Albas për të rinjtë

Xhoana Jaku: Eja në panair të të prezantoj me të rinjtë…

Çfarë kërkon rinia e sotme? Shtëpia Botuese Albas e ka përgjigjen falë vepra fantastike, me ngjyrime aktuale, origjinale dhe emocionale. Vepra të forta në lënien e gjurmeve në kohë, si një dëshmi e pashuar arti dhe qëndrese.

Vrapi në përditshmërinë e punëve, të detyrave dhe peripecive i ngjet rendjes nëpër labirintet e panairit, me pyetjet: ‘ Tek cila stendë të pozicionohem’, ‘ Cilin libër nga qindra të afishuar ta bëj timin?’, ‘ Cila dije’, ‘Cila fushë’. Si të gjejmë librat që zemra na gufon ti duam? Rruga drejtë aktualitetit dhe fuqizimit të talenteve të reja shpie pranë stendës së ALBAS. 


Misioni i Albas mbi dijen dhe shpërndarjen tek çdo qytetar i trojeve tona vijon të transmetohet pandërprerë e me shumë energji për secilën moshë, duke prekur fusha të ndryshme. Ne rritemi me Albas duke nisur nga bankat e para arsimtare, për të kaluar tek kultura e pasur e botimeve të autorëve kombëtare e të huaj. 


Praktikisht, pranë stendës së pozicionuar porsa futesh në panair, mund të mahnitesh nga botimet frymëzuese, përkthimet e denja nga Sokol Çunga, Ana Kove e shumë të tjerë, prezantimet me autorë dhe miq, me fitues të letrave shqipe si Ardian Vehbiu, apo Gazmend Kapllani. 


 Promovimi i librave me në fokus shkrimtarët e rinj zë hapsirë të konsiderueshme dhe të admirueshme porsa afrohesh tek afishimi. Shkrimtarët e rinj kanë zë potencialisht të vyer për tu dëgjuar. Poezitë dhe tregimet e botuara i japin horizonte të ngrohta realitetit tonë shqiptarë. Sa na mungojnë shkrimet aktuale? Sa nevojë ka shoqëria e sotme, më një rini të ç’orientuar nga dritat moderne, të ushqehet pas dijes në çdo kafshatë leximi? Shqipëria prodhon shkrimtarë të mirë, e ky fakt nuk është mit. Mjafton të endesh nga stenda në stendë për tu përshëndetur me poezi apo novela me artificën e së tashmes. 


Kush janë shkrimtarët që premtojnë me veprat e tyre? Qasja me poezitë lidhet me poetë si Meti Disha me veprën “Të Mjaftueshmëve Me Gjëra Të Vogla”, ose Adrian Zalla me veprën “Një Histori Ngritur Mbi Imazhe Të Prera”, që shërbejnë si indicie pozitive në kursin e aktualitetit tonë. Pa dyshim, çdo gjini arrin ta gjejë veten të mpleksur në rreshtat e poezive, bashkë me dhimbjen e autorit, bashkë me shtrembërimit e realitetit, aty, të ngërthyer me mjeshtëri pas përshkrimeve jo vetëm narratore, por me orientimin drejt dhënies së emocioneve. Poezia duhet ta linde emocionin në çdo zemër. Si për të provuar që emocioni lindi i pari për të na bashkuar si qënie njerëzore. Në poezitë e këtyre dy autorëve të rinj brendia njerëzore pëson një suspacion të bukur. Papritur gjatë leximit del në përfundimin e paqte se mjaftueshmëria vjen nga gjërat më të vogla. Realiteti ynë i madh, kaotik, e hera-herëz i çmendur për pak ngjyrim, gatohet me finesë për studentët në vrullin e jetës, apo për mërgimtarët në atdheun e tyre, për familjarët, për ecajaket nëpër qytetin e dritave me zhurma, për çdo person të humbur e të gjetur. Brenda rreshtave të poezive dalin në sipërfaqe perspektiva të thella, emocione të gjalla, aty diku thellë ngulmon dhe jeta, kjo jetë e madhe e përbashkët e ndarë me njëri-tjetrin. Imazhet e prera dhe dhimbja e shkruara e vibrojn ë pastër mendjen e çdo lexuesi. Përmes dhimbjes bëhemi më human. Përmes dhimbjes kuptojmë tjetrin dhe veten në një maratonë të pambarimtë. Çfarë mbetet e rrallë, është të duash pak poezitë e poetëve të emocioneve. 


Për dashamirësit e tregimeve, nuk mund të mungojnë veprat si “Bar Sahara” nga Dionis Prifti, apo “Të Vdesësh Nën Diell” nga Ervin Nezha. Dy shkrimtarë premtues e të përqafuar ngrohtë nga rinia e sotme. Bukuria e tregimeve ndahet mes emocionit dhe misterit. Brenda sferës emotive preken tela humori si për ti dhënë vlerë të shtuar krizës reale të modernizmit. Leximi i ‘Bar Sahara’ e trajton këtë gërshetim të vyer. Për të shkuar më thellë drejt papërcaktimit enigmatik e thuajse të padëshifruar të ngjarjeve të listuara nga shkrimtari Ervin Nezha, lexuesi mund të dashurohet pas përshkrimeve origjinale, të përshtatura me situata reale nga jeta e thjeshtë. 


Në stendën e Albas rreshtohen për t’u lexuar edhe Andreas Dushi me veprën “Pragu i Braktisjes”, si dhe autorja e re Ana Cara me librin e saj “Dashuria e Heshtur”. Për të mos u humbur qëndron vepra e Klenti Hodo “Katrahurë  Ndjenjash”.


 Nëse për të qënë një shkrimtarë i mirë i mëshonte idesë se duhet të shkruash, paçka se dorëshkrimet mund të mblidhen nëpër sirtarë me vite, atëherë shkrimtarët e rinj shqipëtarë janë një shembull i luftës me veten e më pas me shoqërinë. Ta shkruash dhimbjen është gjuhë e lartë terapeutike, e ti ndash këto shkrime me mbarë shoqërinë, atëherë kthehet në alfabet universal terapeutie. Tabani i veprave të reja ka qënë me themele të lëkundura në shumë vite të kaluara. E shkuara lartohej me fuqinë supreme të përshkrimit. Paralelisht jetesa me hijet e së shkuarës kthehej në realitetin e vetëm të jetuar, e shpesh të pagëlltishëm. 


Po e tashmja ku aneksohej?  Sa humbje ka pësuar tregu i librave pa shkrimtarë të rinj? Fare mirë, pakënaqësia e studentëve dhe të rinjve vjen e drejtë, falë shtrëngesave të ardhura nga pamundësia e një rruge. Rinia ngulmon ta përqafojë të tashmen, sigurisht pa mohuar rrënjët e së shkuarës, e kjo kërkesë përbën nevojshmëri për çdo rrugë përparimare, për çdo sipërmarrje në përmirësimin e mendësisë. 


Çfarë kërkon rinia e sotme? Shtëpia Botuese Albas e ka përgjigjen falë vepra fantastike, me ngjyrime aktuale, origjinale dhe emocionale. Vepra të forta në lënien e gjurmeve në kohë, si një dëshmi e pashuar arti dhe qëndrese. Panari zgjat pak ditë, ndonëse ftesa ndaj shfletimit të veprave inovatore është e hapur, pa afat, e me mesazhin se shkrimtarët e mirë i japin nuancë moderne realitetit tonë edhe atëherë kur duket pa trajtë.



Shkruar nga Xhoana Jaku


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,910 Lexime
3 vjet më parë