Sugjerimi i ditës - Libri “Hoteli përbri kishës dhe disa tregime të errëta”
Tregimet e këtij vëllimi nga autori Behar Jacaj përpiqen të bëjnë thirrje për rebelim. Për një rebelim, jo ndaj botës, më shumë sesa ndaj vetes, ndaj vetëcensurës, ndaj filtrave dhe gardheve komplekse që na ndalin vrapin dhe na i bjerrin ëndrrat…
Sugjerimi i ditës së sotme është libri “Hoteli përbri kishës dhe disa tregime të errëta” i autorit Behar Jacaj, fitues i “Fondit të krijimtarisë letrare për të rinj” organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit me motivacionin: “Për spikatjen mes prozatorëve të rinj bashkëkohorë, për befasinë e situatave rrëfimtare të shprehura me ligjërim artistik mbresëlënës”.
“Të gjitha tregimet e këtij vëllimi përpiqen të bëjnë thirrje për rebelim. Për një rebelim, jo ndaj botës, më shumë sesa ndaj vetes, ndaj vetëcensurës, ndaj filtrave dhe gardheve komplekse që na ndalin vrapin dhe na i bjerrin ëndrrat…”
Tregime të errëta apo të vërteta?
Autori zgjedh t’i përshkruajë personazhet e tregimeve me hirin e pështjellimit ku gjallojnë. Tregimet e latojnë psikologjinë e errët të njeriut përmes sjelljeve të tij të jashtme. Gati-gati, autori e fal këtë errësirë njerëzore, si për të dashur ta shpjerë lexuesin drejt dritës së arsyetimit, larg dyzimit dhe larg çdo pafuqie që e kurthon në vetmi apo shoqëri. Kush na shfaqet si e errët? Pa dyshim, tranzicioni kohor që ndikon në turbulenca te perceptimet e individëve. Kështu, në tregime, personazhet janë vartës të sistemeve të ashpra dhe të komuniteteve të mbyllura, në tentativë që të rebelohen. Po ndaj kujt të rebelohen? Vetes? Censurës? Brengave? Pafuqisë? Kur realiteti ofron kaq shumë padrejtësi dhe athtësi, te kush ta fillojë rebelimin njeriu i sotëm? Një shteg shpie në një tjetër shteg, në çdo dhomë na shfaqet një paradhomë, hoje pas hoje, njëjtë si humbëtirat e vagullta të kokës.
E errëta ka aftësinë e fortë ta bëjë lexuesin të mendojë mbi perspektiva të gjalla, parë në optikën e thellë të autorit. Një psikodramë ku takohen shumë aktorë dhe performohen çudira, porsi edhe piktura që na jepet në kopertinë nga Eduart Munch: Një makth klasik.
Veçantia e ligjëratave artistike
Një tjetër pikë e ndeshur në libër, janë ligjëratat që pasurojnë njohjen me këtë botë të errët. Personazhet i pasojnë pyetjet për të arritur te kërkimi i së vërtetës. Bashkëbisedimi i hap shteg gjetjes së asaj që ndodh më tej, pra duke nxitur mendimin e lirë te lexuesi.
Fragment nga libri:
– Guxim për çfarë? – pyeta.
– Për të qenë të vërtetë. Për të bërtitur për atë që duam. Për të shurdhëruar të gjithë ata që s'na e vënë veshin. Për të verbuar të gjithë ata që s'na vënë re.
– Thua ta kemi pasur një guxim të tillë?
– Sigurisht që po, - u hodh gjithë zjarr. – E kishim. E kishim edhe e humbëm. Shiko fëmijët. Janë të qartë për çfarë duan dhe çfarë nuk duan. Ulërijnë, ngrenë qytetin në këmbë, kur nuk e marrin atë që duan. Ne, nuk kemi guxim as të themi që e duam diçka të ndaluar.
– Atëherë, pyetja shtrohet ndryshe. Jo ku e kemi humbur, por ku mund ta gjejmë guximin? Dhe kësaj së dytës, është më e thjeshtë për t’iu përgjigjur…
Autori i ri Behar Jacaj kontribuon në letrat shqipe me këtë libër të tij të parë, përmes tregimeve që jehojnë vrullshëm te njerëzorja. Ky libër vjen i sugjeruar për të gjithë lexuesit që janë të etur të njohin dhe të kapërcejnë paranojën, frikën dhe amullinë e kohës tonë.
Librin e gjeni në mjediset e librarisë Albas www.librarialbas.al
Përgatiti Xhoana Jaku
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Albas pjesë e trajnimit në Athinë me temë “Metodat e mësimdhënies në kushtet e dygjuhësisë”
SKEMA PËR LETËRSINË DHE GJUHËN SHQIPE – në ndihmë të maturantëve
Planet mësimore dhe ditarët e teksteve shkollore të Albas Shqipëri