Promovohen librat për fëmijë të Bedri Dedjes, ndër ta edhe romani "I fundit i Kastriotëve"
Në Panairit e 24-t të Librit u promovua seria e librave të rinj për fëmijë nga Albas të autorit Bedri Dedja. Bëhet fjalë për librat me titujt “Kacimicrri rreth Globit”, “Alarmet e Qytetit Sdikuisht”, “Si katër çiliminj u bënë biznesmenë“ si dhe romanin e botuar për herë të parë, “I fundmi i Kastriotëve“.
Lexuesit e vegjël tashmë kanë mundësinë të kenë në duar romanet “Kacimicrri rreth Globit“, “Alarmet e Qytetit Sdikuisht“, “Si katër çiliminj u bënë biznesmenë” si dhe romanin e botuar për herë të parë, “I fundmi i Kastriotëve”, në një edicion të ri, përgatitur me një frymëmarrje bashkëkohore nga botimet ALBAS. Po ashtu, do të keni mundësi t’u riktheheni edhe titujve të njohur si “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit“, “Një udhëtim i rrezikshëm“ dhe “Presidenti i Planetit të Kuq“, ribotuar po me kaq mjeshtëri nga ALBAS, që së shpejti do të publikojë kolanën e plotë të veprës së shkrimtarit Bedri Dedja.
Në këtë Panair të 24-t të Librit, më 20 nëntor, që përkoi me ditën e lindjes së klasikut për fëmijë Bedri Dedja, u promovua serisa e botimeve të këtij autori në sallën ovale të Pallatit të Kongreseve. I pranishëm edhe stërnipi i Skënderbeut, Alessandro Castriota, që ka bërë parathënien e librit "I fundmi i Kastriotëve" të B. Dedjes; si dhe vajza e autorit, Edlira Dedja, e cila përkujdeset për librat e tij.
“I fundmi i Kastriotëve” është një roman i nisur prej Andon Frashrit dhe i përfunduar nga shkrimtari Bedri Dedja. Ky libër hedh dritë mbi një ngjarje tragjike të Shqipërisë, e cila njihet shumë pak nga lexuesit shqiptar. Romani pasqyron jetën e Gjon Kastriotit, djalit të heroit kombëtar, në një vepër të përshtatur për fëmijë.
Duke i dhënë edhe një herë frymë veprave të Bedri Dedes, shkrimtarin do ta kemi përsëri midis nesh, me përshkrimet e tij mjeshtërore të botës së bukur fëmijënore, me ndjenjat, shqetësimet, ëndrrat, lodrat dhe skenat e gjalla të jetës së tyre, për të vendosur një lidhje të re afektive midis brezave. Ai do të hyjë përsëri në zemër të botës së fëmijëve të sotëm, duke hapur dritare të reja drejt dijes dhe duke i drejtuar përsëri krahët e fantazisë së tyre për fluturime të guximshme drejt hapësirave të panjohura.
Për dekada të tëra e për breza të shumtë fëmijësh shqiptarë, brënda e jashtë kufijve të Shqipërisë, veprat e Bedri Dedjes kanë ushqyer dhe edukuar me ndjenjën e dashurisë, me frymën e atdhetarizmit dhe bukurisë artistike të gjuhës shqipe mijëra e mijëra lexues të vegjël. Si njohës i hollë i kërkesave të moshave të vogla, psikologu dhe pedagogu Bedri Dedja nënvizonte se forca e letësisë është e pallogaritshme në arsimimin, në edukimin dhe në formimin e njerëzve. Përralla, thoshte ai, është “shkolla“, “auditori“, “universiteti i parë“, në të cilin foshnja merr arsim dhe edukatë dhe kalitet në nuhatjen morale. Njësoj si farka e farkëtarit, përralla i jep formë të menduarit dhe arsyetimit dialektik të foshnjes, gjallëron të folurit e tij. Dhe ashtu si përralla, ndikon e gjithë letërsia. Duke ndihmuar në zhvillimin e të menduarit dhe të të folurit, ajo çon përpara dy ndër treguesit kryesorë të zhvillimit të intelektit.
"Bedri Dedjen nuk e kemi më midis nesh, shkruan shkrimtari Viron Kona, por e ndjejmë përherë pranë, nëpërmjet librave të tij të mrekullueshëm. Ndodh si me yjet, që ndonëse ndodhen miliarda kilometra larg nesh, edhe kur shuhen, vazhdojnë të na dërgojnë dritën e tyre”-tha në mbyllje të promovimit vajza e tij, Edlira Dedja.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Albas pjesë e trajnimit në Athinë me temë “Metodat e mësimdhënies në kushtet e dygjuhësisë”
SKEMA PËR LETËRSINË DHE GJUHËN SHQIPE – në ndihmë të maturantëve
Nxënësit njihen me procesin e shtypjes së një libri