Thellësia e Marianës dhe krijesat 100-vjeçare

Mund të duket e çuditshme, por ne më shumë kemi vizituar qiellin, sesa ujërat që na rrethojnë dhe nga të cilat varet mbijetesa jonë

Shumë njerëz mendojnë se janë pronarët e botës, por harrojnë se 70 % e planetit Tokë përbëhet nga uji i oqeaneve. Më i madhi ndër ta është Oqeanin Paqësor, që zë gati një të tretën e globit. Dhe pikërisht në këtë det gjigant, ndërmjet Japonisë dhe Filipineve ndodhet dhe humnera më e thellë e Tokës: humnera e Marianës. Vetëm një herë, në vitin 1960, një ekspeditë arriti të prekte fundin e kësaj humnere me batiskafin “Trieste”. Ajo është 10.901 metra nën nivelin e detit.

Shkencëtarët mendojnë se format e para të jetës në oqean janë shfaqur para shumë e shumë vitesh... Sa vite? Para 3 miliardë e gjysmë vitesh. Madje në atë vrimë aq të thellë jetojnë kafshët më antike të planetit, të cilat shkencëtarët kanë arritur t’i vëzhgojnë vetëm nëpërmjet pajisjeve teknologjike të specializuara.

Mund të duket e çuditshme, por ne më shumë kemi vizituar qiellin, sesa ujërat që na rrethojnë dhe nga të cilat varet mbijetesa jonë.

Ujërat e oqeanit

Jetesa e organizmave të deteve dhe oqeaneve varet nga drita. Bimët dhe bakteret, si leshterikët, algat, planktonet etj., përdorin dritën e diellit për të marrë energji. Ky proces quhet fotosintezë.

Këta organizma shërbejnë si ushqim për peshqit apo kafshët e tjera të detit. Vetë këto të fundit shërbejnë si ushqim për kafshë akoma më të mëdha e kështu me radhë Kështu formohet “i pamëshirshmi” zinxhiri ushqimor!

Drita përbën jo vetëm bazën e zinxhirit ushqimor, por ajo ngroh edhe sipërfaqen e oqeaneve, duke e kthyer detin në një mjedis të përshtatshëm për rritjen e specieve të ndryshme. Ngrohja e ujit  është gjithashtu edhe një forcë lëvizëse për disa rryma.

Oqeani ndahet në tri zona, në varësi të rrezeve të dritës që mund të depërtojnë ujin.Zona e parë shtrihet nga sipërfaqja e detit deri në 50 metra thellësi. Në këtë pjesë ka mjaftueshëm dritë për bimët për të kryer fotosintezën. Ja pse të gjithë planktonet, leshterikët, algat gjenden në këtë zonë.

Zona e dytë shtrihet nga 50 metra (pra, sa mbaron zona e parë) deri në 1000 metra. Në këtë zonë ka aq dritë, sa mund t’i ndihmojë organizmat për të parë, por ajo është shumë e dobët për të kryer procesin e fotosintezës. Nëse do të ishim në sipërfaqen e kësaj zone, do të shikonin se si do të zhduket drita sa më thellë zbresim.

Zona e tretë është zona e errësirës, pasi atje nuk depërton drita e diellit. Ajo shtrihet nga 1000 metra deri në fundin e oqeanit. Në këtë zonë kafshët janë të rralla, por nuk mund të thuhet se mungojnë. Madje disa prej tyre e krijojnë vetë dritën për t’u orientuar dhe lëvizur.

Xixëllonja nënujore

Ndër llojet më të çuditshme të specieve që ndodhen në thellësinë e oqeaneve janë disa që kanë aftësi të ndriçojnë vetë. Njëri prej këtyre peshqve kaq të lezetshëm dhe kaq monstruozë në të njëjtën kohë është peshku peskatriçe, që ka një si llambë mbi kokë për të kapur prenë e saj. Në filmin “Në kërkim të Nemos”, Marlini, babai i peshkut të vogël palaço, i cili kishte humbur në fund të oqeanit, takon pikërisht një bishë të tillë...

Kafshë njëqindvjeçare

Në humnerën e Marianës ka krijesa që jetojnë në temperatura 50oC, madje disa specie bakteresh mund të jetojnë në temperaturë mbi 100oC. Natyra ka krijuar kushte jetese të ndryshme nga tonat, ja pse në të jetojnë krijesa njëqindvjeçare!

Batiskafi “Trieste”

Batiskafi “Trieste” ka qenë mjeti që ka arritur të zbresë në fund të Humnerës së Marianës. Në të ishin vetëm dy burra. Ai u projektua nga shkencëtari zviceran August Pikard dhe u ndërtua nga Kantieret e Bashkuara të Adriatikut. Ai u ble nga marina ushtarake e Shteteve të Bashkuara. Në 23 janar të vitit 1960, brenda kabinës sferike me diametër 2 m hynë Xhaku dhe vetë djali i Pikardit dhe kapitenit të anijes, Donald Vlash. Ata qenë të vetmit që kanë arritur ta shohin me sytë e tyre atë humnerë të thellë.

6,275 Lexime
8 vjet më parë