Model

Ireli, vajza e personazheve

Kështu, mami më fton në sfidë: më thotë se ajo do të lexojë çdo libër që lexoj edhe unë dhe që bashkë do të krijojmë personazhet, siç krijonte ajo kukullat prej lecke kur ishte e vogël. Super ide! Nga A-ja te ZH-ja ne krijojmë personazhet që pëlqejmë.

 

Nga IRELI – vajza 11-vjeçare e dhënë pas personazheve. 



Fëmija është gjëja më e shtrenjtë për prindin. 

Biblioteka është gjëja  më e shtrenjtë që kemi në shtëpi. 

Ç’të përbashkëta ka fëmija me bibliotekën? Epo, kur vijnë rishtaz në shtëpi janë thuajse “bosh” , por ama gjatë jetës pasurohen e pasurohen pa ndalim. 


Dhe është pikërisht “Libri i im i Bebes” ai që unë tërheq më shpesh nga biblioteka. E shfletoj dhe veçanërisht ndaloj te një foto e bërë për ditëlindjen e parë:  unë qëndroj ndenjur në mes të krevatit dopio e rrethuar një mizëri sendesh: penel, makinë llogaritëse, leukopastë,  bllok shënimesh e laps, vizore, portofolë... dhe në dorë kam një enciklopedi sa duhet një Ciklop që ta ngrejë... Unë vërtet pija qumësht, por ishte qumësht mami, jo qumësht zanash, që ta ngrija librin siç ngriti Muji shkëmbin! Paçka se librin mund ta kem dashur për të kruar dhëmbët, të gjithë u gëzuan  që nga të gjitha sendet zgjodha atë, se mund të kisha zgjedhur edhe jastëkun e rehatshëm.  Mami më shpjegon se ky është si një bast me fatin: sendi që zgjedh bebja mund të përcaktojë profesionin e tij të ardhshëm. Nuk e kuptoj se si të rriturit i gënjen mendja se një bebe ka aq mend ta zgjedhë profesionin e tij të jetës (sendin në këtë rast) kur ende nuk i kanë dalë dhëmbët, as këmbët, le më mendtë.  

 FILLIMI I NJË LEXUESI... Megjithatë... nuk është mundim i madh ta duash librin që kur je bebe e deri sa bëhesh 6-7 vjeç,  sepse nuk e lexon vetë, por ta lexon mami ose një i ritur tjetër. Madje ora e leximit të librit është çasti më magjik i gjithë ditës: në darkë futesh butë e ngrohtë nën batanije, oçe-oçe me kukullën prej pelushi, e dehur nga era e mirë e mamit dhe thjesht sa dëgjon dhe mbyll qepallat. 

Por po shkove në klasë të parë e tutje fillon sfida, sepse lexim nuk do të thotë vetëm të lexosh me rrokje etiketat që kanë nja dy fjalë, si ato të reklamave në rrugë “Kosi hahet apo pihet” apo recetat e krepave, por duhet të lexosh libra shumëfaqësh. Kështu, leximi pas klasës së parë është pak a shumë si provim, për të kuptuar sa mirë ke mësuar shkrim-e-këndim. Dhe provimet zgjasin pak. Kështu, pas provës dhe gëzimit se dija të lexoja mirë nuk më hëngri më meraku të lexoja për qejf. 

- Të gjithë lexojnë, - më thotë mami teksa më tregon me kokë shumë kalimtarë që merren me telefonin. 

- Epo, librat nuk janë të ndjeshëm, - i them unë?

- Nga e nxore këtë?

- Telefonat po, që janë të ndjeshëm: mjafton t’i prekësh pak dhe e kthejnë vetë faqen me të rrëshqitur, ndërsa kur shfletoj librin duhet të prodhoj pështymë sa një elefant, – justifikohem unë. 

- Është e vërtetë, librat po të ishin të ndjeshëm nga faqet, do të guduliseshin shumë kur ti t’i prekje për t’i shfletuar. Por ama, e mban mend sa u preke ti kur lexove “Kozetën”? Ndjeshmëria e librit është kur është brenda mendjes sate. 

