Tronditjet në shoqërinë tonë shqiptare/ Përse të rinjtë po rriten “të mbyllur” në një shoqëri të hapur?
Shkrimi trajton problemet e tronditjes sociale që po kalon shoqëria shqiptare, duke u fokusuar te të rinjtë që rriten të mbyllur dhe të vetmuar në një shoqëri të hapur. Autori diskuton abuzimet, bullizmin, dhe krizat emocionale që ata përjetojnë, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes nga familja dhe shkolla.
Nga Evans Drishti
Shantazhim… Bullizim… Abuzim… Kërcënim… Demigrim… Përdhosje… Përbuzje… Ironizim… Shkatërrim… e në fund eliminim…
Mund t’i quajmë si të dëshirojmë, por në fund të ditës kemi përpara nesh humbje jete…
Fenomenet e ditëve të fundit, qoftë rasti i 15 vjeçares në Shkodër, e cila pak ditë më parë u gjend e varur në shtëpinë e saj për shkak të shantazhimit, qoftë edhe rasti më i ri i fëmijës 14 vjeçar, që u ther me thikë mu përpara shkollës 9-vjeçare Fan Noli në Tiranë, apo edhe të tjera raste të kohëve të fundit janë tronditëse, jo vetëm për familjarët, jo vetëm për institucionet arsimore, ku të rinjtë arsimohen, por për mbarë shoqërinë tonë.
Këta të rinj po lihen të rriten “të vetmuar” pa mbështetjen dhe përkrahjen e të rriturve.
Një i ri apo e re është në formimin e identitetit dhe personalitetit në çdo hap të përditshmërisë së vet. Por s’mund të jetë thjesht një lëndë dhe për rrjedhojë një proces mësimor brenda një auditori që “e rrit” dhe e “zhvillon” atë. Zhvillimi i një të riu lidhet ngushtësisht me raportet që krijohen si brenda familjes ashtu edhe në shkollë dhe në përditshmërinë e vet.
Po abuzohet së tepërmi me mendësinë e lënies “të lirë” të qenies në rritje, me idenë famëkeqe “Shyqyr që jemi në demokraci dhe të bëjnë atë që dëshirojnë!” Mendjes dhe shpirtit të prindërve dhe të rriturve u është vënë një “perde” përpara, që qëndron si një fortesë shekullore duke i penguar ata të konsolidojnë marrëdhëniet me të rriturit për t’u ardhur në ndihmesë në çdo rrethanë, e vështirë apo e lehtë në dukje.
Përse adoloshentët sot mbërrijnë deri në këto akte fatale?
S’është e thënë të disponosh të dhëna të shumta apo të pakta në lidhje me rastet, pasi rrethanat dhe vetë fenomenet të vetëdijësojnë në një pikë kyçe të parë, adoloshentët ndjehen ”të vetmuar” në përballje dhe në tejkalim të situatave, në të cilat ndodhen. Ata kanë nevojë energjente për një kthjellim të mendjes dhe shpirtit të tyre, për një përkrahje shpirtërore dhe ndjesore që s’mund të jetë e kufizuar vetëm në disa orë apo në një ditë. Përkundrazi duhet të jetë e përditshme, duke kuptuar edhe rëndesën psikologjike në të cilën ndodhen. Asnjë fenomen s’mund të vijë papritur dhe në mënyrë rastësore, prandaj rastet dhe rrethanat domosdoshmërisht vihen në shënjestër nga të rriturit dhe bashkëmoshatarët që kanë arritur një pjekuri më të lartë për t’i qartësuar situatat dhe për t’i penguar aktet barbare.
Ka qenë dhe mbetet gjithnjë i rëndësishëm bashkëpunimi rigoroz i prindërve me fëmijët e tyre, si të moshave të vogla ashtu edhe të moshave të rritura, njëherazi edhe i mësuesve me nxënësit e tyre. Kjo mbështetje dhe përkrahje mbetet gjithnjë e formave të ndryshme si:
- një bashkëbisedim i përditshëm ballë për ballë, duke u parë në sy, për të kuptuar emocionin që shpreh fëmija që në mëngjes dhe në momente të ndryshme të ditës
- një komunikim qoftë edhe me telefonatë, në pamundësi për të qenë i pranishëm fizikisht, mjafton t’i dëgjohet zëri dhe prindi apo mësuesi apo një i rritur i afërt të kuptojë nga zëri gjendjen shpirtërore në të cilën ndodhet djali apo vajza
- bashkëpunimi me fëmijën s’mund të kufizohet vetëm duke i plotësuar nevojat e përditshme apo duke i ofruar një shumë parash, si për ta gëzuar në atë çast, përkundrazi fëmijët dhe të rinjtë duhet ta ndjejnë vazhdimisht praninë e të rriturve si mbështetës dhe përkrahës, por mbi të gjitha si orientues të rregullt në zgjedhjet e bëra.
