Sociologjia në edukim

Ledjo Zeneli: Dimensioni Sociologjik i Edukimit

Në artikullin e mëposhtëm janë trajtuar në thellësi lidhjet që ka edukimi me institucione si politika, feja, familja etj. Nëpërmjet tij mund të krijohet një koncept më i qartë i edukimit nga aspekti sociologjik. Përgatiti studenti i sociologjisë Ledjo Zeneli

Në spektrin sociologjik edukimi shihet si një nga institucionet më të rëndësishme të shoqërisë. Sociologjia si shkencë që merret me analizën e asaj që është sociale në nivel mikro dhe shoqërisë në tërësi, e vendos edukimin në vorbullën e trazuar të realitetit social, e më pas përpiqet të kuptojë dhe shpjegojë jo vetëm se ku qëndron dhe nga se ndikohet edukimi në këtë vorbull, por gjithashtu edhe ndikimet dhe efektet që ka ky institucion në hallkat e tjera të shoqërisë; siç është familja, ekonomia, feja, politika, institucioni i harxhimit të kohës së lirë etj. Në këtë artikull do të trajtohet në linja të trasha ndërveprimi që ekziston mes këtyre institucioneve dhe edukimit. Qëllimi thelbësor është të fitohet një pikëpamje më e detajuar e rëndësisë që ka edukimi i vendosur në një kontekst më të gjerë, pra i konceptuar brenda dimensionit sociologjik. 


Si fillim, duket e udhës të bëhet një përkufizim sociologjik i institucionit të edukimit. Çfarë është në të vërtetë edukimi; një veprimtari ku merren dhe jepen njohuri? Një institucion publik i rregulluar nga shteti? Apo thjeshtë një tërësi dijesh të bezdisshme që na imponohen t’i fitojmë? Krahas faktit që të gjitha këto elementë janë pjesë e strukturës së këtij koncepti ka edhe një përkufizim të një natyre tjetër dhe disi më të hollësishëm dhe tërësor. Parë nga perspektiva sociologjike edukimi është një institucion që kryen disa funksione tepër të rëndësishme në shoqëri. Mund të thuhet se është një institucion universal në kuptimin që ndodhet në të gjitha shoqëritë, por që ka njëkohësisht edhe një pavarësi relative nga veçoria universaliste. Pra përkundër faktit që ndodhet kudo, natyra e tij dhe mënyra e realizimit ndryshon në varësi të kushteve dhe faktorëve të ndryshëm si: kulturor, klimatik, historik, ekonomik, politik etj. Si i tillë është një tërësi procesesh që ka të bëjë me transplantin e vlerave, normave dhe rregullave të shoqërisë në individët e saj përbërës. Shprehur ndryshe dhe më thjeshtë edukimi është gjithashtu një proces socializimi.


Një nga funksionet më të rëndësishme që kryen ky institucion është “krijimi” i anëtarëve të rinjë të shoqërisë. Pasi njerëzit lindin dhe vazhdojnë të rriten, fillojnë të mësojnë rregullat, normat dhe njohuritë e shoqërisë amë. Kjo u jep atyre mundësinë që të integrohen në të dhe të jetojnë si anëtar që përfitojnë prej saj, por edhe që kontribuojnë në zhvillimin dhe ekzistencën e mëtejshme të shoqërisë. Në këtë kuptim edukimi është jetik për ndërtimin e identitetit tonë personal dhe social.


