Yllka Muka: Mësimi online, metoda që na befasoi të gjithëve!
Uroj që mësimdhënia online të mos lihet pas dore, por të përdoret në funksion të mësimdhënies frontale dhe padyshim jam e bindur që do të jetë frytdhënëse.
Jemi drejt përfundimit të vitit shkollor dhe si çdo fundvit ne mësuesit bëjmë.bilance se çfarë arritëm apo çfarë mund të bëhet më mirë vitin tjetër.
Ky vit shkollor është shoqëruar me disa ngjarje jashtëshkollore të cilat do të na bëjnë ta emërtojmë në kujtesën tonë në mënyrë të veçantë.
Çfarë dua të them me këtë?
Jo një, por dy fatkeqësi natyrore ishin bashkëshoqëruese të këtij viti shkollor, tërmeti në nëntor dhe përhapja e Covid-19. Këto shkaqe të jashtme ndikuan në mbarëvajtjen dhe ecurinë normale të vitit shkollor. Megjithatë, një nga gjërat më pozitive që zbatuam në praktikë dhe zbuluam gjatë periudhës së pandemisë ishte metoda e mësimit online. Në kushte të tilla rreziku për humbjen e vitit shkollor ishte i madh, por ne mësuesit mundëm të përballonim një situatë jashtë të zakonshmes dhe me anë të profesionalizmit, pasionit, e impenjimit arritëm të përshtateshim me teknologjitë më të fundit.
Ka pasur shumë dyshime, ku thelbi i tyre kanë qenë pikëpyetjet se sa ia kemi dalë me mësimin online. Sigurisht, janë dy qasje të ndryshme ku secila ka anët e saj pozitive.
Duke qenë se kemi një përvojë të konsoliduar prej dekadash me mësimdhënien frontale, patjetër që do themi se asgjë nuk e zëvendëson. Ndoshta është e vërtetë, ndoshta jo.
Por, gjatë periudhës së pandemisë, vërejtëm se teknologjitë e sotme që vendosëm në përdorim, na dhanë mundësinë që mësimi online t’i afrohet atij frontal. Duke qenë një situatë jashtë së zakonshmes, u përdor me urgjencë dhe në mënyre pothuajse eksperimentale, por risku qe tepër i madh për të mos ta përdorur. Megjithatë, kjo metodë mësimdhënieje arriti të ishte një ndihmesë e çmuar në një situatë të tillë, ku programi mësimor u arrit të kryhej dhe objektivat mësimore të vendosur paraprakisht arritën të zbatoheshin.
Mund të thuhet se mësimdhënia online ka qenë ndër befasitë më pozitive që karakterizuan këtë periudhë të vështirë.
Padyshim, një rol të rëndësishëm ka teknologjia, por në rezultatin e mirë të kësaj qasjeje, nuk duhet anashkaluar as dëshira e nxënësve për njohuri e mësim si dhe impenjimi maksimal i prindërve. Gjithashtu nuk duhet harruar as profesionalizmi dhe impenjimi rigoroz i mësuesve për të çuar përpara misionin fisnik, pavarësisht rrethanave të veçanta. Duke i parë ngjarjet në një këndvështrim realist mendoj se kjo periudhë pati të veçantat e veta sepse ne së bashku me kolegët, bashkëpunues të ndryshëm u njohëm dhe vumë në zbatim shumë platforma, të cilat vlejnë të përdoren gjerësisht edhe në vazhdim në kushtet e situatës normale.
Duke shpresuar se së shpejti në muajt në vazhdim situata do të vijë drejt normalizimit dhe mësimdhënia do të rikthehet në mënyrën klasike në bankat e shkollës. Uroj që mësimdhënia online të mos lihet pas dore, por të përdoret në funksion të mësimdhënies frontale dhe padyshim jam e bindur që do të jetë frytdhënëse.
Nga Yllka Muka
Mësuese ndihmëse, shkolla “Kongresi i Manastirit”
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Siguria në arsim, baza për një të ardhme të qëndrueshme
Përditësimi i kurrikulave, sugjerime nga eksperti i arsimit Fiqiri Çifliku
Siguria në shkolla dhe vendimi për TikTok: Masa të nevojshme apo të tepruara?