BOTIM I RI

Albas sjell në shqip variantin e plotë të “Ana flokëkuqja” të autorit kanadez Lucy Montgomer-it

Këtë vit shtëpia botuese ALBAS, del para lexuesit me variantin e plotë të një prej romaneve klasikë, nga më të bukurit e më të lexuarit e letërsisë botërore, që rrëfen aventurat e Ana Shirlit.

“Ana flokëkuqja” e autorit kanadez L. M. Montgomery.


Pas botimit  vitin e kaluar të Ana Flokëkuqes, një variant i shkurtuar për fëmijë, këtë vit shtëpia botuese ALBAS, del para lexuesit me variantin e plotë të një prej romaneve klasikë, nga më të bukurit e më të lexuarit e letërsisë botërore, që rrëfen aventurat të Ana Shirlit.


Për shumë ditë qëndrova e mbërthyer jo thjesht nga detyrimi i punës, por nga kënaqësia në jetën dhe bëmat e Ana Flokëkuqes, vajzës që mbeti jetime e që u rrit duke punuar që foshnjë, vajzës plot jetë e gjallëri, që 11 vjeçe u bë pjesëtare e denjë e familjes Kuthberti në Çatiblertë. Fantazia e saj pa cak, dashuria për natyrën e Evjolit, shpërthimet e saj të sinqerta, të folurit e rrjedhshëm e papushim dhe aventurat në kërkim të më të mirës së vetes dhe të shoqërisë së saj, të lënë pa frymë. Ato e bëjnë Anën të fitojë zemrat e të gjithëve.

Kurse këmbëngulja për të arritur të paarritshmen e vënë Anën në krye të listave të më të mirëve: në shkollë, në kolegj, në recitime etj. Një vajzë që di ç’kërkon dhe bën të gjitha përpjekjet që t’i arrijë. Me botën e saj të madhe ajo bën që të zgjojë dashuri të fjetura te Marila, te Methjuja, i përkushtohet me gjithë shpirt miqësisë me Dianën dhe qëndron krenare për vite të tëra ndaj Gilberit, të cilit nuk i fali fyerjen. 

E kudondodhur për ndihmë, por përkushtimi në fund ndaj Marildës, është shumë mbresëlënës.

Libri ka përshkrime të mrekullueshme, shumica e të cilave vijnë nëpërmjet përshkrimeve fantastike të Anës.

Gjej rastin të falënderoj përkthyeset e librit, Era dhe Adela Buçpapaj, që e kanë sjellë aq bukur në shqip Anën. 


(Redaktorja e librit Natasha Pepivani, Portali Shkollor) 

5,348 Lexime
5 vjet më parë