Keqpërdorimi

Shqipja e përdorur në rrjete sociale, rasti i Facebook-ut

Për të plotësuar mungesat e një komunikimi verbal (ndryshimi i intonacionit, gjestet etj.), përdoruesit e Facebook-ut shfrytëzojnë mënyra të reja e të larmishme tekstuale, të cilat u mundësojnë që të shprehin ndjesitë e tyre. Një analizë e plotë e rasteve nga prof. asoc. Anila Çepani

Gjuha e përdorur në Facebook dhe në përgjithësi në internet shfaq elemente që janë të ngjashme si me gjuhën e folur, dhe me atë të shkruar, por më shumë vihet re prirja për të ndjekur modelin e gjuhës së folur.


Për të plotësuar mungesat e një komunikimi verbal (ndryshimi i intonacionit, gjestet etj.), përdoruesit e Facebook-ut shfrytëzojnë mënyra të reja e të larmishme tekstuale, të cilat u mundësojnë që të shprehin ndjesitë e tyre (tiparet prozodike të gjuhës së folur - intonacioni, ritmi dhe theksi - me anë të të cilave përdoruesit përcjellin gjendjet e ndryshme emocionale; shenjat e ndryshme të pikësimit; përdorimin e shkronjës së madhe; proceset e ndryshme fjalëformuese, si shkurtimet, shkurtesat, kombinimet e shkronjave dhe numrave, emotikonat etj.; elemente morfosintaksore etj.)


I. Elemente prozodike

Njësitë prozodike theksi, tonet, ritmi, kuantiteti dhe intonacioni formojnë një pjesë integrale të ndërveprimeve tona sociale sepse reflektojnë tipare të ndryshme të folësit dhe të fjalisë, si gjendjen emocionale, praninë e ironisë, sarkazmës, llojet e fjalisë, tipare të cilat nuk vihen në dukje vetëm me zgjedhjen e fjalëve. 

Përdoruesit e Facebook-ut, përveç konvencioneve të mësipërme, përdorin strategji të veçanta, mënyra të reja tekstuale, si: përsëritjen e pikësimit; përsëritjen e fjalëve; zanoreve ose bashkëtingëlloreve; emotikonat; zëvendësimin e fjalëve ose një pjese fjale me simbole të ndryshme ose numra; germat kapitale në mes të fjalëve ose në të gjithë fjalën në mënyrë që të ndërveprojnë midis tyre dhe të përcjellin përjetime të ndryshme emocionale.


Shenja pikësimi të përsëritura

Shenjat e ndryshme të pikësimit, përdoren jo vetëm si shenja gramatikore për ndarjen e fjalive ose pjesëve të një fjalie, por rregullat e përdorimit të tyre janë modifikuar nga përdoruesit për të realizuar nevojat e komunikimit të tyre. 

Me anë të përsëritjes së shenjave të pikësimit, bashkëbiseduesit arrijnë të shprehin elemente të ndryshme prozodike si një mënyrë për të kompensuar mungesën e gjesteve të fytyrës, gjuhën e trupit dhe rrethana të tjera kontekstuale të hasura zakonisht në një bisedë ballë për ballë. Më shpesh ndeshet përsëritja e pikëpyetjes, pikëçuditjes dhe pikës, hera-herës të alternuara me njëra-tjetrën.


Pikëpyetja

Përdorimi i disa pikëpyetjeve rresht shfaq ngulmimin e përdoruesit për të përforcuar pyetjen e tij:

  • Bukur me selfie-n! U kenaqet? Udherrefyesi ne krye te detyres ee.
  • Udherrefyesi ne krye te detyres,por edhe prapavija nuk te ka faj,por embelsiren ku e kini ????


Por në komentin:

  • Po prepotencen , Nga e kuptoi kjo ???? Apo gili vili kjo ...

bashkëbiseduesi përdor 4 pikëpyetje për të shprehur ndjenjën e ironisë dhe disa pika për të treguar vazhdimësinë e ironisë së tij.

Kur biseda bëhet e pakuptueshme, bashkëbiseduesi, në vend të pyetjes me fjalë, zgjedh të vendosë disa pikëpyetje rresht:

  • A te thash qe nuk punon instalusi
  • ??????????
  • lol???

