Koordinatori i cilësisë në shkolla/ Edlira Angjeliu: Dilemat, vështirësitë, arritjet…
Këtë vit, pranë çdo institucioni shkollor, do të funksionojë edhe koordinatori i cilësisë. Shumë diskutime ka në grupe mësuesish, pyetje, mendime, supozime, mëdyshje etj. E vendosim për një moment veten në pozicionin e koordinatorit të cilësisë, çfarë do të sugjerojë secili prej nesh?
Nga Edlira Angjeliu- mësuese në gjimnazin “Kristaq Capo”, Berat
Këtë vit, pranë çdo institucioni shkollor, do të funksionojë edhe koordinatori i cilësisë. Fillimi i mbarë për çdo koordinator, do të ishte, të fitonte besimin e të gjithë mësuesve të shkollës.
E rëndësishme qysh në fillim të punës së tij është koordinimi i punës me drejtuesit e ekipit lëndor, drejtuesin e rrjetit profesional, mësuesin e ngarkuar me aktivitetet shkollore, mësuesin e angazhuar me përgatitjen e nxënësve për olimpiada dhe padyshim me drejtuesit e shkollës si dhe institucioneve arsimore. Koordinatori i cilësisë nuk zëvendëson punën e asnjërit prej tyre por e plotëson atë me fokusin e përbashkët-rritja e cilësisë së arsimit në shkollë.
Pozicioni i koordinatorit të cilësisë në shkollë duhet të jetë: lehtësues, orientues, ndihmues, nxitës, promovues etj etj. Shumë diskutime ka në grupe mësuesish, pyetje, mendime, supozime, mëdyshje etj si çdo risi që nis të aplikohet. E vendosim për një moment veten në pozicionin e koordinatorit të cilësisë, çfarë do të sugjerojë secili prej nesh?
Koordinatori i cilësisë, për mendimin tim, duhet ta fillojë punën e tij me mbledhjen e të dhënave mbi cilësinë e procesit të mësimdhënie-nxënies në atë shkollë ku do të luaj këtë funksion. Të dhënat duhet të jenë sasiore dhe cilësore.
Të dhënat sasiore:
• Nota mesatare dhe kalueshmëria , si objektiva të shkollës në vitin paraardhës.
• Nota mesatare dhe kalueshmëria për çdo mësues në klasat ku jepte mësim në vitin paraardhës.
• Vitet e punës për çdo mësues.
• Numër kreditesh për çdo mësues.
• Rezultate të provimeve të MSH. ( etj në vazhdimësi).
Të dhëna cilësore:
• Projekte të realizuara në shkollë.
• Rezultatet e nxënësve në konkurse kombëtare, ndërkombëtare, olimpiada etj.
• Zhvillim profesional individual i mësuesve ( certifikata, pjesëmarrje në konferenca, simpoziume, trajnime, botime, publikime etj).
• Rezultate të grupeve të vlerësimit të shkollës . (etj në vazhdim).
Pikërisht, duke u mbështetur mbi këto të dhëna, koordinatori i cilësisë do të ndërtojë planin e punës. Metodologjia për të marrë këtë informacion dhe zhvilluar punë e tij është e larmishme dhe personale për çdo koordinator si: shqyrtim dokumentacioni, fokus-grup, tryeza të rrumbullakëta, trajnime, veprimtari konkrete, biseda të lira, pyetësorë etj.
Dihet tashmë se në shkollat tona funksionon, ekipi lëndor, ekipi kurrikular i shkollës, rrjetet profesionale, plani i punës së drejtorisë etj dhe koordinatori i cilësisë duhet të koordinojë punën me gjithë këto organizma shkollore dhe jo të përsëritë punën e bërë prej tyre.
Konkretisht, nëse drejtuesi i ekipit lëndor ka planifikuar të zhvillojë me mësuesit e një fushe, një tematikë mbi platformën mësimore STEAM, koordinatori i cilësisë plotëson trajnimin me informacione sa më të efektshme mbi përmbajtjen, vështirësitë e aplikimit, deri ku kanë arritur ta aplikojnë mësuesit e shkollës, si përkthehet në rezultate tek nxënësit, çfarë dhe si duhet punuar më mire dhe më e mira duke konkretizuar vetë etj.
Koordinatori i cilësisë mund ta zhvillojë punën e tij me gjithë mësuesit e shkollës, në grupe mësuesish sipas nevojave specifike por edhe duke biseduar individualisht me mësues por me mirëkuptimin e palëve për të gjetur kohën e përshtatshme.
Koordinatori i cilësisë duhet të jetë dhe ta ndjejë veten i mirëpritur tek mësuesit dhe jo t’u imponohet me detyrën që i është ngarkuar. Suksese për të gjithë koordinatorët e cilësisë dhe me sa më shumë arritje cilësore në shkollat tona.
Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Materiale ndihmëse për Mësuesin Koordinator të Sigurimit të Cilësisë nga Dr. Eljana Brahja
Si të përgjigjeni saktë në testimin me shkrim dhe me gojë (arsim)
Përditësimi i kurrikulave, sugjerime nga eksperti i arsimit Fiqiri Çifliku