Ministrja Nikolla ndjek një orë mësimi në klasën e parë

Prej dy javësh, në gjithë klasat e para dhe të gjashta në vend, po zhvillohen “Orët mësimore të hapura”, ku prindërit janë ftuar të ndjekin nga afër punën që bëjnë mësuesit me fëmijët

Prej dy javësh, në gjithë klasat e para dhe të gjashta në vend, po zhvillohen “Orët mësimore të hapura”, ku prindërit janë ftuar të ndjekin nga afër punën që bëjnë mësuesit me fëmijët e tyre si dhe të vlerësojnë kurrikulën e re.

Ditën e sotme, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ishte e pranishme në një orë të hapur mësimore në klasën e parë të shkollës “Vasil Shanto”, ku së bashku me disa prindër ndoqën metodologjinë e përdorur në lëndën e matematikës dhe atë çka ofron teksti i ri.

“Unë pata kënaqësinë të ndjek një orë mësimore në lëndën e matematikës, në klasën e parë dhe ndjeva impaktin që ka tek nxënësit kurrikula e re dhe teksti i “Oxford” me të cilin ata mësojnë. Një metodë interaktive ku nxënësit zhvillojnë kompetencat e tyre. Pash se si krijohen problemat matematikore, si shkohet tek zgjidhja, si nxënësit ndërveprojnë në grup dhe se si mësuesja është një lehtësuese e procesit të nxënies”, u shpreh Nikolla.

Ministrja e Arsimit shtoi se gjatë këtyre orëve prindërit kanë mundësi të shikojnë nga afër se si fëmijët e tyre janë të lirshëm gjatë orës së mësimit, si përdoren mjetet didaktike, metoda interaktive dhe sipas saj, programi i ri dhe kurrikula që bazohet në kompetenca ka dhënë impaktin e parë.

“Orët e hapura me pjesëmarrjen e prindërve janë një realitet në gjithë vendin dhe pas këtij procesi, ne do të marrim edhe vlerësimin që vjen nga prindërit dhe mësuesit për kurrikulën e re”, tha ministrja.

Daniela Halili, prindi i një fëmije që ndoqi sot një orë mësimi, vlerësoi metodologjinë e re të përdorur e cila, sipas saj, i ndihmon fëmijët në zhvillimin e kompetencave dhe zhvillon më tepër logjikën.

“Është kënaqësi të shikosh se si reagojnë fëmijët në orën e mësimit, të shikosh se si bashkëveprojnë me njëri-tjetrin me mësuesen dhe është emocion duke pasur parasysh metodologjinë tonë në shkollë dhe si jemi organizuar ne më parë në orën e mësimit. Jam vërtet e impresionuar”, u shpreh znj. Halili.

Që prej fillimit të këtij viti shkollor, nxënësit e klasave të para dhe të gjashtë po zhvillojnë mësim me tekste të reja nga “Oxford”, “Cambridge” dhe “Pearson”, me kurrikulën e re bazuar në kompetenca. 

2,900 Lexime
8 vjet më parë