Shpesh përsëritja e pikëpyetjes ose e pikëçuditjes ndeshet për t’i tërhequr vëmendjen bashkëbiseduesit i cili nuk është aktiv në bisedë:

  • Si jeni???
  • o erlaaaaaa?????????

Shpeshherë pikëpyetjet e përsëritura shoqërohen nga pikëçuditje të përsëritura për të përforcuar ndjenjën e habisë, si më poshtë:

  • Kjo esht mace jo qen... Po Te ishte qen do e kisha frik
  • Frik nga qenet????!!!! Nga njerzit do te thuash.

Pikëçuditja 

Zakonisht pikëçuditja përsëritet në rastet e urimeve të ndryshme për të shprehur ndjenjën e kënaqësisë së veçantë ose të habisë:

  • Une vdes per lobimet!!!!
  • Marshalla grupi. Fitore paçi ngahera!!! 
  • I ke te dy si engjej fëmijët. Te pershendes !!!!!!!!!
  • Ua sa mire, edhe ju qenkeni ne Tirane!!! ! Shpresoj te lidhemi ndonje dite e te flasim me gjate. 

por edhe për shfaqur zhgënjimin ose pakënaqësinë e përdoruesit:

  • Degjenerim masiv!!! :) Teksa po e lexoja mu nevrikos pitbulli po i shndrisin dhembet : me duket se po me kerkon adresen .....
  • Po nvend qe tbeja kte I bera reset TE GJITH LAPTOPIT!!!! Se sdu me lujt fare lol


Pika

Shumë shpesh është përdorur pika në formë të përsëritur, për të treguar se përmbajtja e mesazhit vazhdon më tej, ose nuk është e lehtë për t’u shprehur nga bashkëbiseduesi, kështu që ai i lë kohë të mendojë e në të njëjtën kohë kërkon përfshirjen e tij emocionale me anë të përgjigjes në vazhdim:

  • Ca historie....un rash ne tok fillova te bertisja....mir qe ste paska ber lapidar aty ; un kam marr bllokun dhe po mbaj shenime :p
  • Shum e dhimbshme....Eshte tragjedi te humbesh nje njeriun tend te shtrejnt...cdo gje qe ke me te mbeten aty ...je mesuar dhe e ke te veshtir ta pranosh qe ai nuk eshte me ka ikur...me vjen keq 

Sa më i madh numri i shenjave të pikësimit, aq më të forta janë përjetimet e bashkëbiseduesve duke krijuar një stil të veçantë të të shkruarit.


Zanore ose bashkëtingëllore të përsëritura

Një tjetër strategji për shprehjen e gjendjeve të ndryshme emocionale nga përdoruesit e Facebook-ut është përsëritja e zanoreve ose bashkëtingëlloreve për përforcimin e ngarkesës emocionale të fjalëve e për të shprehur qëndrimet emocionale si lumturinë, gëzimin, zhgënjimin, mërzitjen etj. 

  • Saaa bukurrr, nje dite dua tjem ne kto vende
  • Ahahahhahaahhaha besojjjj ja ka vleejtur sado dukeen cmenduri esht bukur kur arrin ne ate qe deshiroon.
  • Keshtu qeee me kembe ne toke se ne ket jettttt gjithckaa te rrin permbi koke dhe vjen nje dite qe ajo gjithckaaa te shembett edhe merr funddd kjo e gjithaa qe kishe.
  • Te rekomandddddddoj nje vizite tek pesa se te ka zen semundja e selfies 

Përdoruesit e Facebook-ut përzgjedhin në mënyrë rastësore zanoren që përsëritin pa e menduar nëse kjo është zanorja e theksuar, ose, përveç bashkëtingëllores së parë, përsëritin edhe bashkëtingëllore në pozicione të tjera të fjalës.

  • Kete micken e logel, sa vjece e ke.. Me duket llastice kjo si vajzat e mia.. Ke dhe djaaaaleee tiiii, pooor vaajzat jaane me te miraaa.
  • Sa bukkkkkkur paska dddddale mojjjjj!!!
  • Me pelqqqqqqen optimizmi yt...me frymezon edhe mua.

