasulet ngjitur me njëra-tjetrën? (Vija.) Çfarë mund të bëjmë me vijat?

 Llojet e vijave. Mësuesja ilustron duke vizatuar figura të thjeshta në tabelë:

- Pra, siç e pamë, nuk ka vetëm një lloj vije.

Ka vija të drejta, për shembull kur vizatojmë rrugën, shinat e trenit apo shkallët apo shtëpinë.

Ka vija të lakuara, kur vizatojmë zemrën, valët ose fl okët, ose gjarprin.

Ka dhe vija zigzage, si te gjethja, gardhi, bredhi i vitit të ri, rrezet e diellit, bari etj.

- Por ka edhe raste që për të vizatuar diçka ne përdorim disa lloje vijash. Për shembull, nëse duam të vizatojmë një pemë, përdorim edhe vijat e drejta, për trungun, edhe vijat e lakuara, për kurorën e pemës (kështu quhet pjesa e pemës ku ndodhen gjethet).

- Tani do të bëjmë një lojë: unë do të them emrin e diçkaje, ju do thoni se me çfarë vijash do ta vizatoni.

- Shtëpi. (Vija të drejta.) - Pemë. (Edhe vija të drejta, edhe vija të lakuara.)

- Mollë. (Vija të lakuara.) - Re. (Vija të lakuara.)

- Çadër. (Vija të lakuara dhe të drejta.) - Gjethja e rrushit. (Vija zigzage.)


Nga vija te figura. Mësuesja ilustron hap pas hapi në një copë letër ose në tabelë.

- Ne mësuam se me lapsin mund të bëjmë pika ose vija. Por, për çfarë shërbejnë vijat?

• Me vija bëhen shkarravina.

• Me vija bëhen vizatime.

• Me vija bëhen shkronja.

Veprimtari. Në vend të pikave... A keni dëshirë të bëni sikur jemi pika që krijojnë vijat e fi gurave?

Vijat e drejta. Rruga. Mësuesja i udhëzon fëmijët të krijojnë dy rreshta përballë njëri-tjetrit. Pastaj u tregon se kjo është një rrugë. Një fëmijë bën sikur është makina dhe kalon nëpër rrugën e krijuar.

Vijat e lakuara. Zemra. Mësuesja i vendos fëmijët në dy reshta që kanë të njëjtat pikënisje dhe pikëmbyllje, për të krijuar formën e zemrës.

Vijat zigzage. Gjethja. Mësuesja përpiqet që të krijojë formën e gjethes me dy rreshta zigzage përballë njëra-tjetrës dhe me majë.


Fantazia. Mësuesja ilustron bashkëbisedimin duke vizatuar në tabelë.

- Për të bërë një shkarravinë duhet të dimë vetëm të mbajmë lapsin. A keni ju vëlla a motër më të vogël që di të bëjë shkarravina? A jua shkarravit librat tuaja?

- Për të bërë një shkronjë, duhet jo vetëm të dimë të mbajmë lapsin, por edhe ta njohim shkronjën dhe të dimë

ta shkruajmë saktë atë. Ju në kopsht do të mësoni të bëni disa shkoronja.

- Ndërsa për të bërë një vizatim duhet të dimë të përdorim edhe lapsin edhe fantazinë. Po ç’është fantazia?

- Fantazia është të kesh aftësi për të përfytyruar ose krijuar. Ta provojmë.

Vizatoni veten tuaj. Secili nga ju e ka bërë vizatimin sipas fantazisë së vet.

- Në kopsht ne do të bëjmë gjëra të bukura me sende që të tjerët i hedhin, si kartonin e mbetur të letrave higjienike, pjesët e mbetura të letrave të punëdores, pambuk, fi je, fara, gurë, lecka, çanta letre etj. Për shembull, nëse unë them që sot do të bëjmë një pemë, Endri mund ta bëjë me copa të grisura punëdoreje, dhe me pambuk të lyer me jeshile, Ana mund ta bëjë me kartonin e letrës higjienike, degëza drurësh dhe gjethe prej letre të prerë, Ema mund të përdorë qese plastmase... Secili nga ata ka përdorur fantazinë.


Lojë imagjinative. Bëjmë sikur... Mësuesja u kërkon fëmijëve “të bëjnë sikur janë një objekt ose një kafshë”, pra të imitojnë me duar, duke u hedhur apo duke u zvarritur lëvizjet e kafshëve, e bimëve apo të sendeve që ajo përmend, si: kangur, anije, aeroplan, milingonë, pemë në erë, kërmill etj.


Lexim. Mësuesja u lexon fëmijëve vjershën “Fantazia” dhe ata diskutojnë cfarë kuptuan prej saj. Ata zgjedhin ose jo ta mësojnë.


Vizatim/Ngjyrosje. Vizatim i lirë. Mësuesja i ul fëmijët nëpër tavolinat e punës, u shpërndan lapsa dhe ngjyra, fletë me fi gura tëpikëzuara ose u shpërndahen fl etë të bardha, për të vizatuar çfarë të duan. Ata eksperimentojnë të vizatojnë me pika, si në fi gurë, i cili realizohet duke ngjyer në bojë gomën e lapsit, kunja veshësh, mollëzat e gishtave etj. e pastaj duke i “stampuar” në fletë.


Për t’i inkurajuar apo vlerësuar fëmijët për punën e bërë, mësuesja u shënon në një pjesë të trupit një fi gurë, si zemër, buzëqeshje, arush, yll, diell, lule, karamele etj.

Fantazia

Në çdo vizë që vizaton fëmija

rri e fshehur fantazia.

“Nga vjen ajo?” do të thoni ju.

Nga qielli vjen kur ti je në gjumë.

Ti nuk e sheh, as nuk e ndien

sepse ajo zë vend brenda teje.

Dhe sapo ti lapsin vë në fl etë

ajo si ide, nga mendja zbret.

Vizatimi yt i bërë si me magji

i çudit të gjithë, madhe edhe ty.

Materiali është shkëputur nga udhëzuesi metodik për dosjen “9 Miqtë e mi”, botimet Albas.


(Portali Shkollor)

5,468 Lexime
6 vjet më parë