Institucioni i edukimit kryen funksione edhe në ndërveprim me institucionet e tjera të strukturës sociale. Për shembull, ndër funksionet familjare të edukimit mund të përmendet ky: të mësuarit e roleve të familjes me anë të edukimit. Ndër ato ekonomike mund të përmendet rritja e njohurive të specializimit dhe përvetësimi i profesioneve të reja. Të pranishme janë gjithashtu edhe funksionet fetare të edukimit si të mësuarit e roleve dhe akteve, qëndrimeve dhe sjelljeve fetare. Ndërsa prodhimi i një tipi të caktuar qytetar dhe kultivimi i njerëzve me njohuri drejtuese dhe qeverisëse mund të llogaritet si funksion politik i edukimit. Ky funksion ka një rëndësi tepër të madhe në kohërat moderne. Nuk duhet harruar gjithashtu edhe funksioni i harxhimit të kohës së lirë. Tu mësosh njerëzve diçka gjatë kalimit të kohës së lirë dhe të mundësosh përcjelljen e disa gjërave me anë të kësaj rruge është një funksion tipik që ka edukimi në këtë kuadër (Aydın, 2013). Megjithatë kjo lidhshmëri mes institucioneve sociale do të trajtohet më imtësisht në vijim. Përpara kësaj është e nevojshme të bëhet një përkufizim i institucionit social.


 Deri më tani u tha se edukimi, familja, ekonomia, feja, politika dhe harxhimi i kohës së lirë janë institucione, por çfarë është realisht një institucion social? Institucioni si koncept vazhdon të bombardojë veshët tanë çdo ditë nga burime të ndryshme, duke filluar që me librat deri te mediat sociale dhe televizioni, prandaj dhe mund të duket e pavend një pyetje e tillë. Mirëpo, edhe pse të gjithë mund të kenë një imazh të turbullt në mendje në lidhje me brendësinë e këtij koncepti, përkufizimi nuk është dhe aq i thjeshtë si në dukje.


Përkufizimi sociologjik i institucionit nuk ka të bëjë me ndonjë ndërtesë apo diçka të ngjashme me të. Mustafa Aydın shprehet se në gjuhën e përditshme, në përgjithësi, si institucion cilësohen “korporatat” që kryejnë funksione të caktuara publike si një klub sportiv apo vende ku strehohen fëmijët në nevojë. Sipas tij institucioni në kuptim sociologjik nuk i referohet ndonjë personi, grupi apo hapësire. Ai shprehet se institucioni është një tërësi rolesh, marrëdhëniesh dhe normash që janë formuar në kohë dhe shërbejnë për të përmbushur nevojat e njerëzve. Institucionet në këtë kuptim kanë disa karakteristika të tilla si:


a) Janë të drejtuara drejt realizimit të qëllimeve të caktuara.

b) Mënyra e përmbushjes së nevojës ka fituar një vazhdueshmëri të madhe.

c) Janë të strukturuara, organizuara dhe integruara si me nën institucionet, ashtu edhe me institucione të tjera.

d) Edhe pse çdo institucion ndodhet në marrëdhënie të afërta me të tjerët është gjithashtu një strukturë unike në vetvete. E thënë ndryshe institucionet themelore kanë “një pavarësi relative”. 

e) Institucionet në mënyrë të domosdoshme janë të ngarkuara me vlera. Sepse përmbajnë kodet normative të kulturës (I njëjti burim si më lart, faqe 17 – 18).


Edukimi dhe Familja


Familja ashtu si edukimi është një nga institucionet më të rëndësishme të shoqërisë. Shumë mendimtarë dhe teori të ndryshme e kanë trajtuar familjen si një nga themelet e shoqërisë njerëzore. Kjo rëndësi që i jepet këtij institucioni në fakt nuk është e pavend. Siç dihet familja është vendi i parë ku individët “shkelin” pasi lindin dhe vazhdojnë të rriten në gjirin e saj. Në këtë aspekt, familja ka një ndikim tepër të madh mbi formimin e individëve të një shoqërie. Aty formohen si identitetet personale edhe ato sociale. Aty ne marrim një emër, mësojmë të ndajmë të mirën nga e keqja dhe si zgjatim i kësaj përvetësojmë sjelljet normale që na nevojiten për të jetuar në jetën kolektive në mënyrë të shëndetshme. Funksioni parësor që familja ka në kultivimin e anëtarëve të rinjë të shoqërisë është pikërisht një nga arsyet se përse ajo ruhet dhe mbrohet me fanatizëm dhe kriza apo dëmtimi i të cilës mendohet njëkohësisht si rrënim i gjithë shoqërisë njerëzore. Të gjithë besoj, të paktën një herë të vetme, kemi qenë dëshmitarë të shprehjeve “ sillet ashtu sepse ka një familje të keqe” ose “ajo familje ka marrë fund, nuk kontrollon dot fëmijët e saj” etj. Këto shprehje reflektojnë pikërisht funksionin që ka familja si rregullarore e ekuilibrave në shoqëri përmes edukimit të fëmijëve të saj. 


