KIZ

KIZ shpall zyrtarisht Mynyr Konin, rektor të UT

Koni merr kështu drejtimin e Universitetit më të madh në vend, ndërsa KIZ këtë vendim ia ka përcjellë edhe ministres së Arsimit dhe Sporteve Lindita Nikolla

Komisioni Institucional Zgjedhor ka shpallur sot zyrtarisht Mynyr Konin rektor të Universitetit të Tiranës. Ai u përcaktua i tillë nga votat e pedagogëve dhe studentëve të gjashtë fakulteteve në Universitetin e Tiranës.

Koni merr kështu drejtimin e Universitetit më të madh në vend, ndërsa KIZ këtë vendim ia ka përcjellë edhe ministres së Arsimit dhe Sporteve Lindita Nikolla. Pritet që Nikolla t’ia përcjellë këtë vendim Kreut të Shtetit Bujar Nishani për dekretim.

Kush është Mynyr Koni?

Prof. Dr. Mynyr Koni ka lindur më 24.01.1964. Ai është diplomuar në vitin 1988 në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës. Në vitet 1995-1997, ka punuar si punonjës shkencor në Departamentin e Gjenetikës së Institutit të Kërkimeve Biologjike në Akademinë e Shkencave dhe në vitin 1997 emërohet në pozicionin e Drejtorit të këtij Instituti. Nga viti 1999 Prof. Dr. Mynyr Koni është pedagog në Departamentin e Biologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, UT ku përgjatë këtyre viteve ka qenë edhe në poste të ndryshme drejtuese në nivel fakulteti dhe në nivel universiteti ndër të cilat mund të përmendim pozicionet si: (2003-2008) Drejtor i Drejtorisë së Kurrikulave në Universitetin e Tiranës; (2008-2012) Përgjegjës i Departamentit të Biologjisë, FSHN; (2012-2016) Dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës.

Prof. Dr. Mynyr Koni ka qenë dhe vazhdon të jetë anëtar i disa këshillave si: Anëtar i Senatit Akademik të UT-së, Anëtar i Këshillit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës; Anëtar i Këshillit Drejtues të Akademisë së Shkencave; Anëtar i Këshillit Shkencor të Institutit të Kërkimeve Biologjike.

Në bibliografinë e punimeve të tij radhiten artikuj të shumtë shkencorë dhe pjesëmarrje në konferenca të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.

Prof. Dr. Mynyr Koni është njohës i mirë i gjuhës angleze, franceze dhe italiane. Ai mban titullin “Honoris Causa” nga Universiteti Shtetëror i Tetovës.

2,017 Lexime
8 vjet më parë