Test i mbështetur mbi komentet e çelësit të Letërsisë dhe Gjuhës shqipe (Fausti-Kopshti)
Ky është një model testi në lëndën e letërsisë i cili u vjen në ndihmë maturantëve për provimin në këtë lëndë. Ai është hartuar sipas modelit të testeve të Çelësit të Letërsisë dhe Gjuhës shqipe për Maturën Shtetërore, Albas. Në test trajtohet “Kopshti” nga vepra Fausti e Gëtes.
Test për maturantët në lëndën e letërsisë.
Fausti - Kopshti
MARGARITA
Kuptoj, zotëria juaj druan mos më lëndojë,
Më bën të skuqem begenisja juaj;
Kush udhëton mësohet shpejt
Të sillet mirë e bukur me këdo.
E di biseda ime e varfër
Nuk e kënaq një zotni kaq të ditur.
FAUSTI
Një sy, një zë prej teje më gëzon
Më fort se të gjitha dijet e kësaj bote.
( I puth dorën)
MARGARITA
Ç’po bëni zot! Si mund ta puthni këtë dorë
Kaq të rreshkët e të rrjepur?
E ç’punëra kam bërë me këtë!
Se nëna pret më shumë nga unë
MARTA
Pra, jeni imzot, gjithmonë n’udhëtim?
MEFISTOFELI
Ja që na shtyn detyra tregtare
Nga sa e sa vise shkoj i mallëngjyer
Se puna nuk më lë të rri
MARTA
Kur je i ri bën mirë
T’harbosh andej këtej në botë i lirë
Po dalëngadalë na afron stinë e ftohtë
Të gjithëve sa vdiqën si beqarë
MEFISTOFELI
E shoh këtë tmerr që së largu
MARTA
Prandaj imzot, mendojeni me kohë
(kalojnë matanë)
MARGARITA
Oh po, larg syve dhe larg zemrës!
Mirësjelljen ju e keni gjak;
Dhe kush e di sa miq që keni
Dhe më të zgjuar nga ç’jam unë
FAUSTI
Besomë e dashur, ç’quajmë zgjuarsi
shpesh është rrenë e kotësi.
MARGARITA
Si?
FAUSTI
Sa keq që thjeshtësia e mituria
Të shenjtën vlerë të tyre e veten nuk e njohin!
Që përulësia e përkoria, më të lartat
Dhurata të natyrës zemërgjerë,
Nuk çmohen siç e meritojnë
MARAGARITA
Kujtomëni ju vetëm nganjëherë,
Se unë gjej mjaft kohë të mendoj për ju.
FAUSTI
Pse ti rri fillikat vetëm në shtëpi?
MARGARITA
Po, shpesh. Shtëpia jonë e vogël është,
Po prap duhet qeverisur.
Shërbyese s’kemi, duhet të gatuaj
Të fshij, të laj e të bëj çorape;
Unë shpërndris, qëndis, psonis;
Më bien këmbë e krahë gjersa ngryset;
Në gjithë punët e shtëpisë nënën
E kam fort të përpiktë,
Se shtyn ndonjë nevojë për kursim
Ne mund të bëjmë rrojtje më të mirë,
Babai na ka lënë pasuri,
Shtëpizë e kopsht në rrethin e qytetit.
Po tash i kaloj ditët fillja vetëm;
Vëllanë e kam ushtar
Dhe motërza më vdiq.
Kam hequr mund e zi me vogëlushen;
Me gaz pranoja ato mundime prapë;
E desha fort të gjorëzën.
FAUSTI
Në qe ajo si ti, qe engjëll.
MARGARITA
E rrita vetë dhe më desh me shpirt
Na lindi pasi na vdiq babai.
Nëna s’besuam të shpëtonte,
Aq keq lëngoi në shtrat lehonë,
Dhe e mori veten aq ngadalë,
Sa s’kish fuqi as të mendonte
T’i jepte gji kërthinjës vetë
Prandaj me dorën time e rrita,
Me ujë e qumësht e mëkova;
U bë si të thuash, imja
FAUSTI
Ke ndjerë lumturinë më të dëlirë!
MARGARITA
Po dhe ca çaste të vështira
Ia mbajtja djepin afër shtratit
Një çikë të lëvizte zgjohesha
Kur gdhihej isha te kazani i finjës
E në Pazar, e shpejt në vatr’ e magje
Gjithnjë, si sot dhe nesër po njësoj
Nuk është jeta e lehtë, zot, puna
Na bën të na shijojë buka, çlodhja
(kalojnë matanë)
MARTA
Ne gratë e shkreta jemi në hall të madh
Vështirë t’i kthesh mendjen një beqari
MEFISTOFELI
Mund të ma kthesh mendjen mua
Sikur qenkësh një si ju.
MARTA
Më thoni, imzot, ende se keni gjetur,
S’ju është pleksur zemra me ndonjë?