Në çdo familje ndodh një proces i caktuar socializimi. Në disa ndodh në mënyrë të shëndetshme, në të tjera jo. Megjithatë socializimi dhe edukimi si proces i fitimit të njohurive është i pranishëm në të gjitha familjet. Familja shpesh shihet edhe si një model mikro i shoqërisë njerëzore sepse brenda saj ndodhen pothuajse të gjitha institucionet themelore të shoqërisë që janë të përmendura më lart. Një nga këto është edhe edukimi. Brenda familjes mësohen jo vetëm rolet familjare apo sjelljet e pranueshme të shoqërisë, por së bashku me këtë e gjithë mënyra e jetesës. Edukimi brenda këtij institucioni në përgjithësi është informal, pra ndryshe nga edukimi që jepet në institucione moderne të shtetit. Gjatë procesit të edukimit brenda familjes individi përvetëson kodet kulturore të shoqërisë dhe i konkretizon këto në vepra gjatë gjithë jetës së tij. Edukimi në këtë rast është pjesë e institucionit të familjes. Kjo duket qartë në faktin se prindërit dhe aktorët e tjerë të familjes janë mësuesit tanë të parë. Në këtë kuptim familja ka një dimension tepër të rëndësishëm edukativ. 


Përkundër asaj që u evindentua më sipër duhet përmendur edhe fakti se këto dy institucione jo gjithnjë janë në paqe me njëri – tjetrin. Situata është kështu veçanërisht pasi individi fillon edukimin formal ose atë që cilësohet si arsim. Këtu shihet se ky lloj edukimi ka një fuqi imponuese mbi institucionin e familjes. Shpesh mund të ndodh që sjelljet apo normate përvetësuara në mjediset e edukimit formal të bien në kundërshtim duke goditur solidaritetin mes aktorëve të familjes. Prandaj dhe është tepër e rëndësishme që të ekzistojë një përpuethshmëri mes edukimit formal dhe familjes. Në rastet kur krijohen mospërpuethshmëri mes këtyre institucioneve, pasojat mund të jenë tronditëse për të gjithë shoqërinë. Një shembull që mund të përmendet në këtë kontekst është rasti i formularëve të shpërndarë në mjediset shkollore ku aktorët tradicionalë familjarë që janë BABAI dhe NËNA u zëvendësuan me koncepte të tjera si “PRINDI 1” dhe “PRINDI 2” dhe si pasojë lindi një reagim i zjarrtë si në mediat sociale edhe në programe televizive, ku morën pjesë analistë të poleve të ndryshme ideologjike. Për konservatorët edukimi formal në këtë rast është përdorur si instrument për të goditur natyrën tradicionale, natyrale dhe të shëndetshme të familjes, pra ajo që ne njohim të gjithë. Ndërkohë nga ana tjetër për liberalët kjo situatë mund të interpretohet si një përpjekje për të reformuar familjen në emër të një barazie mes kategorive njerëzore brenda shoqërisë dhe “shërimin” e mentalitetit drejt një botëkuptimi më të mirë dhe të drejtë. Në të dyja rastet, pavarësisht pikëpamjeve,nisja bëhet nga një pranim themelor i përbashkët, që ka të bëjë me ndikimin e edukimit formal mbi institucionin e familjes. Fundja, nxënësit si individë në të cilët nxënë vend njohuritë që jepen përmes këtij edukimi, do të jenë arkitektët e ardhshëm të familjes pas disa vitesh. E gjitha kjo do të përcaktojë natyrën e familjes shqiptare dhe domosdoshmërish edhe të shoqërisë sonë. 