- kujdestaria në institucionet shkollore s’mund të pranohet “e realizuar” duke i hedhur një sy klasës për një verifikim të pranisë apo jo në klasë të nxënësit, përkundrazi në çdo kohë dhe rrethanë të përditshmërisë shkollore mësuesi kujdestar dhe jo vetëm e kanë për detyrë të bashkëpunojnë më nxënësit për çdo integrim të tyre në zhvillim.
- socializimi dhe rritja e integrimit kulturor mbetet përherë një hapësirë e volitshme e zhvillimit ideor, mendor e shpirtëror të fëmijëve dhe të rinjve.
Sa herë organizohen prindërit me fëmijët e tyre apo mësuesit me nxënësit e tyre të shohin një shfaqje muzikore, një komedi apo edhe një dramë në teatër, një film në kinema, një ekspozitë në galeri të arteve, një piknik në hapësira të gjelbërta malore, bregdetare apo fushore...?
Mos harrojmë se truri dhe shpirti i një fëmije dhe i një adoloshenti ka shumë nevojë të kthjellohet dhe të integrohet me pamje të larmishme që sjellin ngjyrime emocionale dhe largpamësi.
”Konsulta” me fëmijët dhe të rinjtë e sotëm si në rrethet familjare për të marrë një mendim të vyer rreth një çështje të caktuar primare apo dytësore, ashtu edhe në shkollë për të zhvilluar projekte të larmishme, e bëjnë fëmijën dhe të riun të ndjehet më i pranueshëm dhe më i vlerësuar.
Ndaj, është parësore:
• ta pranojmë fëmijën në natyrën e tij,
• ta vlerësojmë për aftësitë dhe karakterin që ka
• ta mbështesim dhe ta inkurajojmë në qasjet e veta për të formuar personalitetin e tij të shëndetshëm.
Në këtë aspekt ka shumë rëndësi:
• të hiqet dorë një herë e përgjithmonë nga metoda e edukimit të fëmijëve dhe të rinjve me ”kritika”.
E gjejmë këtë fenomen rëndomtë në familjet tona shqiptare, kur vëmë re:
• shumë prindër nuk dijnë t’u flasin fëmijëve të tyre me ëmbëlsi dhe fjalë e shprehi magjike si: e ëmbla ime, shpirti i mamait ose i babait, bukuria dhe ëmbëlsia e jetës sime, krenaria ime, vigjilent/e, i/e mençur, dashuri e jetës tonë...
• u flasin vetëm me ashpërsi, me tone të larta zëri, me imponime të pajustifikueshme, me kërkesa llogaridhënie të niveleve absurde si: ”Gjej vend ku të futesh!”, ”Mos të të shoh përjashta me këtë apo atë!”, ”Na shkatërrove jetën!”, ”Na more në qafë!”, ”Ç’na ka zënë belaja me ty!”, ”Kujt i ngjave për dreq!”...
• prindërit mund të jenë me arsim të lartë apo jo, por në përfundim janë prindër dhe gjuha e komunikimit me fëmijët e të rritur duhet patjetër të ngjallë ngrohtësi dhe maturi.
Një situatë të ngjashme e shohim edhe në institucionet tona arsimore, ku vihen re mënyra të rënduara komunikimi në rastet kur nxënësit vijnë të papërgatitur në mësime, mënyra këto që në raste të caktuara agravojnë deri në ofendime të papëlqyeshme.
Realiteti i rrjeteve sociale mbetet i pandryshueshëm dhe i domosdoshëm në kohët që jetojmë. Mençuria dhe maturia e prindërve, mësuesve dhe të rriturve duhet të reflektojë maturi tek fëmijët dhe të rinjtë për një përdorim produktiv dhe efikas të hapësirave të pafundme që ofron bota e internetit.
Të rriturit, sot e gjithnjë janë të detyruar të pranojnë dhe të kuptojnë rritjen dhe zhvillimin e të rinjve për t’ua lehtësuar sa më shumë integrimin e tyre në shoqëri, duke ua kthjelluar dhe qartësuar mendjen dhe shpirtin e tyre, qoftë edhe në relatat e tyre të dashurisë, pasi jo çdo lidhje miqësore përkthehet në një lidhje dashurie.
Në këtë rast, të rinjtë e kanë të nevojshme një mbështetje ideore dhe shpirtërore, e cila duhet të vijë së pari nga gjiri i familjes në mirëkuptimin më të mirë të mundshëm, e më pas nga rrethi shoqëror, i cili padyshim duhet të jetë gjithnjë në përzgjedhje të duhur.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
"Për Aftësinë e Kufizuar dhe rolin e mësuesit ndihmës në shkolla" nga Fiqiri Çifliku
Mësimdhënia me në qendër nxënësin
Bashkëpunimi sjell sukses