OPINION

Misioni ynë, rrugëtim jete!

Është pak të thuash lodhje, është stërmundim, por çuditërisht gjithçka e mposht dëshira dhe synimi për të arritur më të mirën! Misioni vazhdon...mësuesit janë të pamposhtur dhe luftojnë për qëllime fisnike!

Mbyllja papritur e procesit mësimor, si rezultat i fatkeqësisë natyrore, solli distancimin fizik të nxënësve nga mësuesit.

U përballëm me vështirësi e pengesa, pasi ishte një rrugë e re, e pashkelur, shtegun e së cilës duhej ta hapnim ne.

Menjëherë filluan përgatitjet për zhvillimin e mësimit virtual, gjë e cila u shoqërua me shumë probleme të mpleksura midis tyre.

I gjithë sistemi arsimor u vu në lëvizje duke u përpjekur të gjejë forma dhe mënyra sa më efikase, në ndihmë të mbarēvajtjes së procesit mësimor-edukativ. 

Filluan konsultimet për shkëmbim idesh mes kolegëve dhe me drejtuesit e institucioneve arsimore në rreth dhe jashtë tij. 


Krahas punës për të nxënë si: dhënia e njohurive të reja, diskutime e konsultime, pyetje- përgjigje, detyra e kontroll njohurish...përpara nesh qëndron dhe problemi i mbajtjes lart të moralit të nxënësve nga ana psikologjike, e cila duhet të ndërthuret duke e kombinuar mjeshtërisht me mësimin online.


Është forcuar lidhja dhe bashkëpunimi i trekëndëshit nxënës-mësues-prindër!

Nga mëngjesi deri orët e vona të natës punojmë me durim e dashamirësi, këmbëngulje e përkushtim, përulësi me nderim e respekt në shërbim të brezit të ri!

Është pak të thuash lodhje...është stërmundim...por çuditërisht gjithçka e mposht dëshira dhe synimi për të arritur më të mirën!


Në fund të ditës...na dhembin sytë...por na lumturohet zemra e qetësohet shpirti..!

“Më fal zysh...kërkoj ndjesë për shqetësimin...është orë e vonë e ndoshta nuk bëj mirë që po ju dërgoj detyrat...a mund t’ju pyes për këtë paqartësi...si mund ta zgjidh këtë ushtrim...faleminderit që na mirëpret...faleminderit që na mirëkupton...faleminderit që na përkrah...”


Në çdo mesazh ndihet shpirti i tyre, emocionet, gjendja e brendshme shpirtërore!

Ndihet nevoja që kanë për afërsinë me mësuesin, për një fjalë të ëmbël, një përkëdhelje me një emoji, ndoshta... kështu e mposhtin më lehtë atë trishtimin e mbylljes së papritur në shtëpi dhe i përkushtohen më mirë mësimit!


Kemi privilegjin e të qenit mësues! Është e lodhshme por e mrekullueshme! 

T’i shfrytëzojmë tē gjitha mundësitë për t’a kryer me sukses këtë mision fisnik!

Ne jemi të gatshëm të japim maksimumin tonë dhe kemi kohë gjithmonë për gjërat që bëhen me zemër!



Manushaqe Hoxha Laçi

Mësuese kimie në gjimnazin “Skenderbeu”, Krumë, Has


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

11,039 Lexime
4 vjet më parë