7 Marsi në Romë u festua me hapjen e shkollës shqipe, pjesë e saj edhe "Paketa Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare - Niveli I"
Më 7 Mars në Romë u hap shkolla e gjuhës shqipe "Pranë teje". Shkolla u inaugurua nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Lindita Nikolla. Fëmijët shqiptar atje do të mësojnë gjuhën e traditat e mëmëdheut përmes "Paketës Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare I”, botuar nga ALBAS dhe Dukagjini.
Në ditën e Festës së Mësuesit është hapur në Romë Shkolla e gjuhës shqipe "Pranë teje". Shkolla u inaugurua nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Lindita Nikolla e shoqëruar nga Ambasadorja e Shqipërisë në Romë Anila Bitri.
Në aktivitet morën pjesë dhe deputetët e parlamentit shqiptar Ermonela Felaj e Agron Gjekmarkaj. Shkolla është hapur me kontributin e shoqatës bamirëse shqiptare "Pranë Teje", e cila kontribuon të ndihmojë familjet e emigrantët shqiptarë në vështirësi si në Itali ashtu dhe në Shqipëri. Të pranishëm në ceremoni ishin nxënës, studentë, të rinj e familje shqiptare që jetojnë në Itali.
Nxënës e studentë recituan poezi të poeteve shqiptarë. Aktualisht në Itali janë ngritur rreth 60 shkolla të gjuhës shqipe e Ambasada shqiptare në Rome kontribuon në furnizimin e tyre me libra mësimorë në gjuhën shqipe, mes të cilëve është edhe "Paketa Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare I”, botuar nga ALBAS.
Ky botim vjen nga bashkëpunimi i dy shtëpive botuese, ndër më të njohura në trevat shqiptare, ALBAS dhe DUKAGJINI.
Paketa Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare – Niveli 1 është hartuar në përputhje me Kurrikulën e mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë e në mërgatë, e cila është miratuar nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Shqipëri, dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Kosovë. Në këtë paketë do të gjeni: librin e nxënësit, fletoren e punës, fjalor me figura dhe një përmbledhje me pjesë të zgjedhura (Shko dallëndyshe).
Teksti është ndërtuar në tri pjesë, që u korrespondojnë përkatësisht klasave I, II dhe III, të cilat në tekstin e nxënësit/es emërtohen: shkalla 1, shkalla 2, shkalla 3.
Secila nga këto pjesë ka strukturën e vet, ku është mbajtur parasysh tematika dhe rezultatet e të nxënit për secilën klasë. Në hartimin e tyre është respektuar rritja graduale e shkallës së vështirësisë si në përmbajtje, ashtu edhe në sasinë e materialit.
Postimi i plotë i kryetares së Kuvendit të Shqipërisë Lindita Nikolla
“Një koincidencë e bukur: vizita zyrtare në Romë përkon me 7 Marsin dhe çeljen e shkollës shqipe në këtë qytet, me mbështetjen e Shoqatës “Pranë Teje” (Vicino a Te).
Përgëzime themeluesit dhe Presidentit të Shoqatës “Pranë Teje”, z. Edmond Ndoj, për këtë nismë, e cila i shton një klasë më shumë rreth 90 shkollave të gjuhës shqipe në Itali.
Përgëzime të rinjve shqiptarë, të rritur e të shkolluar në Itali, për kontributin e tyre në funksionimin e shkollave në gjuhën shqipe.
Identiteti e vlerat kombëtare nuk ruhen e konsolidohen vetëm në mënyrë emocionale, nëpërmjet mallit, dashurisë e nostalgjisë, por edhe në mënyrë racionale, nëpërmjet mësimit dhe ushtrimit të tyre.
Suksese shkollës”.
Nanila Allkja Biçaku
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...
Mëso si të jetosh vet, mëso edhe nxënësit si të jetojnë
113 vite më parë u çel e para shkollë e mesme shqipe, "Normalja e Elbasanit"