Edukimi dhe Politika


Një nga institucionet me të cilat edukimi ka qenë gjithnjë në ndërveprim është edhe politika. Sidomos në kohët moderne ku politika ka një pushtet të madh për të rregulluar dhe ndërtuar shoqërinë apo pjesë të saj, situata është pikërisht e tillë. Politika është një institucion që merret me sigurimin e rendit publik dhe menaxhimin e gjithë shoqërisë. Për ta bërë këtë ajo përdor nën – institucione si shteti, autoriteti, pushteti, partitë, sistemin zgjedhor, procesin e votimit, legjitimitetin etj. Këto nën – institucione janë njëkohësisht edhe instrumente dhe kushte të domosdoshme të politikës, pa të cilat ajo nuk mund të ekzistojë. Po t’i hedhim një sy historisë së njerëzimit vëmë re se politika ashtu si institucionet e tjera që kemi theksuar deri më tani është me të vërtetë e vjetër. Megjithatë mund të bëhet një ndarje mes politikës në kohërat moderne dhe asaj para moderne. Ndryshe nga e shkuara, në shoqëritë moderne, politika është shumë herë më racionale dhe sekulariste. Pra nuk ndërlidhet më me besime metafizike dhe nuk shihet si monopol i një individi të vetëm të cilit i është dhuruar nga një fuqi hyjnore. Në ditët tona politika shihet më shumë si një instrument i cili përdoret nga një grup i përzgjedhur njerëzish nga vetë populli. Pra legjitimiteti buron nga populli dhe nuk përcaktohet nga forca të jashtme hyjnore. 


Historia ka treguar se ka një lidhje dhe ndikim reciprok mes politikës dhe edukimit si institucione themelore. Jo vetëm në regjimet totalitare por edhe në ato demokratike institucioni i edukimit, në mënyrë të veçantë ai formal, është parë dhe trajtuar si instrument në shërbim të përhapjes së themeleve filozofike të politikës. Për shembull në regjimin komunist shqiptar përhapej ideologjia komuniste dhe ndalohej rreptësisht ajo liberale, mësohej rëndësia dhe vlerësimi i partisë shtet dhe parimeve të saj. Edhe në shoqëritë demokratike, pavarësisht lirisë për ta kritikuar këtë situatë, vihet re që edukimi formal i shërben po ashtu politikës. Jo më kot na mësohen në shkollë demokracia si sistem ideal dhe sulmohet totalitarizmi, shpjegohen ligjet, barazia gjinore, rëndësia e votimeve, funksionet e shtetit apo qeverisë dhe rregulla të caktuara se si duhet të jetë një qytetar/e normal/e. Një shembull tjetër në këtë kontekst është reformimi i edukimit formal nga politika duke përjashtuar institucionin fetar nga kurrikulat mësimore pas ndarjes së fesë nga shteti, pra ndërtimi i themelit laik në institucionet publike të edukimit formal. Siç mund të vihet re,në të dyja rastet edukimi është gjithnjë i ekspozuar ndaj përpjekjes që bën politika për ta zotëruar atë. Duke marrë parasysh peshën që ka edukimi në formimin e botëkuptimeve kjo duket mjaft normale. Sepse nga kjo varet vetë ekzistenca e institucionit të politikës. Edukimi, me anë të vlerave që mbjell te studentët dhe nxënësit, prodhon legjitimitetin e nevojshëm i cili është jetik për bazën filozofike dhe ideologjike të politikës. 


