DEDIKIM

Mimoza Zeneli: Për ju nxënës, prindër, kolegë...

Dedikim për nxënësit, prindërit dhe kolegët në këtë prag mbyllje të vitit shkollor nga Mimoza Zeneli, nëndrejtore në shkollën “Sabahudin Gabrani”, Tiranë.

Të dashur... E di që të dashur nxënës, prindër, kolegë, mund të tingëllojë shumë klishe por sot do të doja t’ju shkruaja disa fjalë zemre....

Ju sot po prisni përmbledhjen e mësimeve për javën e fundit te shkollës. Përmbledhja ime sot janë falenderimi dhe ndjesa ime te cilat nuk mund të rri dot pa i thënë. 


Faleminderit nxënësit e mi :

që më ndoqët deri tani pa u ankuar dhe bëtë ç’është e mundur te lidheshit me mua; për durimin, dorëzimin e detyrave edhe kur nuk kishit aspak dëshirë për t’i bërë; për mundimin të mësonit të përdornit google class, zoom, videomaker edhe pse nuk e kishit menduar kurrë me parë; për mirësjelljen e që nuk u ankuat asnjëherë edhe pse kishit arsye; për inkurajimin e fjalët e mira që dëgjova nga të gjithë ju. 


Faleminderit prindër:

që bletë telefona, paketa telefonike, lidhët internetin; që bëtë ndërlidhësin midis mësuesit dhe fëmijës që ishte në një qytet tjetër tek gjyshërit; që ndihmuat fëmijët te bënin videot duke ndenjur me telefonin në dorë e duke u siguruar të duken sa më mirë; për durimin e mundin tuaj ndërsa i ndihmonit të bënin detyrat. Një zot e di sa herë do jeni ndier keq që nuk dinit pak më shume gjuhë, letërsi, matematikë, frëngjisht etj, që t’i ndihmonit më shumë. 

Faleminderit gjyshërve, motrave, vëllezërve e familjarëve të tjerë që u kujdesën që fëmijët të bënin detyrat ndërsa prindërit e tyre ishin në punë.


Faleminderit kolegë: 

për gatishmërinë në komunikim me nxënësit dhe mua; që nuk pushuat së komunikuari me fëmijët edhe kur ishit sëmurë; që u përpoqët të mësonit çdo teknikë të mundshme që ju ndihmonte në mësimin online; që nuk latë asnjë fëmijë pa përgjigje. 

Faleminderit kolegëve që korrigjuan detyrat e fëmijëve të mi edhe në mesnatë, sepse atëherë u erdhi radha. 


Ndjesë! 

Ndjesë për ngarkesën me detyra; për stresin e shkaktuar në teste ndërsa vraponit nga një dhomë në tjetrën që ta printonit e ta punonit sepse duhej dorëzuar brenda 1 ore. 

Më dhembi në shpirt kur dëgjova që njëri nga ju u kërkoi prindërve për ditëlindje “të mos bënte detyra” atë ditë. Edhe ne ishim të papërgatitur për këtë situatë, nuk e dinim se si do të mund të përvetësonit gjithë materialet e tre mujorit me mësimdhënie online. 


Ndjesë....ndjesë nëse nuk mundëm më mirë.

Na mungoni shumë. Na mungon heshtja në klasë ndërsa shpjegojmë, zhurma në oborr, zërat tuaj që i dëgjojmë nga klasa kur jeni në orën e edukimit fizik, ankesat tuaja “o mësuese ky/kjo...”, nxitimi në korridore. Ne mësuesit nuk kemi kuptim pa ju përpara. Vështrimi juaj është busull për ne. Përqafimet tuaja kur hyjmë në klasë, ilaç për shpirtin. 


Deri ditën që do të takohemi në shkollë (Ardhtë e bardhë ajo ditë!), ju uroj shëndet e verë të gëzuar!



Mimoza Zeneli

Nëndrejtore, Shkolla “Sabahudin Gabrani”


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

5,662 Lexime
4 vjet më parë