Për nga shpeshtësia, më shumë përsëriten zanoret sesa bashkëtingëlloret, sidomos në llojet e ndryshme të përshëndetjeve, urimeve dhe falënderimeve.

  • Te peeershendes pas shuuuuume vitesh..
  • Eee daaashuur po kuuu jeee..
  • Shuuumë urime për botimin e libriiiiit!
  • Shuuume nostalgji kaaam
  • Rrooofsh e daaaashur.


Germa kapitale

Përdorimi i disa fjalëve me germa të mëdha ose ndonjëherë i gjithë mesazhi është një zgjedhje e bashkëbiseduesve për të vënë në pah atë që duan të theksojnë më tepër dhe për të rritur gjendje emocionale të tilla si gëzim, kënaqësi, neveri, frikë etj.

  • Pamje mbresëlënëse e DASHURISË dhe PËRKUJDESJES së vëllait për motrën e vet të vogël, por edhe shumë të dashur!
  • Nje foto shume e bukur kur keni marre titullin PRINDER me djalin bukurosh se e kam pik te dobet.
  • KOMISIONI me i mire dhe shume korekt. Ju falenderojme per punen tuaj.
  • ME JETE TE GJATE, TE JETE E LUMTUR DHE T'JU BEJE TE LUMTUR!
  • ESHTE SI ENGJELL TE KETE JETEN E GJATE!

Germat e mëdha ndeshen në pozicione të ndryshme të thënies në varësi të vendndodhjes së fjalës që mbart kuptimin e thënies së bashkëbiseduesit.


Pasthirrma emocionale

Pasthirrmat emocionale që shprehin ndijime, ndjenja a vullnetin e folësit përdoren dendur në mesazhet e Facebook-ut. Pasthirrmat jo të mirëfillta përdoren shpeshherë me tingujt fundorë të përsëritur (dreqqqqq, faleminderiiiiiit, mirupafshiiiiim, qyqjaaaa).

  • Hahahaah sa sy lesh jan gazetaret moreee
  • Aaa sa bukur aaa mashallah :)
  • hahaaa te e premtja calon puna :p te përqaputh o zemër.
  • Uaaaa sa bukur.....dhe ky modeli i flokëve, që i shkoka kaq shumë
  • Oboboooo, keto kafshet... sa na pelqejne :)

Disa nga pasthirrmat e ndeshura në mesazhe, një pjesë prej të cilave me variante të ndryshme duke përsëritur elementet përbërëse të tyre janë: aaa, aaaah, aahhh, ahaha, ahahahah, ahh, ahhahahaa, aiii, allah, aman, amannnnn, apapaaaa, bahh, bobooo, bohhhh, boooh, braaaaaavo, bubu, eeeeee, eeeeeh, eeehhhh, eehhh, ëhhë, ehhhh, ehu, ehuuu, epoooo, gaga, haaa, hahaaa, hahah, hahahaah, hahahah, hahha, hahhahah, heeeeee, heyyyy, hihihi, hola la, iiiiiiiiiiiii, marshalla, miiiiiiiiiii, moooj, moooo, moreee, mwahahh, ncncnc, oboboooo, ohuu, ooooo, oreee, ouu, pahh, pfff, pupupu, te falaaaa, të lumtë, uaaa, uaauaaa, uauuuuu, ububu, uee, uffff , uheee, uhhh, uou, uuu, uuuuuuuuu, waa, wauuu, wehhh, wow, wowowowow, wuuuu , wwwwaaaaaawwwww, xaxa, xaxaxaxa , yeahhhhh, yyyy etj. 


Përdoruesit shpesh nuk bëjnë diferencim, por përdorin të njëjtën pasthirrmë për ndjesi të ndryshme. 

