REFLEKSION

Mësimdhënia në distancë dhe përballja me një mënyrë tjetër të mësuari

Mësuesja e gjuhës së huaj në arsimin e mesëm të ulët, Vlorë, Aida Allushi, sjell një refleksion për eksperiencën e re në arsim, atë të mësimdhënies online. Ajo shprehet se është e lumtur dhe krenare për nxënësit e saj për gjithçka ata treguan dhe dhuruan këto ditë të vështira.

Mësimdhënia është një sfidë e vazhdueshme në jetën e secilit prej neve mësuesve. Çdo ditë në punën tonë ne përballemi me sfida të reja duke kërkuar të përmirësojmë cilësinë e mësimdhënies dhe arsimit në shoqëri, duke ditur se arma më e fortë në dorën e gjithkujt është Dija. U desh një çast dhe ne kuptuam se ishim magjistar, por pa shkopin magjik e se gjithçka që do të vinte më pas varej vetëm nga ne. Situata në të cilën u ndodhëm na solli në kujtesë momentet e para të punës sonë ku çdo gjë ishte e re dhe krejt ndryshe nga auditorët ku kishim studiuar. E si atëherë edhe tani, mësuesit e gjetën rrugën e suksesit. Asgjë nuk do të ishte e mundur nëse përpjekja jonë nuk do të ishte kthyer nga nxënësit tanë. Dashurinë dhe dijen që ne ua falëm, ata na e shpërblyen me gatishmërinë, respektin dhe dëshirën për të punuar, edhe pse të ndodhur të gjithë në një situatë të vështirë e të re.  


Tani që kthejmë kokën pas shohim që çdo gjë ja ka vlejtur bashkë me të mirat ose jo të mirat, por si çdo gjë e re, është e vështirë të aplikohet me sukses që në fillim. Megjithë dëshirën e madhe dhe lodhjen e pafund nga ana jonë, punës si psikolog, prind e mësues, orarit të pacaktuar të punës e të komunikimit me nxënësit apo edhe të dorëzimit te detyrave, ngarkesës së madhe në korrigjimin dhe vlerësimin e detyrave, secili nga ne pa dhe njohu tek vetja rëndësinë e trajnimeve mbi realizimin e orëve të tilla, gjë që ka munguar plotësisht. Të gjithë ishim të papërgatitur për një mësimdhënie të tillë.


Shumë mësues nuk kishin dëgjuar për platfomat “Zoom”, “Google classroom”, “Edmodo”...etj, por ama jo vetëm që aplikuan me sukses, por arritën edhe të hartojnë e zhvillojnë teste online. 

Çdo gjë u përballua me dëshirën, mundësinë e dashamirësinë e mësuesve dhe dijeve personale që ata janë duke kërkuar nga vetja vazhdimisht rritje profesione e duke ndjekur trajnime të ndryshme që u shërbyen në këtë situatë.  Përgatitja e videove tutoriale ishte një ndihmesë e madhe si për mësuesit e rinj ashtu edhe për mësuesit që nuk kanë pasur mundësi e kushte për t’u trajnuar. 


Përgatitja e një ore digjitale u dha mundësi mësuesve të realizonin orë të veçanta, të bukura e të vendosnin në to materialin e nevojshëm në funksion të realizimit të kompetencave të fushës e lëndës si dhe të përdornin informacione e video në gjuhën origjinale duke ndihmuar nxënësit në zhvillimin e aspekteve gjuhësore e kulturore të programit.

Gadishmëria në korrigjimin në kohë reale të të gjitha detyrave, si dhe krahasimi apo edhe reklamimi i tyre si punë të arrira nxitën dëshirën e nxënësve për të punuar. 

Për nxënësit kjo sfidë e re tregoi se dëshira e tyre për detyra krijuese dhe projekte është e madhe.  Ata patën mundësi të përdorin kompetencën digjitale në aspekte të ndryshme si dhe realizojnë punë vërtetë cilësore. Ndonëse detyrat ishin e vetmja mundësi vlerësimi e shumë pak patën mundësi që të vlerësohen për të gjitha kompetencat e fushës sidomos atë të të folurit që është shumë e rëndësishme për një nxënës që studion gjuhë të huaj, përsëri u arrit të zhvillohen kompetencat e tjera të fushës. 


Ndiheshim të këqardhur si mësues kur shihnim që dëshirës së nxënësve nuk u përgjigjej mundësia reale e internetit duke mos mundësuar të qenit aktiv në çdo kohë apo duke i kthyer disa në neglizhent ndaj detyrave, por mirëkuptimi ynë si prind e mësues ka qenë në çdo moment maksimal. Ashtu sikurse mirëkuptonim prindërit që e kishin të pamundur të ndihmonin fëmijët e tyre me vetëm një telefon në dispozicion, i cili shpesh ishte i ngarkuar nga videot tona e ku mesazhi i përsëritur nga fëmijët ishte: “Nuk kam memorie në telefon zysh, mund të ma nisësh përsëri detyrën, të lutem!” ose “Mund ta nis më vonë detyrën pasi tani ka motra mësim e i duhet telefoni’’. 

Nuk mund të mos përmendim ata që ishin mbështetja jonë më e madhe në punën tonë, prindërit, të cilët shpesh ishin nxënës bashkë me fëmijët e tyre duke rikujtuar një periudhë të bukur të jetës së tyre, e kuptuar rolin e punës sonë së çdo dite me fëmijët e tyre. Një falënderim ju shkon atyre pasi kjo situatë tregoi që trinomi mësues-nxënës-prind është çelësi i suksesit në arsim.


Më në fund mund të them pa frikë se jam e lumtur dhe krenare për nxënësit e mi për gjithçka ata treguan dhe dhuruan këto ditë të vështira si dhe për faktin se zotëroj profesionin më të bukur në  botë, atë të mësuesit, përçuesit të dijes që di të dhurojë edhe dashurinë e një prindi! 



Nga Aida Allushi 

Mësuese e gjuhës së huaj në arsimin e mesëm të ulët AMU, Vlorë 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,933 Lexime
4 vjet më parë