Politikat arsimore që prodhon shteti janë tregues të ndikimit që ka politika mbi institucionin e edukimit. Sipas Mehmet Emin Usta-s, politika arsimore është procesi, përpunimi dhe vendimi në lidhje me të gjitha zhvilluesit e politikës ose pushtetit mbi elementë si punësimi, filozofia, buxheti, planifikimi, kontrolli, menaxhimi e të tjera që kanë të bëjnë me edukimin (Usta, 2015). Siç mund të kuptohet nga ajo që u tha deri më tani pushteti i politikës mbi edukimin vazhdon të jetë tepër i fuqishëm edhe në ditët tona. Pavarësisht kësaj edhe institucioni i edukimit mund të krijojë epërsi mbi atë politik. Më sipër u tha se edukimi prodhon legjitimitetin e nevojshëm për politikën. Kjo nënkupton se politika varet po ashtu nga edukimi. Edukimi gjithashtu formon individët e nevojshëm të pajisur me njohuritë e duhura për ta kuptuar dhe menaxhuar politikën. Pa këto politika nuk do të ekzistonte. Procesi i marrjes së këtyre njohurive brenda politikës na tregon se ky institucion është i pranishëm edhe brenda vetë kuadrit të saj. 


Edukimi dhe Feja


Feja është një nga institucionet më afërta me edukimin. Ajo mund të përkufizohet si një tërësi rregullash, normash dhe vlerash të bazuara në një besim mbi një ose më shumë perëndi. Gjithashtu ka dhe religjione të cilat nuk bazohen në besime perëndish si ato që ne njohim. Si e tillë ajo kryen një sërë funksionesh në shoqëri. Një nga funksionet kryesore është solidariteti që feja prodhon. Feja ka një ndikim të fuqishëm në lidhjen e individëve me njëri – tjetrin. Kjo ndodh sepse ajo vendos qëllime të cilat kalojnë individualizmin dhe atë që është materiale. Dimensioni shpirtëror që feja reflekton përforcon norma dhe vlera të cilat i shërbejnë pikërisht këtij qëllimi. Për më tepër ajo shërben po ashtu edhe si një mekanizëm kontrolli për sjelljet deviante. Në të njëjtën mënyrë, duke u mundësuar individëve që t’i kalojnë me thjeshtësi problemet e kësaj jete, krijon edhe një rehati të madhe psikologjike. Por mbi të gjitha feja është një nga burimet më të rëndësishme të identitetit social. Ajo u tregon njerëzve vendin që kanë në këtë jetë dhe i ngarkon një kuptimësi kësaj bote. Në këtë mënyrë ndërton mure që i shërbejnë sigurisë duke mos lënë të futet brenda “e panjohura”. Megjithatë, për të mos dalë shumë nga tema, ky përkufizim duket i mjaftueshëm për arritjen e qëllimit të këtij shkrimi. 


Feja para së gjithash është një botëkuptim të cilin individët e fitojnë gjatë procesit të socializimit. Në të shumtën e rasteve kjo ndodh në familje, por edhe në mjedise të tjera si shkolla, shoqëria apo institucione të ndryshme që bëjnë përpjekje për përhapjen e fesë. E shprehur ndryshe feja është diçka që na mësohet nga shoqëria. Në këtë kuptim ajo ka nevojë për institucionin e edukimit në mënyrë që të fitojë ekzistencë brenda shoqërisë. Në të shkuarën, pra në shoqëritë tradicionale, edukimi ka qenë i vënë pothuajse tërësisht në funksion të fesë. Qëllimi kryesor ishte edukimi fetar i individëve të shoqërisë me shpresën për të krijuar një shoqëri të drejtë dhe ashtu siç besimi fetar kërkonte. Këtu shihet qartë një dominim i institucionit fetar mbi atë të edukimit, pra një përdorim i edukimit si mjet për plotësimin e qëllimeve të fesë. Më vonë, si rrjedhojë e zhvillimeve në Evropë gjatë shekullit të 19-të lindi një botëkuptim i ri i cili kërkonte themelimin e pikëpamjes laike në shoqëri. Si rezultat i kësaj, feja, duke u ndarë nga shteti filloj të distancohej edhe nga hapësira e edukimit formal. Në këtë mënyrë edukimi u vendos në shërbim të pikëpamjes së re politike dhe u bazua vetëm mbi themelin shkencor, i cili merret vetëm me realitetin e prekshëm nga njeriu. Krahas me këto zhvillime gjithnjë është menduar se distancimi i fesë në këtë mënyrë do të sillte dhe rrënimin e saj. Por kjo deri më tani duket qartë se nuk ndodhur dhe duket e pamundur të bëhen parashikime absolute nëse do të ndodhë apo jo. 


