Përparësitë e tekstit "Qytetaria 3" Shtëpia botuese “Albas”
Teksti QYTETARIA 3, është hartuar në përputhje me programin e miratuar nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit. I konceptuar me një metodologji bashkëkohore dhe i trajtuar me harmonizimin e elementeve të fjalës, ngjyrës, konceptit, metodës...
Përparësitë e tekstit
"Qytetaria 3"
Shtëpia botuese “Albas”
(tekst për nxënësin, fletë punë, libri i digjitalizuar dhe libri i mësuesit)
Teksti QYTETARIA 3, i hartuar në përputhje me programin e miratuar nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit, mund të emërtohet si një tekstet më të mira në radhën e teksteve të shtëpisë botuese “Albas”. I konceptuar me një metodologji bashkëkohore dhe i trajtuar me harmonizimin e elementeve të fjalës, ngjyrës, konceptit, metodës, teksti rri në avangardë të mendimit shkencor e pedagogjik. Më poshtë do të rendisim disa nga përparësitë që ky tekst, “Qytetaria 3” (2017), sjell krahasuar me botimet simotra vitet e mëparshme nga shtëpia botuese “Albas”.
1- Përmbajtja e tekstit. Ky tekst synon zbërthimin sa më mirë të tematikave të programit: “Kultura”, “Individët, grupet, shoqëria”, “Shërbimet në komunitet”, “Rregullat në rrugë, shkollë, park dhe rrugë”, si dhe “Qyteti ynë” dhe i jep mundësi nxënësit të krijojë koncepte, të zhvillojë njohuri, shkathtësi, si dhe të shfaqë qëndrime dhe vlera që kërkon shoqëria demokratike. Në hartimin e tekstit vjen si risi koncepti i kulturës dhe elementet përbërëse të saj. Ai është hartuar duke ndjekur kriteret e programit, për të realizuar një vijueshmëri të përbërësve konceptualë të tematikës në fjalë, si dhe konkretizimin e tyre nëpërmjet zbërthimit të koncepteve: kulturë, pasuri kulturore etj.
Në tematikat e tjera mbahen parasysh njohuritë që nxënësi ka marrë në klasat e mëparshme dhe, mbi bazën e tyre, zbërthehen dhe thellohen në mënyrë sistematike konceptet: grup shoqëror, shërbime, institucione, rregulla etj.
2- Struktura e tekstit. Materiali mësimor ndahet në 5 pjesë, sipas tematikave: “Kultura”, “Individët, grupet, shoqëria”, “Shërbimet në komunitet”, “Rregullat në rrugë, shkollë, park dhe rrugë”, si dhe “Qyteti ynë” Secila prej pjesëve përbëhet nga afro 7 njësi mësimore, nga të cilat rreth 60% shtjellojnë njohuri të reja dhe 40 % e tyre sugjerojnë dhe zbërthejnë veprimtaritë praktike.
3- Struktura e njësisë mësimore. Çdo njësi mësimore është ndërtuar në katër rubrika.
E para përmban situatën hyrëse, e cila krijon terrenin praktik për të kaluar te shtjellimi teorik i konceptit.
Rubrika e dytë përmban shtjellimin e materialit teorik.
Në rubrikën “Jep mendimin tënd”, nxënësi vetarsyeton dhe vendoset në situata kritike, të cilat duhet t’i zgjidhë, duke shfrytëzuar njohjet që mori teorikisht, si dhe përvojën e tij vetjake.
4- Aparati pedagogjik përbëhet nga rubrika të larmishme, si: “Puna në klasë, grup apo shtëpi”. Gjithçka në tekst është ndërtuar duke mbajtur parasysh standardin e njohurive, i cili përputhet me moshën dhe me aftësitë psiko-pedagogjike të nxënësit. Është synuar që të jepen njohuritë më të domosdoshme, të trajtuara përmes situatash konkrete dhe të prekshme nga nxënësit, me gjuhë të kuptueshme e ilustrime me figura. Nxënësi vihet në qendër të procesit, prandaj në tekst i lihet hapësirë të punojë vetë, të kërkojë, debatojë, diskutojë, të mbledhë të dhëna dhe të nxjerrë vetë, me grupin apo me klasën përfundime dhe të japë e të marrë vendime për situatat e dhëna. Kjo larmi teknikash e bën nxënësin të fitojë si aftësi dhe shkathtësi, ashtu dhe t’i nxitet dëshira për t’u thelluar në zbërthimin e koncepteve të trajtuara dhe në përdorimin e tyre në jetën e përditshme. Gjatë trajtimit të materialit teorik, herë pas here ngrihen pyetje për ta përfshirë nxënësin në çështjen që shtrohet, si dhe jepen shembuj nga jeta e përditshme për ta bërë sa më të prekshëm problemin që trajtohet.
5- Puna individuale dhe në grup. Një vend të veçantë në tekst u është kushtuar veprimtarive të larmishme praktike, që janë të integruara në njësitë mësimore, si kryerja e një sondazhi, krijimi i një gazete, fletëpalosjeje për rolin e qeverisë së nxënësve, vizitë në një muze etnografik ose shtëpi muze, zhvillimi i një panairi kulturor etj.
6- Metodologjia. Metodologjia e përdorur në tekst do të nxitë te nxënësit pjesëmarrjen qytetare, të menduarin kritik dhe të pavarur, do të ngjallë tek ata interesin e tyre për qytetarinë; do t’i inkurajojë që të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe të kryejnë detyrat e tyre si qytetarë të denjë të një shoqërie. Teksti synon të zhvillojnë të nxënësit kompetencat e nevojshme për të përmbushur rolin e tyre si anëtarë të një shoqërie shumëkulturore e demokratike.
7- Fleta e punës. Teksti është i pajisur më fletë pune, e cila e ndihmon nxënësin të konkretizojë njohuritë e marra gjatë procesit mësimor dhe të gjenerojë situata ku do t'i përdorë ato.
8- E-libri. Teksti “Qytetari 3” është i digjitalizuar, i pasuruar me elemente multimediale. Ky variant bashkëkohor i tekstit ofron një pasuri të tërë me materiale, si: video, foto, pyetësorë, kuriozitete etj., duke e bërë në këtë mënyrë librin shumë të pasur.
(Marsida Zharri, mësuese në shkollën “Kostandin Kristoforidhi”, Elbasan; Portali Shkollor)
Albas pjesë e trajnimit në Athinë me temë “Metodat e mësimdhënies në kushtet e dygjuhësisë”
SKEMA PËR LETËRSINË DHE GJUHËN SHQIPE – në ndihmë të maturantëve
Poezi, verë franceze dhe tinguj pianoje... një mbrëmje nga Rita Petro