Kuici

Ministri takon nxënësit fitues të kuicit “Eureka”

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, priti nxënësit fitues të kuizit të diturisë “EUREKA”, në të cilën kanë marrë pjesë nxënës të klasave të nënta nga të gjitha komunat e Kosovës

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, priti nxënësit fitues të kuicit të diturisë “EUREKA”, në të cilën kanë marrë pjesë nxënës të klasave të nënta nga të gjitha komunat e Kosovës.

“EUREKA” është organizuar nga MASHT-i , DKA-të dhe shkolla “Hasan Nahi“, si dhe është mbështetur nga fondacioni “Atmosfera”.

Ministri Bajrami, fillimisht ka uruar nxënësit për suksesin e arritur me ç’rast tha se, kjo dëshmon se ne kemi një rini inteligjente, të talentuar, e cila meriton t’i ofrojmë kushte dhe arsim cilësor.

“Po promovojmë talentët e rinj dhe kësisoj po fusim frymën e garave, përmes të cilës njëherësh ngrisim cilësinë në shkolla”, theksoi ministri Bajrami, ndërsa tha se është i lumtur që disa nga këta nxënës do të na përfaqësojnë edhe në gara ndërkombëtare.

Ne, theksoi ministri, do t’i mbështesim fituesit e kësaj gare, por edhe të tjerët në shkollimin e mëtejshëm, që të realizoni ëndrrat e juaja, që një ditë të bëheni lider të së ardhmes.

Në vazhdim, ministri Bajrami tha se, po përgatitet një Udhëzim Administrativ që të vendoset fryma e garave në gjithë sistemin arsimor, nga niveli parauniversitar e deri tek ai universitar, e njëkohësisht po përgatitet edhe vlerësimi i përformancës së shkollave, që të kemi shkolla, të cilat njëkohësisht mundësojnë edhe zbulimin e talentëve të rinj.

Në vazhdim, ministri ka përgëzuar përfaqësuesit gjimnazit “Hasan Nahi”, i cili me sukses po organizon këtë garë.

Ndryshe, në kuizin e diturisë “EUREKA”, fillimisht kanë marrë pjesë 2000 nxënës nga të gjitha shkollat publike dhe private të Kosovës, pastaj janë selektuar deri në 250 nga të cilët dolën 10 finalistët, pra fituesit e medaljeve të arta.

Sipas menaxhmentit të gjimnazit “Hasan Nahi”, sivjet 2 nxënës të kësaj shkolle do të marrin pjesë në garën për hulumtim dhe inovacionrreth mbrojtjes së mjedisit, e cila mbahet në Teksas të ShBA-ve, 4 nxënës në Holandë dhe 2 nxënës në Kenia të Afrikës.

1,715 Lexime
8 vjet më parë