Reflektim

Përkujtimi i gjuhës amtare, vëmendjen ta kthejmë nga përdorimi drejt i gjuhës shqipe

Drejtshkrimi sot duket sikur ka marrë arratinë nga frika e celularëve, sepse pothuaj të gjithë shkruajnë me shkurtime e me gabime, pa shkronjë të madhe kur nisin fjalinë, ose e shkruajnë ashtu siç e flasin dhe më e keqja është se nuk u bën përshtypje. Reflektim nga mësuesja Iriana Papamihali.

“Gjuha jonë sa e ëmbël, sa e vlerë” 


Këto vargje të Naim Frashërit më vijnë shpesh në mendje. Vërtetë që gjuha jonë është e bukur, gjuha e nënës, gjuha që na bashkon të gjithëve kudo ku jemi, gjuha që na bën kaq të veçantë ndër të tjerët, gjuha e shqipes, një gjuhë e vjetër sa dhe vetë kombi shqiptar. Sa e sa këngë dhe poezi janë kënduar dhe recituar në shqip, madje edhe ninullat që na vinin në gjumë. Sa e sa gojëdhëna kanë kaluar brez pas brezi duke e mbajtur gjallë gjuhën dhe historitë e bukura për kreshnikët dhe princeshat shqiptare.

 

Por a kemi ne sot një gjuhë të pastër dhe të shkruar bukur kur komunikojmë me njëri-tjetrin? Pyetja që më lind natyrshëm është: Pse kemi arritur sot në një deformim të fjalëve? Pse gjuhës sonë shqip po i humbet pak nga pak pastërtia dhe ëmbëlsia?


Më ka ndodhur që shpesh nëpër telefona të më vijnë fjalë të tilla si: “flm”,“prz”, “mrgj”, etj. Madje edhe kur shkruajnë disa fjalinë e shkruajnë fillim dhe mbarim njësoj, pa pikë e pa presje. Drejtshkrimi sot duket sikur ka marrë arratinë nga frika e celularëve, sepse pothuaj të gjithë shkruajnë me shkurtime e me gabime, pa shkronjë të madhe kur nisin fjalinë, ose e shkruajnë ashtu siç e flasin dhe më e keqja është se nuk u bën përshtypje. 


Drejtshkrimi i gjuhës shqipe, është shumë i rëndësishëm në komunikimin verbal dhe atë me shkrim. Problemi qëndron, që disa nxënës edhe kur bëjnë detyrat shkruajnë me gabime drejtshkrimore, fenomen i cili sa vjen dhe thellohet. 


Drejtshkrimi nuk është atribut vetëm i lëndës së gjuhës dhe letërsisë, por në të gjitha lëndët duhet që mësuesit të bëjnë kujdes me gabimet drejtshkrimore dhe t’i nxjerrin në pah ato. Ka raste kur edhe në media nuk përdoren termat shqip, por ato të huaja. Nëse do vazhdohet kështu, atëherë gjuha jonë kaq e ëmbël dhe kaq e vlerë do e humbasë pak nga pak unikalitetin e saj. Gjuha shqipe është një gjuhë e vjetër dhe na takon të gjithëve ta mbajmë lart vlerën e saj duke folur pastër, duke shkruar siç duhet, duke u kujdesur që edhe në një komunikim të shpejtë nga celulari të mos bëjmë gabime apo të shpikim fjalë me shkurtime. Brezi i ri po e humbet pak nga pak saktësinë në komunikim. Të gjithë shkruajnë dhe shkruajnë pafund nëpër celularë dhe kanë harruar, që ka edhe një botë reale ku ti mund ta kesh dikë përballë dhe të komunikosh verbalisht, duke e parë në sy dhe duke kuptuar gëzimin apo brengën që ka. Komunikimi nga celulari na bën të ftohtë dhe harrojmë, që ka një botë jashtë që gumëzhin dhe është e mbushur me fjalë të bukura shqip. 


Personalisht e kam merak drejtshkrimin e gjuhës sonë të bukur shqipe. Mundohem që të shkruaj pa gabime, madje edhe nga celulari, fjalët i shkruaj ashtu siç duhet edhe me shenjat përkatëse të pikësimit. Kam edhe shumë mikesha të cilat janë të vëmendshme ndaj drejtshkrimit të gjuhës shqipe. 


Duhet të tregohemi të vëmendshëm ndaj fëmijëve tanë duke u dhënë atyre shembullin personal në përdorimin e gjuhës shqipe në komunikim. Nëse bëhemi indiferentë, duke menduar që gabimet drejtshkrimore bëhen vetëm nga shpejtësia dhe nuk u jepet rëndësia e duhur, atëherë fëmijët nuk do e kuptojnë këtë rëndësi. 



Le të jemi të vëmendshëm ndaj drejtshkrimit të gjuhës shqipe, si një hallkë e rëndësishme e ruajtjes së bukurisë dhe vlerës së gjuhës sonë amtare, gjuhës më të bukur në botë, gjuhës shqipe.  



Iriana Papamihali

Artiste, mësimdhënëse, autore e teksteve shkollore


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,516 Lexime
1 vit më parë