Konferencë

Kurrikula e re, reformat në vlerësimin e nxënësve

Në këtë konferencë diskutohet dhe reflektohet për përvojat dhe sfidat e deritashme në procesin e pilotimit të kurrikulës së re, ndërsa pjesëmarrësit do të informohen dhe diskutojnë edhe për draftin e Udhëzimit Administrativ për vlerësim të nxënësve

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në bashkëpunim me USAID-in kanë organizuar Konferenvën dy ditore “Reformat në vlerësimin e nxënësve sipas kurrikulës së re”, e cila ka për qëllim të informojë palët kryesore mbi procesin e reformave aktuale kurrikulare, përfshirë Drejtoritë Komunale të Arsimit, shkollat e përfshira në reformën kurrikulare, sektorët e caktuar brenda MAShT-it dhe publikun e gjerë.

Në emër të ministrit Bajrami, punimet e konferencës i ka hapur këshilltari Azem Guri, i cili ka folur për ecurinë e procesit të pilotimit të kurrikulës së re, e cila për herë të parë ka filluar në vitin shkollor 2013 - 2014 në 10 shkolla dhe është zgjeruar ndër vite, si dhe finalizmin e Udhëzimit Administrativ, i cili do t’u krijojë lehtësia mësimdhënësve në vlerësimin e nxënësve.

“Janë trajnuar dhe certifikuar mbi 3100 mësimdhënës për zbatimin e kurrikulës së re. Zhvillimi i plan programeve lëndore për shkollat pilotuese, rishikimi i përmbajtjeve të teksteve shkollore dhe përgatitja e materialeve të tjera për mësimdhënie, zbatimi i praktikave të reja të vlerësimit të njohurive të nxënësve dhe aktivizimi i aktiviteteve profesionale në shkollat pilotuese, janë disa aspekte me rëndësi të këtij procesi”, ka thënë këshilltari Guri.

Këshilltari Guri ka folur edhe për miratimin e Strategjisë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar në Kosovë 2016- 2020, themelimin e Këshillit të Ekspertëve për rishikimin e teksteve shkollore, marrjen e një kredie të butë në vlerë prej 11 milionë dollarëve nga Banka Botërore, si disa nga hapat konkret për përmirësimin e cilësisë në sistemin e arsimit në Kosovë.

Në konferencë u diskutua për përvojat dhe sfidat e deritashme në procesin e pilotimit të kurrikulës së re, ndërsa pjesëmarrësit do të informohen dhe diskutojnë edhe për  draftin e Udhëzimit Administrativ për vlerësim të  nxënësve .

2,440 Lexime
8 vjet më parë