Çdo gjuhë ka në përbërjen e saj pasthirrma që kuptohen e përdoren prej të gjithëve, por në komente e postime vihet re që nuk huazohen vetëm fjalët nga gjuhët e tjera, por edhe pasthirrmat, si në shembujt: 

  • Wowowowow goca sa bukur...:)))
  • xaxaxaxa ca thu mi ...mallengjoke veten
  • Wehhh si neper filmaa qfar dashuriee 
  • Ke të drejtë bejbi, yeahhhhh
  • Sa mama e zonja, paske arritur ta vesh ne krevat, braaaaaavo
  • uauuuuu, sa bukur paske dale dreq:)))
  • Wuuuu moj e kozmait po ne ty te kemi si cupen ton....
  • wwwwaaaaaawwwww, lere qenin moj vajzë por shiko rrugën ku kalon


II. Elemente takografike (tachography) dhe morfosintaksore

 

Elemente takografike

Elementet takografike (arti i të shkruarit shpejt) janë përdorur gjerësisht dhe janë zhvilluar edhe më tej duke i kombinuar edhe me simbole dhe shenja grafike konvencionale në vend të fjalëve përkatëse. 


Emotikona

Funksioni i emotikonave ose të quajtura ndryshe ‘smileys’ është mënjanimi i paqartësisë duke kombinuar shenja të ndryshme pikësimi me karaktere dhe shifra për të krijuar imazhe të fytyrës që shprehin ndjenja të larmishme si lumturi, trishtim, habi, frikë e shumë të tjera. 


Efekti i tyre është i menjëhershëm sepse e shprehin qartë ndjesinë e bashkëbiseduesit, p.sh. nëse ai është i gëzuar, përdorimi i emotikonës  e përcjell drejtpërdrejt gëzimin te tjetri. Disa emotikona që shprehin gëzim, frikë, zemërim kanë frekuencë përdorimi më të madhe sesa emotikonat e tjera që janë të shumta në numër. 


Logograme

Logogramet - Përdorimi i simboleve ose germave të vetmuara për të përfaqësuar fjalën apo një pjesë të saj kur emërtimi i një simboli tingëllon ngjashëm me një rrokje të fjalës.

x (për ose puthje), vër8 (vërtetë), me1herë (menjëherë), l8er (later ‘më vonë’), b4 ( before ‘para’) 

Ndër simbolet që përdoren për të zëvendësuar një ose më shumë rrokje janë &, @ dhe disa numra, shqiptimi i të cilëve përkon me ndonjë fjalë ose pjesë fjale.

As1herë nuk i dihet udhëtimit & (dhe) ndaj ndihem 5imist (pesimist) x orarin e kthimit.

Artis Agjenci Kre@ive (Kreative). Ne kemi hapur 1 (një) aktivi8 (aktivitet) organizim festash, ku perfshijme, dekorin e festes (ditelindje etj), pikturojme fytyr@ (fytyrat) e femijeve, ofrojme biskot@ (biskotat) si & (dhe) tort@(tortat) pastel.

Pse nuk i 3gove (tregove) te gjitha postimet, apo kishe 2shime.

Me ekuacion e zgjidha edhe une, por ... duhet t'u për7emi (përshtatemi) të vegjëlve.

E paske qare, moj vajzë, mjesh3 (mjeshtre) e vertete. Ta hani gezuar & (dhe) qofte viti i mbare me te gjithe te mirat!



Emërtime të shkurtuara

Dukuria e emërtimeve të shkurtuara (shkurtimet, shkurtesat ose akronimet) nuk është një proces i ri që lidhet me gjuhën e internetit në ditët e sotme, por ato janë përdorur në gjuhë prej kohësh dhe janë trajtuar si një mënyrë fjalëformimi, ndonëse më pak prodhimtare.


Shkurtime

Përveç shkurtimeve tradicionale që janë të larmishme dhe që ndeshen gjerësisht në tekste të ndryshme, si: km «kilometër», d.m.th. «domethënë», p.sh. «për shembull» etj. në postime dhe në komente bashkëbiseduesit përdorin shumë shkurtime të reja duke i reduktuar fjalët në fillim, në mes ose në fund të tyre, por shumë më e përhapur është metoda e largimit të të gjitha zanoreve përbërëse dhe pavarësisht kësaj ato mbeten të kuptueshme nga bashkëbiseduesi.


Të rinjtë shkurtojnë natyrshëm emrat e lëndëve të tyre ose procese që lidhen me mësimin, si: let për letërsi, mat = matematikë, bio = biologji, tekno = teknologji, leks = leksion, sem = seminar, por kjo është një praktikë e njohur edhe më parë gjatë mbajtjes shënim të leksioneve ku gjenin vend mënyra të ndryshme të shkurtimit të fjalëve, duke përfshirë edhe gjuhë të tjera ku ajo fjalë ishte e shkurtër. 

