Rekomandime

Seria “Krijime për fëmijë”, ju sjell më pranë me veprat e rilindësve shqiptarë

Seria “Krijime për fëmijë”, botuar nga Albas, përbëhet nga tre libra: “Stinët e motmotit”,“Zemra fluturake”dhe “Fillo me gëzue”. Kjo seri librash është përgatitur nga Pandeli Koçi dhe ka si qëllim që t’ua sjellë më pranë fëmijëve (mbi 9 vjeç) krijimet e rilindësve shqiptarë.

Seria “Krijime për fëmijë”, botuar nga Albas, përbëhet nga tre libra: “Stinët e motmotit”,“Zemra fluturake”dhe “Fillo me gëzue”. Kjo seri librash është përgatitur nga Pandeli Koçi dhe ka si qëllim që t’ua sjellë më pranë fëmijëve (mbi 9 vjeç) krijimet e rilindësve shqiptarë. Dhe qëllimi nuk është vetëm që fëmijët të njihen më tepër me këto krijime, por edhe për t’ua bërë atyre më të dashura. 



Në librin “Stinët e motmotit”, nëpërmjet një parathënieje të shkurtër fëmijët rikujtojnë se Luigj Gurakuqi ka qenë një luftëtar i shquar për lirinë dhe përparimin e kombit tonë, por edhe poet e përkthyes. Ky libër përmbledh disa nga vjershat dhe prozat që ai i ka shkruar me shumë përkushtim për nxënësit e vegjël. Në to i këndohet me dashuri natyrës, stinëve të vitit, përshkruhen me detaje pemët, zogjtë, lulet, bora, shtrëngatat, por edhe fati i të varfërve. Në disa vjersha ai nuk harron të japë këshilla për nxënësit, që të jenë të gatshëm të shkojnë në shkollë, të dëgjojnë me nderim prindërit e mësuesit, të mos i heqin librat nga duart edhe gjatë pushimeve. Nuk mungojnë edhe vjershat ku goditen veset që shfaqen te ndonjë fëmijë.

Prozat e shkurtra që janë përzgjedhur për t’u përfshirë në këtë botim janë pjesë e rrëfimeve popullore. Në to u mësohet fëmijëve të nderojnë të rriturit, të duan e të ndihmojnë njëri-tjetrin, të jenë zemërmirë e të sjellshëm, të duan edhe kafshët e shpendët që janë pjesë e natyrës dhe e jetës sonë. 

Krijimet në këtë libër janë në dialektin gegë, pasi është ruajtur teksti origjinal i shkrimtarit. Janë shpjeguar disa fjalë për ta bërë më të qartë kuptimin për fëmijët e sotëm.



Libri “Zemra fluturake”, i dyti i kësaj serie është një përmbledhje e vjershave të Naim Frashërit, të përzgjedhura me kujdes nga shkrimtari Pandeli Koçi. Nëpërmjet parathënies ata rikujtojnë se Naimi është rilindësi i cili i ka kënduar me shumë dashuri Atdheut. Nga prindërit dhe gjyshërit fëmijët kanë dëgjuar që të vegjël për vargjet e Naimit. Më pas, në shkollë, ata kanë mësuar më tepër, madje i kanë mësuar përmendësh disa nga vjershat e tij. Mesazhet që përcjellin poezitë e përzgjedhura në këtë libër, nxisin dashurinë për dijen, për shkollën, për të të rriturit. 

Poezitë në këtë libër janë përzgjedhur nga veprat e Naimit: “Lulet e verës”, “Bagëti e bujqësia”, “Vjersha për mësonjëtoret e para”, “Histori e Skënderbeut”. 



Në librin “Fillo me gëzue”, fëmijët rikujtojnë se Ndre Mjeda, është një nga poetët më të rëndësishëm të Rilindjes sonë Kombëtare. Ai ka shkruar mjaft vepra, por asnjëherë nuk harroi të shkruajë e të botojë edhe për të vegjlit.

Poezia e Mjedës ka një karakter edukativ, me vargje që rrezatojnë mirësi e dashuri.

Vjershat: “Dashtnija ndaj prinden”, “Nana me buzë në gaz”, “Ditën e emnit të nanës” e “Shpisë sime” janë shprehje e pastër e dashurisë dhe e nderimit që kanë fëmijët për nënën. Por po aq nderim sa për prindërit, fëmijët duhet të kenë edhe për mësuesit.

Disa fjalë e shprehje në këtë libër janë në dialektin gegë. Edhe pse sot ato nuk përdoren, janë lënë siç kanë qenë në origjinal, që fëmijët të njihen me ngjyrimin e gjuhës së këtij poeti të dashur për ta. 


Kjo seri është mjaft e dobishme për fëmijët, nxënësit dhe mësuesit.



Përgatiti: Artemisa Bushi (redaktore e tre librave) 


 © Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,697 Lexime
2 vjet më parë