Reforma e Arsimit të Lartë

Reforma e arsimit të lartë, konferencën dy ditore

Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me Ambasadën Britanike në Tiranë dhe British Council, organizuan konferencën dy ditore mbi reformën e arsimit të lartë në Shqipëri

Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me Ambasadën Britanike në Tiranë dhe British Council, organizuan konferencën dy ditore mbi reformën e arsimit të lartë në Shqipëri, e cila ka për qëllim të prezantojë eksperiencën e skemës së financimit dhe të shërbimeve universitare sipas modelit britanik të arsimit të lartë.

Duke falënderuar ambasadorin e Britanisë së Madhe, Nicholas Cannon, ekspertët e huaj si dhe përfaqësuesit e institucioneve të arsimit të lartë, të pranishëm në konferencë, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla tha se plani për miratimin e akteve nënligjoretë Ligjit të Arsimit të Lartë është duke ecur me ritme të shpejta.

“Padyshim është një moment i veçantë pasi po vazhdojmë në të njëjtën cilësi, mënyrë me të cilën ngjizëm Ligjin e ri të Arsimit të Lartë, duke ndarë me ju këndvështrimee diskutuar çdo akt të Ministrisë së Arsimit, të vendosur për të ecur në këtë rrugë edhe në ndërtimin e akteve nënligjore të Ligjit të Arsimit të Lartë”, tha Nikolla.

Ministrja duke falënderuar në mënyrë të veçantë ambasadorin Cannon tha se dje dhe sot kanë qenë dy ditë të rëndësishme dhe intensive pune, jo vetëm për të përshfaqur se çfarë do të jetë sistemi i ri i financimit për arsimin e lartë në vend, por për të mundësuar një mision të përbashkët, për të mundësuar një produkt të përbashkët.

“Është shumë e rëndësishme që ne të dëgjojmë ekspertët që vijnë nga agjencia homologe, që vepron në Britaninë e Madhe. Do të jetë një financim që krahas vendimmarrjes së qeverisë shqiptare për të rritur financimin për arsimine lartë dhe kërkimin shkencor përmes Agjencisë së Financimit të Arsimit të Lartë, do të sigurohet që ky financimi do të shkojë aty ku cilësia është më e mirë, për të mbrojtur studentët dhe për të financuar studentët që vijnë nga familje me nivel të ulët ekonomik”, tha Nikolla.

Gjatë fjalës së saj ministrja tha se dje dhe sot keni parë se cila është përvoja, si është qasja e kësaj përvoje në kushtet e Shqipërisë duke qenë të vendosur për të mos bërë eksperimente por të sjellim një model të mirë përshtatur.

“Roli i Arsimit të Lartë është baza për ta kthyer mundësinë e çdo studenti që studion në Institucionet tona të Arsimit të Lartë, publik apo privat, të krahasueshëm dhe të barasvlershëm për nga vlera dhe rëndësia e diplomës me bashkëmoshatarët e tij në çdo vend tjetër të Bashkimit Evropian.”- thaministrja.

Ministrja shtoi se kjo konferencë do të sjell një ndarje pune dhe zhvillim të përgjegjësive, jo vetëm për përfundimin e akteve nënligjore, por për të vijuar me një përgatitje të mirë të burimeve njerëzore, të trupës akademike në Institucionet e Arsimit të Lartë në mënyrë që skena e re e financimit të ketë pritshmërinë e duhur.

I pranishme në këtë konferencë ishte edhe Ambasadori i UK në Shqipëri, Nicholas Cannon i cili  vlerësoi zhvillimin e kësaj konference.

Duke e cilësuar reformën në arsimin e lartë si një histori suksesi të kësaj qeverie, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Nicholas Cannon, siguroi se qeveria britanike do të ketë një mbështetje të vazhdueshme në proceset e mëtejshme që kanë të bëjnë me zhvillimin e cilësisë në institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri;

"Jam mirënjohës që m’u dha mundësia të them disa fjalë në mbështetje të reformës së arsimit të lartë. Për mua kjo është një nga historitë e suksesit të kësaj qeverie, që ka potencial të nxisë suksese të mëtejshme. Reforma e arsimit të lartë, së bashku me arsimin profesional i përgjigjen nevojave ekonomike të vendit dhe kërkesave të publikut. Ne duam të shohim një “model shqiptar” të reflektojë nevojat e vendit. Por ne besojmë se ekspertiza dhe përvoja jonë mund të jenë të vlefshme në procesin e reformave. Dua t’ju siguroj mbi mbështetjen tonë të vazhdueshme teksa e çoni përpara këtë process”- tha Ambasadori Cannon.

1,827 Lexime
8 vjet më parë