Lista e fjalëve të shkurtuara me heqjen e zanoreve dhe të ndonjë bashkëtingëlloreje është shumë e gjerë. Më poshtë po rendisim të gjithë këta shembuj, ku vihet re se në disa raste për të njëjtën fjalë ka shkurtime të ndryshme (mirëmbrëma = mbr, mrb, mrbr, mrbrm; megjithëse = mgjs, mgjse, mgjths; bukur = bukr, bkr): 

akm = akoma, aplkm = aplikim, argmnt = argumenteve, ath = atehere, bukr, bkr = bukur, bzqsh = buzeqesh, çkm = çkemi, cpb = ç’po bën, dmsd = domosdoshme, dmth = domenthënë, dprsn = depressioni, dprtm = departamenti, drg = dërgoj, drz = dorëzoj, dt = datë, dtl = ditëlindje, fb, fcb = facebook, fix = fiksoj, flm = faleminderit, fts = ftesë, funks. = funksionojë, gjthç = gjithçka, gjthsht = gjithashtu, gr = grupi, km = kam, kmpjt, komp = kompjutër, kpt = kupton, krk = kerkon, ktl = kokëtul, lzt = lezetshëm, mbr, mrb, mrbr, mrbrm = mirëmbrëma, mgjes, mgj, mrmngjs = mirëmëngjes, mgjs, mgjse, mgjths = megjithëse, mgjt, mgjtht = megjithatë, mhb = muhabetin, mnjher = menjëhërë, mqs, mqse = meqenëse, mrd = mirëdita, mrrshvj = marreveshjet, mrz = merzitur, mszh = mesazh, ndrsht = ndershmërisht, ndsh = ndoshta, njs = nejse, njs = njësh, nj-tj = njera- tjetri, nk = nuk, nrm = normale, nsr = nesër, ntn = natën, pacim, pcm = mirpafshim, plq = pëlqen, pqf = përqafim, prb, prbl = problem, prdt = paradite, përditë, prfks = perfeksioni, prgjthsh = pegjithshme, probl, prbl = problem, prp = prapë, prs = përse, përsëri, prsh, persh = përshëndetje, prv = provoj, psh = për shembull, pst = pastaj, rrfsh = rrofsh, rsp = respekte, sdq = sidoqoftë, sh, shm = shumë, shkr = shkruaj, shkrsht = shkurtimisht, shnt, shnet = shëndet, shtrnj = shtrenjtë, srz, serz = seriozisht, sts = status, thm = them, tjt = tjetër, trz = terezi, txt = tekst, vrt = vërtetë, vtm = vetëm, zbkr = zbukuroj, zmr = zemër.


Shkurtesa ose akronime

   Akronim - bashkimi i shkronjave ose tingujve nistorë të fjalëve që janë pjesë e emërtimit të organizatave, shoqatave, ndërmarrjeve, institucioneve etj. si, ATSH (Agjencia Telegrafike Shqiptare) etj.

Në gjuhën e komunikimit në internet koncepti i shkurtesave merr një zhvillim të ri, pasi nuk shkurtohen vetëm emërtimet e ndryshme, por edhe shprehje e fjali të zakonshme duke i rrudhur ato në 3-4 bashkëtingëllore. Germat, ndonjëherë të kombinuara me simbole dhe shenja të ndryshme, shkruhen së bashku, pa hapësirë, pavarësisht se janë tregues i një fjale apo nyje të veçantë. 

Shpesh dialogë të tillë si:

  • Ckb. 
  • Hic & un anej njug nca ishuj e pst prp nsr mpelq tiki nfshat prz
  • Na mrz me kto gjona nuk e kpt se scl ka jeten e tij dhe nuk na intereson sh. 

janë të kuptueshëm vetëm kur je në brendi të bisedës ose të duhet kohë ta deshifrosh. 