MEFISTOFELI
Një fjalë fluturake thotë;
Vatër e ngrohtë, grua e mirë
Janë ar e xhevahirë.
MARTA
Po ju them s’ju zë malli për dikë?
MEFISTOFELI
Kush më kanë pritur miqësisht?
MARTA
Desha te them: s’mendove për martesë?
MEFISTOFELI
Me femrat s’bën shaka ai që është burrë?
MARTA
Oh, s’më kupton!
MEFISTOFELI
Më vjen keq pa masë
Po ju kuptova, qënki zemërgjerë.
FAUSTI
A munde të më njohësh, moj ëngjëllushe,
Po s’më pe të hyj në kopsht?
MARGARITA
S’e vutë re? Pulita sytë.
FAUSTI
A do më falësh për guximin
për lirinë që të fola mb’udhe,
dje kur dilje ti nga kisha?
MARGARITA
Më ngriu gjaku. S’më pat ngjarë kurrë.
Nuk ka njeri të flas keq për mua.
Mendova: “Oh, mos vu’ re gjë të keqe
Në sjelljen time, gjë të çndershme?”
M’u duk sikur më shkrepi trilli:
“Me këtë çupë mund të bësh ç’të duash!”
Megjithatë, nuk di sesi, po zemra
Filloi të rrihte në të mirën tuaj;
Por prapë m’erdhi inat me veten time,
Se nuk u zëmërova dot me ju më shumë.
FAUSTI
O vajzë e dashur!
MARGARITA
Falmëni!
(këput një luleshqerrë dhe i shkul
fletët njëra pas tjetrës)
FAUSTI
Ç’po bën? Një tubëzë?
MARGARITA
Jo, veç një lodërzë.
FAUSTI
Ç’lodërzë?
MARGARITA
Do më përqeshnit po t’ua thosha?
(shkul fletët dhe murmurit)
FAUSTI
Ç’po çuçurit?
MARGARITA
(me gjysmë zëri) Më do…s’më do
FAUSTI
Po vajzë e dashur! Fjala e kësaj luleje
Të qoftë orakull perëndish! Të do!
Kupton se çdo të thotë? Po të do?
(e kap për dy duarsh)
MARGARITA
Më dridhet zemra.
FAUSTI
Oh, mos u dridh! Të thëntë
Ky syri im, kjo dora ime
ç’nuk mund ta them me gojë
t’i jepemi për fare njeri-tjetrit
dhe tok të ndiejmë atë gëzim
që rroni për jetë. Po përjetë!
Se fundi i tij do të ishte dëshpërim:
O, jo! S’ka fund! S’ka fund!
(Ajo i shtrëngon duart, çlirohet e largohet
me vrap. Ai qëndron një copë herë i menduar
e pastaj e ndjek pas.)
MARTA
(Duke ardhur) Po ngryset.
MEFISTOFELI
Vërtet. Tash duhet edhe ne të shkojmë.
MARTA
Nuk do ju lija të iknit kaq shpejt,
Po njerëzit e mëhallës janë të ligj:
Sikur të mos kish bota tjetër punë a tjetër hall
Vështrojnë portat kush hyn e del
Si do që të bësh të marrin nëpër gojë. Po çifti?
MEFISTOFELI
Fluturonte drejt gallonjes si flutura krahëshkruar.
MARTA
Ai e do.
MEFISTOFELI
Dhe ajo atë.
Kështu e ka kjo botë.
Rretho alternativën e saktë
1. Tragjedia Fausti i ka shërbyer si burim legjenda e:
a. një vajze të varfër,
b. doktor Faustit,
c. legjenda e mbretit të Danimarkës,
ç. arti dhe kultura latine.
2. Cili element i veprës së Faustit e bën atë të jetë tragjedi?
a. fati i Margaritës,
b. rrugëtimi dhe fati i Faustit,
c. dështimi i Mefistofelit,
ç. dashuria për Helenën.
3. Gëtja është përfaqësues i:
a. romantizmit francez,
b. sentimentalizmit anglez,
c. lëvizjes Stuhi dhe Vrull,
ç. Rilindjes Europiane.
4. Cila është tema e tragjedisë:
a. ambicia për pushtet,
b. zhgënjimet në dashuri,
c. kërkimi i kuptimit të jetës, njohja e vetvetes, raporti i njeriut me realitetin,
ç. tema heroike.
5. Fausti është personazh që:
a. i kushtohet gjithë jetën shkencës dhe të menduarit për të depërtuar në fshehtësinë e saj;
b. ka inteligjencë mbi mesataren;
c. është simbol i njeriut krijues;
ç. është personifikim i shpirtit të ri e bashkëkohor;
d. të gjitha së bashku.
6. Vepra “Fausti” për nga lloji i përket:
a. tragjedisë antike,
b. poemës epike,
c. dramë romantike,
ç. poezi lirike,
d. traktat filozofik,
dh. të gjitha së bashku.
