Aktualitet

Dita Ndërkombëtare e Arsimit, prezantohet nisma “Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe”

Në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, MAS ka prezantuar nismën më të re, "Konkursin Kombëtar të Gjuhës Shqipe", një sprovë e bukur mes nxënësve që i shërben mbrojtjes e kultivimit të gjuhës shqipe brez pas brezi. Më poshtë gjeni detajet se si do të realizohet konkursi.

Në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit Ministria e Arsimit ka prezantuar nismën më të re, që lidhet me prioritetin e ruajtjes dhe forcimit të gjuhës shqipe. 


Në këtë kuadër është shpallur Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe midis klasave të 9-ta nga të gjitha shkollat dhe qytetet e vendit. Sipas ministres së MAS, Evis Kushi, konkursi do të zhvillohet në dy faza. Faza e parë do të zhvillohet në nivel zyrash arsimore dhe e dyta në nivel kombëtar. Zhvillimi i fazës së dytë të konkursit do të transmetohet në Televizionin Publik Shqiptar, RTSH shkolla deri në muajin maj, në 13 episode dhe një finale të madhe. 


“Sot është Dita Ndërkombëtare e Arsimit, një ditë që duhet të ndërgjegjësojë të gjithë shoqërinë  se arsimi është vlerë, është fuqi, por është e mirëqenie. Nëse kërkojmë sukses dhe progres atë nuk mund ta arrijmë pa një arsim cilësor. Nëpërmjet tij një qytetar bëhet më kritik, njeh të drejtat e veta, rrit mundësitë e punësimit, e në fund të fundit përmirëson cilësinë e jetës për veten dhe familjen. E sot, në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit ne prezantojmë nismën më të re, që lidhet me prioritetin e ruajtjes dhe forcimit të gjuhës shqipe. Në këtë kuadër shpallim Konkursin Kombëtar të Gjuhës Shqipe midis klasave të 9-ta nga të gjitha shkollat dhe qytetet e vendit. Në këtë mënyrë ne do të mund të kthejmë vëmendjen e nxënësve, të rinjve, por jo vetëm, te standardet e gjuhës shqipe duke vlerësuar veçantinë e saj si dhe nevojën për ruajtjen dhe forcimin brez pas brezi. Të dashur nxënës, studentë, mësues pedagogë, arsimi është një mision i shenjtë, ku duhet të angazhohemi të gjithë bashkë. Ne nuk mund t’ja dalim të vetëm por bashkë me ju ne mund të ecim drejt zhvillimit dhe të bëjmë të pamundurën për të ardhmen e Shqipërisë sonë të dashur. Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Arsimit!”, kështu është shprehur Kushi në një postim me rastin e kësaj dite. 

 


Detajet e Konkursit 


  • Konkursi, duke qenë një event i gjerë, ka një program orientues të hartuar nga ASCAP dhe UNICEF dhe iu është dërguar koordinatorëve që janë përcaktuar nga DPAP, për vijimin e punës dhe mbarëvajtjen e konkursit.
  • Fillimisht faza e pare organizohet mes shkollave në 54 ZVAP-e, të cilat kanë hartuar kalendarin dhe fondin e pyetjeve për konkurrimin midis shkollave. Konkurrimi do të zhvillohet midis shkollave në 31 janar 2023.
  • ASCAP-i harton pyetjet që do të aplikohen në fazën e dytë.
  • DPAP ka hartuar skemën e përballjeve të fazës së dytë, sipas DRAP-eve. Në çdo përballje/konkurs do jenë 4 skuadra. Në finale do të përballen 4 skuadra nga 4 DRAP-et, Lezhë, Durrës, Korçë dhe Fier.
  • Do të jetë i nevojshëm organizimi i transportit/ logjistika, për grupet e nxënësve/ grupeve fituese në nivel ZVAP/ DRAP për në RTSH, ku do të transmetohen 13 episode + 1 finale.
  • Për caktimin e ambientit ku do të xhirohet konkursi, është dakordësuar salla e liceut artistik “Tonin Harapi”. 
  • Transmetimi në RTSH është parashikuar të fillojë në muajin mars deri në fillim të majit, do të transmetohen 14 episode nga 1 orë e gjysmë konkurs gjuhe mes shkollave të Republikës së Shqipërisë.
  • Vlerësimet do të bëhen me juri profesioniste (me pedagog i fushës gjuhë shqipe-letërsi, përfaqësues nga MAS, etj.)




N.Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,847 Lexime
1 vit më parë