Për shprehjen e urimeve ose ndjenjave të ndryshme përdoren vetëm germat e para dhe tashmë shkurtesa të tilla si, tdsh, tkshxh, tkz, klb, klm janë bërë klishe dhe gjenden kudo nëpër biseda të ndryshme. Pavarësisht se i takojnë gjuhës së shkruar, ndonjë prej këtyre shkurtesave është bërë pjesë e komunikimit të përditshëm, jashtë kufijve virtualë nga të rinjtë, por jo vetëm (klb, klm, flm).


amkpt = a më kuptove; ckb = çfarë ke bërë, ç’ke bërë; ckm = ç’kemi; çpb = çfarë po bën; dd = dy dashuri; gz dtl=gëzuar ditëlindjen; klb=kalofsh bukur; klm = kalofsh mirë; klsmm = kalofsh sa më mirë; mmsh =më mungon shumë; nqs = në qoftë se; ntrz = në terezi; përqafort =të përqafoj fort; prz, pz = për zotin; puç, puq= të puth; qkam = që kam; skgj = s’ka gjë; spk =si po kalon; sps = s’ka për se; tdsh = të dua shumë; tfs = të fala satëme; tkshxh = të kam shumë xhan; tkxh=të kam xhan; tkz = të kam zemër; tlt = të lutem; tltsh = të lutem shumë; tmsu = duke mësuar (tuj msu); tpf =të puth fort; tplq = të pëlqen; tpys = të pyes;  tvij=të vij etj.


Elemente morfosintaksore

Për t’iu përshtatur kontekstit të komunikimit online, bashkëbiseduesit përdorin një gjuhë ku vihet re prirja për reduktimin e formave të fjalëve, thjeshtimin e strukturave, përdorimin e fjalive të shkurtra e të paplota, madje pjesët e fjalive të përbëra ndahen në fjali të shkurtra pavarësisht se janë të varura nga njëra-tjetra, shmangien nga rendi i drejtë i gjymtyrëve në fjali. 

Në disa struktura komplekse lihen jashtë elemente përbërëse të saj, të tilla si nyja dhe fjalë të tjera funksionale ose bëhen njësh me fjalët pasardhëse të cilat shkurtohen gjithashtu duke i hequr zanoret (mfal = më fal, mkan = më kanë, nkimi = në kimi, nkrs = në kurs, nmuaj = në muaj, nshkoll=në shkollë, tbjm = të bëjmë, tbkr = të bukur, tduhet = të duhet, tfala = të fala, tikim=të ikim, tkalume = të kalume, tlagjes = të lagjes, tndihmoft = të ndihmoftë, ttjerat = të tjerat, tvecant = të veçantë etj.):

- Cpb?

- Hahahaahahha shkoj pr tmsu. Po nkls shum tmir, normaleeee

- Stkm morr vesh asi llaf, klb


Fjalitë të përbëra ndeshen shumë rrallë, ato copëzohen në pjesët e tyre përbërëse si fjali të thjeshta:

Sakrifikojme per ju ne. Qe tju kenaqim me shume. Por perseri sna e vleresoni sakkrificen.


Kjo bëhet qëllimisht, pasi fjalitë e gjata me më shumë se dy rreshta janë të lodhshme dhe komunikimi bëhet i bezdisshëm për bashkëbiseduesin. 


Elipsa

Shumë e zakonshme është dukuria e elipsës ku heqja e një gjymtyre ose e më shumë gjymtyrëve të nënkuptueshme në një fjali nuk e vështirëson kuptimin dhe mendimi shprehet sa më shkurt. 

-Lol, cpb? E bëtë prv e informatikës

E bëmë

-A kishte pyetje të vështira

-po. bomb fare

-Isha andej nga Tegu sot.

-E more ...

-Llaf është ai, ptj.


Interesante është elipsa e sintagmës foljore që haset jo vetëm në dialogët në dhomat e bisedave, por edhe në postime e komente të ndryshme. 

  • Rrofsh zemër! Edhe ti si drita të dy!
  • Kujtime te paharrueshme e mbreselenese per nje familje te lumtur.
  • Kur të mundesh nja dy foto nga libri i gramatikës së vajzës 

 



Nga Prof. asoc. Anila Çepani

Marrë nga gjuhashqipe.com 


Publikim N.Allkja Biçaku 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.


4,374 Lexime
3 vjet më parë