PERSONA...ZH Kështu, mami më fton në sfidë: më thotë se ajo do të lexojë çdo libër që lexoj edhe unë dhe që bashkë do të krijojmë personazhet, siç krijonte ajo kukullat prej lecke kur ishte e vogël. Super ide! Nga A-ja te ZH-ja ne krijojmë personazhet që pëlqejmë: Princi i  Vogël te atletet e copës, Pipi Çorapëgjatën, Gregun, Teutën, Shtrigën, Matildën, Tom Gejtsin, Gjigantin e Madh të Mirë... dhe me të gjitha materialet, duke filluar nga plastelina në CD, te vizatimi në gur, te qëndisja në gjergjef, gjatësimatësin në dollap me këmbët kilometroshe të Pipi Çorapëgjatës, e madje bëmë edhe reçel personazhesh  brenda kavanozave si xixëllonja dhe me to hijeshuam dhomën për Vit të Ri. Personazhet  ishin “të pranishëm” edhe në ditëlindjen time: te zbukurimet, te torta dhe madje edhe te fustani im, të cilin ma qepi mami pasi e vizatova vetë me stilolapsat me xixa, kur unë mbusha 9 vjeçe dhe bashkë me vjeçët festova edhe titullin “lexuese e mirëfilltë”. Dhe e dini se ç’mora si dhuratë? Një premtim: që mami do të më bëjë personazhin e gjallë të librave të saj për fëmijë, se i pëlqen ashtu si unë të rrethohet nga personazhe... sidomos nga personazhet e papara si unë :P. 

Dhe, meqë ra fjala, tani e keni fare të thjeshtë të dini se ç’dhuratë të më bëni nëse ju teket ashtu kot. Ju e dini, nuk ka orendi shtëpiake më të pangopur se biblioteka! 

V(S)ENDE DHE S(V)ENDE LEXIMI. Kështu ndodhi kur kuptova se leximi mund të ishte pasioni im. Dhe, si çdo pasion, ai ka sendet dhe vendet e tij të posaçme që e dallojnë: skedari-inventari i librave, vula personale e bibliotekës, një filxhan çaji i personalizuar, bishti i sirenës për të futur këmbët për të më mbajtur ngrohtë në dimër, një jastëk-pufte të butë që të zhytesh në lexim, një abazhur muri si re me ngjyra, madje edhe krahët e kurorën e engjëllit të leximit, të bëra posaçërisht prej fletësh libri. 

Si libër-bërëse që është, mami im e di se: LEXIMI KA NEVOJË PËR NJË FOLEZË. Kështu, kur ne jemi jashtë në natyrë pikasim ndonjë vend të rehatshëm, si poshtë një shelgu, në tunelin me bimë, në një zgavër peme etj... një qoshk të tërin për vete. 

Por edhe në shtëpi: ajo më krijon hamok lëkundës me çarçaf e jastëk mu poshtë tryezës, tendë indianësh mu në mes të shtëpisë, jastëkë të rehatshëm, një kolltuk leximi me xhep për librat, e madje edhe një karrige autori nëse mua më teket të shpik ndonjë histori (se deri tani këtë gjë e bëja para pasqyrës). 

A ju kam thënë se ne kemi një baule që e quajmë BAULJA LIBËRBËRA? Aty  kemi futur librat prej kartoni që kemi bërë vetë: unë, mami dhe motra. Janë libra për vetëm një lexues: për mua, ashtu siç janë edhe librat-album të personalizuara që mami më dhuron çdo ditëlindje... se që thoni ju, ajo di të bëjë vetëm dhurata prej letre. :P

Ja, prej të gjitha këtyre, në murin tim tani ka një certifikatë zyrtare dhënë nga Ministria e Kulturës në fushatën për nxitjen e leximit. 

Që atëherë ka kaluar pak kohë dhe unë jam ende në pritje që mami të përmbushë premtimin për të më bërë personazh libri... e ka pothuajse gati... pret vetëm të gjejë një botues. Por duke parë se isha shumë e mirë si personazh, ajo më bëri edhe personazh kryesor të filmit  “Mbretëreshë Teuta”, i cili pritet të promovohet për festat e nëntorit e për të cilin do t’ju flas herës tjetër.  


Më ndiqni në faqen e Facebook-ut IRELART dhe ju pres të gjithëve në promovim! 


Irel Çupi


Vijon... 


(Portali Shkollor)

2,954 Lexime
6 vjet më parë