Njoftim për studentët

Studimet e larta në Itali, nisin aplikimet për vitin akademik 2016-2017

“Nxënësit e regjistruar në vitin e fundit të shkollës së mesme që do të marrin dëftesën në verën e 2016-s, duhet të paraqesin një fotokopje të palegalizuar të formularit A1, me të cilin janë regjistruar online për provimet e Maturës 2016

Ambasada e Italisë në Tiranë njofton të gjithë të interesuarit për të ndjekur studimet e larta në shtetin fqinj se kanë nisur aplikimet për vitin akademik 2016-2017. Ambasada italiane ka publikuar në faqen e saj zyrtare të gjitha hapat që duhet të ndjekin nxënësit e interesuar si dhe dokumentet që duhet të dorëzojnë.

Në fazën e parë që është pararegjistrimi ata duhet të dorëzojnë një sërë dokumentesh si: certifikatë lindje dhe familjare të përkthyer, formularin e regjistrimit (të plotësuar por të pafirmosur) ku duhet shënuar vetëm një degë universitare, formularin e autentikimit të fotografisë, certifikatë të gjuhës italiane, fotokopje të pasaportës, dy fotografi dhe origjinalen e dëftesës së pjekurisë dhe certifikatën e Maturës Shtetërore.

“Nxënësit e regjistruar në vitin e fundit të shkollës së mesme që do të marrin dëftesën në verën e 2016-s, duhet të paraqesin një fotokopje të palegalizuar të formularit A1, me të cilin janë regjistruar online për provimet e Maturës 2016”, thuhet në njoftimin për shtyp të ambasadës.

Mundësinë për studime të mëtejshme e kanë dhe studentët që dëshirojnë të ndjekin kurset e ciklit të dytë, specializim ose kurs të shkurtuar. Këta të fundit përveç dokumenteve të mësipërme duhet të dorëzojnë edhe diplomën universitare dhe listën e provimeve, si dhe të programeve të detajuara të studimeve.

Duhet pasur kujdes që dokumentet e shkollës së mesme të jenë vulosur në Drejtorinë Arsimore Rajonale dhe në Ministri dhe më pas të dërgohen në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ato duhet të jenë të përkthyera me ndihmën e Institutit Italian të Kulturës apo përkthyesve që mund të gjenden në faqen zyrtare të ambasadës.

1,971 Lexime
8 vjet më parë