Pavarësisht distancimit në masë të fesë nga institucionet e edukimit formal në hapësirat publike, ajo vazhdon të mësohet akoma si në institucionet private, dhe në disa raste, edhe pse në mënyrë të reduktuar - që i shërben dhënies së njohurive të përgjithshme në lidhje me historinë dhe rolin e fesë në shoqëri - mësohet gjithashtu edhe në ato publike. Madje shumë shtete, në prizmin e synimëve që kanë për modelimin e shoqërisë,i japin një rëndësi mjaft të madhe edukimit fetar.

 

Ndërsa në hapësirën e edukimit informal, pra në edukimin që jepet në mënyrë jo të organizuar siç ndodh në shkolla, në atë që jepet nga familja apo shoqëria, ajo vazhdon të mësohet dhe të kryej role të shumëllojshme në shoqëri. Shpesh herë ndodh që ajo që cilësohet nga njerëzit si “ njeri i edukuar apo i kulturuar”, lidhet në mënyrë të ngushtë me edukimin fetar. Shoqëria pret që një njeri i tillë, i brumosur me një botëkuptim të caktuar fetar, të ketë një ndjeshmëri dhe përgjegjësi shumë herë më të madhe se të tjerët ndaj vlerave dhe normave të shoqërisë. Pranë shumë raste, veçanërisht në ato shoqëri ku feja është e fuqishme në jetën sociale – informale, shikohet si edukim i shëndetshëm një edukim i cili është formëzuar me elementë fetar. Duke marrë parasysh funksionet që kanë këto insitucione në shoqëri, në vendin tonë jo pak herë është vënë në diskutim futja e fesë në hapësirat publike të edukimit formal. E gjitha kjo na tregon se feja dhe edukimi si institucione vazhdojnë akoma të rrjedhin së bashku drejt detit të jetës shoqërore. Prandaj dhe këto institucione nuk mund të trajtohen kurrësesi plotësisht si të ndarë nga njëri – tjetri. 


Edukimi dhe Ekonomia

Ekonomia është gjithashtu një nga institucionet më të rëndësishme të kohës sonë. Fjalën ekonomi e dëgjojmë pothuajse kudo, herë në formën e prurjeve të kuptimësive negative herë pozitive. Në fakt arsyeja është e thjeshtë: Ekonomia është institucioni dominues në shoqëritë moderne. Nëse në shoqëritë paramoderne ishte familja, politika apo feja sot është ekonomia. Sigurisht që kjo situatë është e lidhur ngushtë me zhvillimet shkencore, teknologjike dhe të botëkuptimeve të reja për botën, të cilat filluan të shfaqen që nga shekulli i 17-të. Si pasojë e këtyre zhvillimeve ekonomia filloi të ngjitej në majë të piramidës së institucioneve sociale duke rritur ndikimin e saj mbi to.


Ekonomia si institucion i cili ka si qëllim plotësimin e nevojave të njeriut duke përdorur burimet natyrore ka një lidhje mjaft të ngushtë me edukimin. Edukimi si institucion në fund të fundit nuk ka të bëjë vetëm me vlerat shpirtërore por edhe me përgaditjen e të rinjëve me disa aftësi të cilat janë të nevojshme për vetë ekzistencën e ekonomisë. Është e pranuar përgjithësisht se shoqëritë moderne janë shumë herë më komplekse se shoqëritë tradicionale në kuptimin e specializimit të punës dhe numrit të profesioneve. Duke qenë se ekonomia si pasojë e vetë sistemit kapitalist është bërë dominuese në shoqëri, edhe edukimi është i formëzuar në masë të madhe sipas nevojave ekonomike. Madje shkohet deri aty sa mendohet se nëse edukimi nuk përshtatet me kërkesat e ekonomisë i bie rëndësia dhe fillon të ketë probleme të ndryshme. Sot ku teknologjia për shembull është një nga zhvillimet më të mëdha të kohës, është bërë një nga kontribuueset më të fuqishme në rritjen ekonomike. Pikërisht për këtë arsye shumë vende ndjejnë nevojën për t’i dhënë gjithnjë e më shumë rëndësi mësimit të teknologjisë në hapësirat e edukimit formal, pra në shkolla. Dhe kjo në fakt tregon ndikimin e ekonomisë mbi institucionin e edukimit.


