Deklarata e MAS

Zgjedhjet në universitete, Nikolla: Çdo garë ka sfida

“Të nderuar pedagogë e studentë, ju bëj thirrje ta përmbyllim garën si një proces zgjedhor model ku fitojnë më të mirët”

Deklarata e Ministres së Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla

Dëshiroj të përshëndes sot deklaratën e rektoratit të Universitetit tëTiranës, të nënshkruar nga disa prej profesorëve më të spikatur të sistemit universitar në Shqipëri.

Bashkohem me thirrjen e profesorëve për vijimin e garës të hapur, transparente dhe të ndershme, për drejtuesit e ardhshëm të universiteteve në mbarë vendin.

Sigurisht, çdo garë ka sfidat e veta!

Në garën për të zgjedhur drejtuesit e departamenteve, dekanët, senatorët dhe rektorët, sfida e vetme janë shkalla akademike dhe platformat për cilësi në arsimin tonë të lartë. Kjo është një garë pa ndërhyrje nga qeveria apo politika.

E tillë ka qenë gara deri dy ditë më parë kur, fatkeqësisht, ndeshëm një problem të vështirë e totalisht të pakëndshëm, i cili, për fat të mirë, u kapërcye menjëherë falë gatishmërisë dhe profesionalizmit të institucioneve të shtetit.

Si Ministre e Arsimit, dëshiroj të siguroj të gjithë kandidatët, pedagogët dhe studentët, që janë pjesë e kësaj gare, por edhe mbarë publikun, se kemi bërë dhe do të vazhdojmë të bëjmë ç’është e mundur që zgjedhjet në universitete të jenë model, siç i shkojnë për shtat çdo institucioni të arsimit të lartë në vend.

Nga ana tjetër, u bëj thirrje edhe partive politike, sidomos disa politikanëve që tregojnë padurim për ta përdorur politikisht çdo gjë, që të qëndrojnë larg zgjedhjeve në universitete.

Universiteti është një hapsirë autonome ku politika nuk ka vend. Universiteti është një institucion që përgatit brezat e rinj, gjeneratën tjetër.

Të nderuar pedagogë e studentë, ju bëj thirrje ta përmbyllim garën si një proces zgjedhor model ku fitojnë më të mirët.

1,736 Lexime
8 vjet më parë