Ushtrime teorike apo projekte praktike?
Çelësi për të barazuar argëtimin me punët që u janë ngarkuar nxënësve, është që si mësimdhënësit, ashtu edhe prindërit t’ua bëjnë procesin e të mësuarit sa më tërheqës dhe interaktiv. Po këtë gjë synon edhe kalimi nga mësimdhënia klasikë më ushtrime teorike te mësimdhënia me projekte.
“Detyrat e shtëpisë përbëhen nga detyra që u caktohen nxënësve nga mësuesit e shkollës, të cilat synohen të kryhen gjatë orëve dhe mjediseve joshkollore.” Janine Bempechat
Debatet rreth detyrave të shtëpisë së nxënësve nuk janë të reja. Debatet e para publike i përkasin shekullit XX në Amerikë, ku prindërit nisën të shqetësoheshin mbi efektivitetin e tyre. Mbingarkesa e fëmijëve me detyra sillte lodhje dhe rënie të efektivitetit, kësisoj te nxënësit shënohej ulje në rendimentin e mësimnxënies.
A nxisin detyrat e shtëpisë arritje në mësimnxënie, apo nxënësit më të fortë dhe më të motivuar zgjedhin të bëjnë detyrat e shtëpisë?
Studime të shumta empirike, të kryera përmes modeleve të ndryshme kërkimore dhe nëpër lëndë të shumta shkollore, kanë gjetur një lidhje të fortë dhe pozitive midis sasisë së detyrave të shtëpisë që bëjnë nxënësit dhe arritjeve të tyre në shkollë.
Nëse detyrat e shtëpisë kanë rezultate në mësimnxënie, a janë edhe motivuese për nxënësin?
Hulumtimet tregojnë se detyrat e shtëpisë i privojnë fëmijët nga koha e lirë dhe argëtimet, sikurse i rëndon prindërit në kontrollin dhe ndihmesën e fëmijëve, duke i privuar edhe ata nga koha dhe detyrimet e tjera vetjake.
Në vendin tonë, në dy dekadat e fundit, ngarkesa me ushtrime teorike për t’u zgjidhur ishte e madhe, çka ndikonte në motivimin e nxënësit dhe në dëshirën për mësimnxënie. Ngarkesa e lartë shikohej si pengesë për kohën e lirë. Praktikisht dita fillonte dhe mbaronte me preokupimet shkollore, me kohë të reduktuar për argëtimin dhe zbavitjen. Faktor ndikues ka qenë dhe metodika klasike, e cila ndryshon me metodikat e sotme, që janë më argëtuese dhe lehtësuese.
Në ditët e sotme, kryefjala “detyrë shtëpie” është zëvendësuar me “projektet”, si punë me ndikim më zbavitës dhe zhvillues për nxënësit. Nga përvoja në vendet më të zhvilluara ka rezultuar se puna praktike me projekte ka sjellë rritje të efikasitetit në mësimnxënie, kështu që metoda të tilla kanë filluar të zbatohen zyrtarisht edhe në sistemin shkollor parauniversitar të vendit tonë. Por “tranzicioni” në praktikë nga mësimdhënia klasike në atë me metoda të reja me në qendër nxënësin po kërkon kohë dhe, si i tillë, pavarësisht se janë të qarta shkathtësitë dhe aftësitë që synohen të fitohen nga nxënësi, sjell çorientim në mënyrën e ushtrimit të kompetencave prej tyre. Projektet variojnë sipas lëndëve shkollore, të tilla janë: ndërtimi i fletëpalosjeve, krijimi i qyteteve në miniaturë me fletë dhe kartonë shumëngjyrësh, trupat gjeometrikë me material plasteline etj. Projektet sërish nuk janë duartrokitur nga prindërit. Mospasja e një balancimi mes ushtrimeve teorike dhe projekteve praktike ka shtuar ngarkesën e nxënësve.
Çfarë prindërit kërkojnë nga mësuesit e vendit tonë është:
- Të përpiqen të balancojnë sasinë e ushtrimeve teorike me numrin e projekteve praktike gjatë një jave.
- Projekteve kreative të artit, që kërkojnë impenjim dhe kohë, t’u lihet periudhë më e gjatë realizimi.
- Duke qenë se dita e një fëmije ndahet mes pjesëmarrjes fizike në orët mësimore në shkolla, detyrave të shtëpisë, projekteve dhe kurseve ekstra, duke e rënduar mendjen e tyre, mësuesit këshillohet të japin detyra më të lehta dhe të pakta.
Dalja nga karantinimi, pra rikthimi i procesit mësimor në klasa, është shoqëruar dhe me rritje të ngarkesës dhe me përshpejtim të ritmit të mësimdhënies/nxënies, për të rikuperuar njohuritë që nuk janë përvetësuar siç duhet gjatë mësimdhënies në distancë. Kthimin e procesit mësimor te norma e parashikuar në program, mësuesit/et e shikojnë si punë në bashkëpunim, duke shpresuar në përfshirjen e prindërve. Ata sugjerohet që të:
- bashkëpunojnë me mësuesin/en për rikuperimin e njohurive te nxënësit, duke i ndihmuar ata me detyrat e shtëpisë.
- nxisin fëmijët e tyre në shtëpi të kryejnë sistematikisht dhe me përkushtim detyrat që u janë ngarkuar nga mësuesi/ja.
- motivojnë fëmijët e tyre, duke i informuar se kjo mbingarkesë është e përkohshme.
Pavarësisht se dëshirat e nxënësve/eseve janë kryesisht të orientuara drejt çlodhjes dhe argëtimit, është mirë që t’u rikujtojmë vazhdimisht se ata, sa më shumë që të rriten, kanë edhe detyra e përgjegjësi.
Çelësi për të barazuar argëtimin me punët që u janë ngarkuar, është që si mësimdhënësit, ashtu edhe prindërit t’u bëjnë procesin e të mësuarit sa më tërheqës dhe interaktiv. Po këtë gjë synon edhe kalimi nga mësimdhënia klasikë më ushtrime teorike te mësimdhënia me projekte që synojnë angazhimin praktik të nxënësit. Prandaj, është e këshillueshme që këto lloje detyrash që u ngarkohen nxënësve/nxënëseve të jenë të balancuara.
“Loja, metoda më e mirë për të punuar me fëmijën”. - Maria Montessori.
Si referencë: Bempechat, J. The motivation benefits of homework: A social-cognitive perspective.
Shkroi: Xhoana Jaku
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Siguria në arsim, baza për një të ardhme të qëndrueshme
Përditësimi i kurrikulave, sugjerime nga eksperti i arsimit Fiqiri Çifliku
Siguria në shkolla dhe vendimi për TikTok: Masa të nevojshme apo të tepruara?