7. Cili është roli i Mefistofelit në këtë fragment?
a. të joshë Martën;
b. të ndihmojë Faustin të shtjerë në dorë Margaritën;
c. të tundojë Faustin drejt instinktit të kënaqësisë;
ç. t’i kërkojë shtrigës t’i kthejë rininë Faustit.
8. Mefistofeli është:
a. shërbëtor i Zotit,
b. e kundërta e Faustit,
c. dyzimi i qenies njerëzore,
ç. zëri i pavetëdijes njerëzore,
d. të gjitha bashkë.
9. Vendi dhe koha ku zhvillohet ngjarja në fragment është:
a. natën, oda gotike e Faustit,
b. mëngjes, dhoma e Margaritës,
c. mbrëmje, kopshti i shtëpisë së Martës,
ç. asnjëra.
10. Margarita është një vajzë naive, shpirt pastër me shumë përvojë jete (pa kulturë librash). Cili nga vargjet e mëposhtme e portretizon atë më së miri?
a. E di biseda ime e varfër/Nuk e kënaq një zotni kaq të ditur.
b. Oh po, larg syve dhe larg zemrës!/ Mirësjelljen ju e keni gjak;
c. Më ngriu gjaku. S’më pat ngjarë kurrë./Nuk ka njeri të flas keq për mua.
11. Fausti është burrë i zgjuar me shije e kulturë, por i mungon përvoja e jetës. Cili nga vargjet e mëposhtme e portretizon atë më së miri?
a. Po vajzë e dashur! Fjala e kësaj luleje /Të qoftë orakull perëndish! Të do!
b. Një sy, një zë prej teje më gëzon/ Më fort se të gjithë dijet e kësaj bote.
c. Dhurata të natyrës zëmërgjerë,/Nuk çmohen siç e meritojnë.
12. Fakti pse këto dy natyra të kundërta ushqejnë dashuri aq të madhe për njëra-tjetrën në këtë skenë, lë të kuptohet se ato:
a. e urrejnë njëra-tjetrën,
b. zëvendësojnë njëra-tjetrën,
c. plotësojnë njëra-tjetrën.
13. Përmes dashurisë për Margaritën, Fausti si personazh pëson:
a. dramën tragjike të jetës,
b. katarsisin shpirtëror,
c. dështimin e jetës së tij,
ç. fitoren e bastit me Mefistofelin.
14. Atmosfera e vargjeve në fund të fragmentit zotërohet nga:
a. dhimbja,
b. lumturia,
c. pamundësia,
ç. mahnitja.
15. Në cilën prej alternativave të mëposhtme është përdorur gjuha e figurshme?
a. Më dridhet zemra!;
b. Ia mbajtja djepin afër shtratit;
c. Po, shpesh. Shtëpia jonë e vogël është.
16. Tonet e komunikimit në këto vargje janë:
FAUSTI
Oh, mos u dridh! Të thëntë
Ky syri im, kjo dora ime
ç’nuk mund ta them me gojë
t’i jepemi për fare njeri-tjetrit
dhe tok të ndiejmë atë gëzim
që rroni për jetë. Po përjetë!
Se fundi i tij do të ishte dëshpërim:
O, jo! S’ka fund! S’ka fund!
a. entuziaste,
b. patetike,
c. lutjeje,
ç. urdhrit.
17. Në këtë episod Gëtja na jep dy skena që zhvillohen në simetri të përmbysur ndaj njëra-tjetrës. Cilat janë këto dy skena simetrike?
a. Fausti-Mefistofeli/Dhoma e shtrigave;
b. Fausti-Margarita/Mefistofeli-Marta;
c. Fausti Margarita/Dueli Faust-Vëllai i Margaritës.
18. Cili është qëllimi që autori i paraqet të dyja skenat njëherësh në fragment?
a. të krahasojë raportin mes dy çifteve;
b. të vërë në dukje cilësitë/ndjenjat e Margaritës dhe qëllimin e Faustit e ndryshimin e tij, kur njeh Margaritën;
c. të vërë në dukje cilësitë dhe qëllimet e Mefistofelit;
ç. të vërë në dukje ndryshimin mes Faustit dhe Mefistolfelit;
d. të gjitha së bashku.
19. Çfarë e dallon ligjërimin e Martës nga ai i Margaritës?
a. sinqeriteti, shprehja e ndjenjave të Margaritës dhe qëllimi i Martës;
b. fjalitë e gjata shprehëse emotive/fjalitë e shkurtra e të drejtpërdrejta;
c. përdorimi i vetës së parë njëjës/përdorimi i vetës së parë dhe i vetës së tretë shumës;
ç. të gjitha së bashku.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Letërsi XII, analizë e veprës "Pallati i ëndrrave"
Test mature, Biologji Xll, 74 pyetje me alternativa nga Programi i plotë i Maturës Shtetërore 2020
Tema orientuese për maturën shtetërore, lënda Psikologji 12 me zgjedhje