Gara e maturantëve, afatet dhe kriteret për të fituar universitetin

Kandidatët apo maturantët të cilët këtë vit do të konkurrojnë për të hyrë në universitete e vendit do të ndjekin një tjetër rrugë, nga ajo e 10 viteve të kaluara.

Kandidatët apo maturantët të cilët këtë vit do të konkurrojnë për të hyrë në universitete e vendit do të ndjekin një tjetër rrugë, nga ajo e 10 viteve të kaluara. Kështu, sipas ligjit të ri të Arsimit të Lartë nuk do të ketë më Maturë Shtetërore për rankimin e fituesve në universitete, por kriteret e vendosura nga vetë institucionet e arsimit të lartë se bashku me notën mesatare. Një tjetër ndryshim i këtij viti është edhe afati kohor se kur do të shpallen fituesit.

Ndryshe nga vitet e kaluara nuk do të jetë muaji shtator koha e shpalljes së fituesve, por muaji korrik, menjëherë pas përfundimit të Maturës Shtetërore. Por si do të bëhet shpallja e fituesve. Vetë universitetet do të përcaktojnë kriteret e pranimit. Kështu nëse një kandidat do të konkurrojë në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Ekonomisë duhet të ketë aftësi të mira në Matematikë, Ekonomi, Fizikë dhe Gjuhë të huaj. Pasi të gjitha këto lëndë do të kenë 50% të peshës së pikëve që duhet të sigurojë kandidati. Kurse në krahun tjetër kandidati pikët do ti sigurojë nga nota mesatare.

Artet dhe sportet

Të vetmet Universitete të cilat do të kenë konkurse janë Universiteti i Artëve dhe ai i Sporteve sikurse ka ndodhur edhe gjatë viteve të tjera. Kandidatët që do të konkurrojnë në këto dy universitete do testohen mbi aftësinë të që kanë në sport dhe art, pikërisht në profilet që ata do të përzgjedhin. Ndërsa Universiteti i Arteve nuk i ka publikuar ende kriteret, për maturantët të cilët do të konkurrojnë tek sportet nota mesatare do të ketë 40% të peshës, kurse formimi fizik dhe intelektual do të ketë 60% të pikëve të pranimit.

Universiteti i Tiranës 

Universiteti i Tiranës ka vendosur dy kritere për pranimet, 50% të vlerësimit e ka nota mesatare e shkollës së mesme. Pra mesatarja aritmetike e tri viteve, përfshirë edhe rezultatet që marrin në maturën shtetërore dhe 50% të vlerësimit e ka mesatarja e gruplëndëve, në mënyrë specifike sipas drejtimeve që ka Universiteti i Tiranës. Çdo fakultet ka përcaktuar gruplëndët e veta, në lidhje me formimin dhe degët që ai ofron. Ndërkohë në këtë universitet nuk do të ketë konkurs për pranimet e studentëve të rinj.

Mjekësia 

Universiteti i Mjekësisë në kriteret e veta të pranimit, përveç notës mesatare dhe pikët nga gruplëndët ka shtuar edhe mesataren e Maturës Shtetërore. Sipas vendimit nota mesatare e Maturës Shtetërore do të ketë një peshë prej 35%, edhe nota mesatare e tre viteve të shkollës së mesme do të ketë një peshë prej 35%, kurse lëndët formuese 30%. Sa i përket lëndëve formuese pikët janë ndarë në: kimia 10%, biologjia 10%, fizika 6%, Sociologjia 2% dhe filozofia 2%. Por përveç kritereve të pranimit, Universiteti i Mjekësisë ka shpallur edhe notat mesatare të pranimit për ciklin e parë dhe ciklin e dytë të integruar. Cikli i dytë i integruar pikërisht degët e mjekësisë, stomatologjisë dhe farmacisë do të kenë mesataren 8.5. Kurse degët e tjera si infermierisë, mami, fizioterapi, teknik labratori, imazheri dhe logopedi në ciklin e parë të studimeve nota mesatare është përcaktuar 8. 

Politekniku 

Rektori i Universitetit Politeknik në kriteret e tij të pranimit të studentëve do të ketë notën mesatare dysheme si dhe mesataren e lëndëve të caktuara. Nota mesatare në këtë universitet është propozuar 6, ndërkohë që studentët të shpallen fitues duhet të sigurojnë edhe mesataren e lëndëve të caktuara, siç mund të jetë ajo e Matematikës, Fizikës etj. Për këto lëndë do kërkohet që mesatarja të mos jetë më pak se 7, në varësi edhe propozimeve që ka bërë secili Departament.

Universitetet e rretheve ende pa shpallur kriteret

Universitetet e rretheve ende nuk i kanë shpallur zyrtarisht kriteret e pranimit të studentëve të ciklit të parë për këtë vit. Të gjithë drejtuesit e tyre i kanë dërguar Ministrisë së Arsimit propozimet të cilat kryesisht kanë të bëjnë me dy nota mesatare; një ajo e tre viteve të shkollës së mesme dhe mesatarja e lëndëve formuese sipas fakultetit ku kandidatët do të konkurrojnë. Kërkesat e bëra nga të gjitha universitetet duket se kanë qenë të unifikuara, pasi mënyra e përzgjedhjes së kandidatëve është e njëjtë. Ndërkohë sa i përket notës mesatare, këtë vit asnjë nga universitetet nuk do të pranojë maturantë të cilët notën mesatare e ka më të vogël se 6.  

Mesatarja 

Nota mesatare shkollës së mesme për pranimin e studentëve këtë vit në pjesën dërrmuese të universiteteve do të jetë 6.

Fituesit 

Ndryshe nga vitet e kaluara fituesit në Universitete këtë vit do të shpallen përgjatë muajit korrik, me përfundimin e Maturës Shtetërore.

Konkurset 

Vetëm dy universitete do të kenë konkurs për pranimin e studentëve këtë vit. Do të jetë pikërisht universiteti i Arteve dhe ai i Sporteve të cilët do të testojë kandidatet për formimin sipas degëve.

(Shqiptarja.com)

2,887 Lexime
8 vjet më parë