Për më tepër, edhe ekonomia ka nevojë për edukimin. Shpesh na mësohet në shkollë se si të bëhemi të suksesshëm në jetë, na flitet për pasurinë dhe rritjen e mirëqenies materiale dhe shpesh herë nxitemi nga shkolla që ecim në këtë rrugë. Mësojmë gjithashtu vlerën e punës si një aktivitet i patjetërsueshëm dhe theksohet individualizmi dhe konkurrenca si rrugë për të kapur majat. Edhe pse në pamje të parë e gjitha kjo mund të duket si vetëm një ndikim i sistemit aktual ekonomik mbi edukimin, nuk duhet harruar gjithashtu se është edukimi ai që e plotëson këtë nevojë dhe për këtë arsye ekonomia varet në mas të madhe prej tij. Në rast se institucioni i edukimit nuk do i përgjigjej këtyre kërkesave, ekonomia do të përballej me shumë probleme duke çuar në këtë mënyrë në dobësimin e saj. 


Edukimi dhe Institucioni i Kohës së Lirë


Institucioni i Kohës së Lirë ka të bëjë me mënyrën sesi e shpenzojmë kohën kur jemi të lirë. Pra modelet e sjelljes gjatë kësaj kohe përcaktojnë këtë institucion. Për shembull të shikosh një film, të dalësh për piknik, të udhëtosh diku, të dëgjosh muzikë, të lozësh basketboll etj. janë aktivitete që kanë të bëjnë pikërisht me këtë institucion. 


Lidhur me këtë, institucioni i kalimit të kohës së lirë siç ndërvepron me institucione si politika, feja, ekonomia apo familja ka gjithashtu një marrëdhënie edhe me institucionin e edukimit. Mund të thuhet pa frikë se institucioni i kohës së lirë është një nga hapësirat më të favorshme për kryerjen e funksioneve të edukimit. Veçanërisht për socializimin. Gjatë kohës që ne zbavitemi mësojmë gjëra të reja dhe zhvillojmë aftësitë tona mendore dhe fizike. Kështu, institucioni i kalimit të kohës së lirë i jep një shtysë mjaft të fuqishme kryerjes së funksioneve që ka edukimi në shoqëri. Në këtë kuadër, për shembull, shumë njerëz zgjedhin leximin e librave si një mënyrë për t’u zbavitur dhe kaluar kohën. Si përfundim mund të thuhet se ky institucion është tepër i nevojshëm për edukimin. Nga ana tjetër fakti që edukimi është i pranishëm në këtë institucion tregon gjithashtu edhe ndikimin që ka mbi të. 



1. Aydın, M. (2013). Kurumlar Sosyolojisi: kurumlara başlangıç çerçevesinde bir çalışma.  İstanbul: Pınar Yayınları. S. 242 – 243. [ Aydın, M. (2013). Sociologji Institucionesh: një punim në kuadër të një hyrjeje në institucione. Stamboll: Botimet Pınar. Fq. 242 - 243]. 

2. Usta, M. E. (2015).  Siyasi Parti Programlarına Göre Eğitim Politikaları. TYB AKADEMİ Dil Edebiyat ve Sosyal Bilimler Dergisi, 55-73.[ Usta, M. E. (2015). Politikat arsimore sipas programeve të partive politike. Revista e Shkencave Sociale dhe LetërsisëGjuhësore, Akademia TYB. Fq. 55 - 73]. 


Nga Ledjo Zeneli – Student i Sociologjisë


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,493 Lexime
2 vjet më parë