Roli i psikologut shkollor, detyrat dhe përgjegjësitë
Ky shkrim qartëson detyrën e psikologut shkollor si një shërbim që ndodhet kaq pranë nevojave të fëmijëve, dhe mbi të gjitha promovon cilësinë me të cilin do të duhet të vijë ky shërbim.
Psikologjia shkollore nuk mund të definohet aq lehtë, sepse ajo është një disiplinë që shfrytëzon njohuri dhe metoda të veçanta. Psikologu shkollor duhet të njohë mirë fushat e motivimit, këshillimit, psikologjinë e të mësuarit, psikologjinë klinike etj. Shpeshherë parashtrohen pyetjet nga stafi pedagogjik, prindërit por dhe nxënësit: Çfarë është psikologu i shkollës? Cila është detyra e psikologut në shkollë? Merret vetëm me psikologjinë e nxënësve apo edhe të mësimdhënësit? Psikologu i shkollës luan një rol të rëndësishëm në krijimin e një mjedisi të sigurtë dhe të shëndetshëm nga ana psikologjike, jo vetëm për nxënësit, por edhe për mësimdhënësit, ndaj mund të punojë si pjesë e një ekipi që përfshin mësuesit dhe punonjësin social. Psikologët nëpër shkolla ofrojnë konsultime për të ndihmuar nxënësit në aspektin e sjelljes dhe mësimit. Këshillat dhe ofrimi i shërbimeve nga ana e psikologut shkollor duhet të bëhet në mënyrë të përshtatshme për nxënësit, sidomos në raste shumë të ndjeshme dhe specifike, duke respektuar Kodin e Etikës dhe Deontologjisë.
Psikologët e shkollave ndihmojnë në krijimin e shkollave të sigurta dhe ambienteve pozitive, të cilat ndihmojnë në të mësuarit dhe sjelljen e nxënësve. Dhuna kundrejt fëmijëve përfshin sjellje të ndryshme që mund të dëmtojnë dikë fizikisht dhe emocionalisht. Dhuna në shkollë mund të ndodhë brenda ose jashtë territorit të shkollave, pra është një sjellje e paparashikueshme por e menaxhueshme.
Bullizmi (ngacmime), kërcënime verbale, grindje fizike në çdo nivel dhe sulme me armë të ftohta, përdorimi i lëndëve narkotike fatkeqësisht janë bërë pjesë e mjedisit shkollor dhe roli i psikologut shkollor në të tilla raste konsiston në ofrimin e këshillimit dhe mbështetjes emocionale tek nxënësit, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë.
Psikologu i shkollës ndërhyn për të promovuar një mjedis mësimi që është i sigurt dhe gjithëpërfshirës. Psikologu i shkollës luan një rol në forcimin e partneriteteve mes prindërve, shkollave dhe gjithë komunitetit. Psikologu i shkollës pritet të shërbejë si ndërlidhës midis familjeve dhe shkollës si dhe midis shkollës dhe komunitetit. Psikologu shkollor realizon gjetjen e vështirësive për të mësuar (strategjia e të mësuarit) programet për vetëbesimin, sigurinë, zhvillimet kreative, mësimet e teknikave sociale etj. Këto programe i dedikohen të gjithë nxënëseve në shkolla posacërisht atyre të bashkësive në rrezik. Të gjitha këto ndikojnë në rritjen dhe zhvillimin e potencialeve aktive të nxënësëve për një zhvillim më të mirë mësimor dhe edukativ. Qëllimi tjetër është që të ndihmohen nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit që të zhvillojnë potencialet e tyre dhe të kenë shëndet të mirë mendor. Psikologu njihet me dukuritë dhe rastet psikologjike, vëzhgon, përcjell, anketon, vlerëson, ndërhyn, këshillon, ofron shembuj të ndryshëm dhe propozon alternativa.
Misioni i psikologut është lehtësues i nxënësit në procesin e të mësuarit, kalimin e gjendjeve dhe situatave psikoemocinale, në ndihmën për tejkalimin e frikës, ankthit dhe pasigurisë tek nxënësit në situata e momente të caktuara. Psikologu shkollor fokusohet në promovimin dhe zhvillimin mendor e fizik të nxënësve si dhe në ndihmesën dhe mbështetjen që jep për rritjen e cilësisë së procesit të mësimnxënies dhe mësimdhënies.
Se sa i rëndësishëm është zhvillimi mendor e fizik i nxënësve, rritja e cilësisë së procesit të mësimnxënies dhe mësimdhënies, nuk do analizë nga fakti se këto janë “ekzistenca dhe jeta e një shkolle”. Psikologu i shkollës, këshillimin e realizon përmes mbledhjeve me anëtarët e stafit e mësimdhënësve të shkollës dhe komunitetit të prindërve për të identifikuar dhe parandaluar probleme të ndryshme si dhe për të programuar ndërhyrje dhe shërbime të nevojshme.
Të gjitha këto mund të arrihen në bashkëpunim me personelin administrativ dhe pedagogjik të shkollës, shërbime këto që lidhen me vlerësimin e rezultateve të nxënësve, me orientimin e karrierës dhe me zhvillimin social dhe personal të nxënësve, nëpërmjet:
- Sigurimit të shërbimeve të drejtpërdrejta për fëmijët dhe nxënësit në nevojë.
- Vlerësimit dhe interpretimit të rezultateve të nxënësve, të stafit pedagogjik të shkollës dhe të prindërve.
- Shërbimeve këshillimore dhe trajnuese për stafin e shkollës dhe prindërit.
- Konceptimit dhe realizimit të shërbimit psikologjik në përputhje me politikat e zhvillimit të arsimit pasuniversitar dhe të institucionit arsimor.
Shërbimi psikologjik ua lehtëson punën nxënësve, ndihmon ta njohin, kuptojnë dhe pranojnë veten, dinjitetin e tyre, duke i orientuar në shfrytëzimin e mundësive për përparimin e vazhdueshëm në shkollë. Nxënësit flasin me psikologun për problemet, sfidat dhe vështirësitë në mësimnxënie, si dhe problemet e tjera emocionale, sociale, familjare etj.
Përshkrimi i mësipërm, qartëson detyrën e psikologut shkollor si një shërbim që ndodhet kaq pranë nevojave të fëmijëve, dhe mbi të gjitha promovon cilësinë me të cilin do të duhet të vijë ky shërbim.
Bashkëpunimi midis aktorëve mësues, psikolog, punonjës social dhe prind, është thelbësor, harmonia e së cilës arrihet me vullnetin e mirë dhe mbështetjen e sistemit të edukimit që aderon një shoqëri më të mire.
Nga MSc Orgesa Qosja, psikologe në shkollën “Sule Harri”
Publikim Parajsa Shtini
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Siguria në arsim, baza për një të ardhme të qëndrueshme
Përditësimi i kurrikulave, sugjerime nga eksperti i arsimit Fiqiri Çifliku
Siguria në shkolla dhe vendimi për TikTok: Masa të nevojshme apo të tepruara?