Si të përdorim rrjetet sociale në dobi të fëmijëve
Në rrjetet sociale ka aq shumë informacione pafund, por zgjedhja na takon neve, ashtu siç zgjedhim ushqimet, veshjet, librat etj. E kemi vetë në dorë se si ta shfrytëzojmë kohën për të shtuar vlerat në jetën tonë dhe të fëmijëve tanë.
Në përditshmërinë tonë ndodh që harrohemi pas celularit dhe nuk e kuptojmë si ikën koha. Sot rrjetet sociale zenë një pjesë të mirë të ditës sonë, sepse për shumicën është mjet pune. Mësuesit gjatë ditës duhet të komunikojnë me prindërit për ecurinë e fëmijëve të tyre, prindërit po ashtu.
Problemi qëndron kur në disa raste shoh nëna të reja që u japin fëmijëve të vegjël celularin në dorë për të luajtur, vetëm e vetëm të rrinë pak “rehat” në kafe dhe të bisedojnë me shoqet e veta. Situata përsëritet edhe në shtëpi. Ka raste kur fëmija qan dhe me vrap i drejtojmë celularin që të pushojë. Ndodh shpesh që fëmijët të mos largohen dot nga celulari.
Unë shtroj vetëm një pyetje: Sa vlerë ka “qetësia” e nënës kur i jep fëmijës celularin në dorë? Asnjë vlerë nuk ka, sepse më vonë kjo lloj qetësie kthehet në shqetësimin më të madh.
Evoluimi i teknologjisë
Në ditët e sotme shpesh dëgjojmë për dëmet që sjell përdorimi i tepërt i celularit. Nëse i kujtojmë nuk janë pak, por sot përdorimi i celularit dhe i teknologjisë është domosdoshmëri. Shumë aplikacione kryhen nga celulari, kudo ku ndodhemi dhe nëse nuk kemi një kompjuter pranë, përdorim celularin. Teknologjia ka përparuar shumë dhe sot është kërkesë e kohës. Madje përdorimin e teknologjisë nuk e shmangim dot, sepse është bërë domosdoshmëri, por le ta përdorim në dobinë tonë.
Dhe kur e mendoj që dikur në të gjithë lagjen tonë, kishte vetëm një familje telefon fiks dhe me shumë siklet i kërkonim të flisnim me dike në ndonjë rast të veçantë.
Si të menaxhojmë përdorimin e celularit
Nëse ne nuk menaxhojmë dot kohën tonë përpara celularit, atëherë si mund t’u japim mend fëmijëve tanë ose nxënësve? Por çfarë duhet të bëjmë ne?- lind pyetja.
Mendoj që gjithmonë e ka një zgjidhje. Detyra jonë si prindër është jo të dorëzohemi menjëherë sa herë dëgjojmë fëmijën që qan për një tekë. Ne duhet t’i tregojmë rrugën e drejtë të përdorimit të celularit. Ka shumë lojra didaktike ku fëmijët tuaj aftësohen, për veprime matematikore, gjuhësore, kurse për gjuhë të huaja, lojra për të ngjyrosur, lojra për të krijuar veshje, lojra konstruktive, etj., prej të cilave fëmijët kanë se çfarë të përfitojnë.
Ndërsa për adoleshentët ka plot faqe me informacione nga arti (përfshi këtu gjithë degët e artit në tërësi), sporti, kultura, historia, shkenca, astronomia, etj., prej të cilave zgjerojnë horizontin e njohurive. Madje sot çdo muze në botë mund ta ndjekësh online, dhe jo vetëm muzetë e artit të cilat janë me shumicë, por edhe shumë muze të llojeve të tjera sipas interesave dhe preferencave që keni. Bota është e mbushur plot me informacione të vlefshme ose jo, varet çfarë kërkojmë. Detyra jonë si mësues dhe prindër është të drejtojmë nxënësit që nëpërmjet teknologjisë të zgjerojnë njohuritë dhe dijet dhe t’i përdorin në dobi të tyre.
Lojërat e dhunshme
Fëmijët duhen mbajtur larg lojrave të dhunshme. Dhuna sjell dhunën. Pa e kuptuar ata e reflektojnë në mjediset ku rrinë, dhunën që shohin nëpër lojra dhe nëpër filma me personazhet me fuqi të mbinatyrshme. Qëndrimi i gjatë me lojra të tilla bën që ndonjëherë fëmijët nuk e ndajnë dot realitetin e vërtetë nga ai virtual.
Këtë e kam parë në klasë në disa situata ku nxënësit imitojnë sjelljet e këtyre personazheve dhe duan t’ja demonstrojnë shokut apo shoqes. Ata nuk e bëjnë me qëllimin që ta lëndojnë njëri-tjetrin, e nisin si lojë, por pakujdesia sjell dëme.
Zgjedhjet
Pra nëse e duam teknologjinë dhe pse jo të jetë pjesë e jona, duhet të jemi të kujdeshëm çfarë na ofrohet dhe çfarë zgjedhim për veten dhe fëmijët tanë. Jo çdo gjë që na ofrohet vlen. Duhet të zgjedhim midis vlerave dhe konsumit. Nuk ka pse ti rrisim fëmijët para kohe. Çdo moshë ka disa kufinj që duhen respektuar. Nuk mund të trajtojmë një fëmijë sikur të jetë i rritur dhe një të rritur si një fëmijë.
Duhet patur kujdes se mes adoleshentësh rrjetet sociale po kthehen në vatra bullizmi. Sidomos kur krijohen grupe me pjesëmarrjen e një shumice të caktuar dhe fjalët vërshojnë si lumë. Ky po që është një problem i madh sot mes nxënësve dhe që i duhet vënë kufi.
Udhërrëfyesit
Ajo që duhet të bëjmë ne si mësues dhe prindër është që t’u tregojmë rrugën e drejtë të përdorimit të teknologjisë dhe rrjeteve sociale kur janë në një moshë të caktuar. Duhet t’u rrimë pranë dhe të bisedojmë me ta duke i udhëzuar se çfarë të shohin, çfarë të postojnë dhe të shkruajnë. Një fjalë e shkruar, një foto, një koment, mund të bëhen fare mirë shkëndija e debatit mes palëve.
Komunikimi
Tregojuni gjithmonë të vërtetën, dobitë dhe rreziqet që vijnë nga një veprim i pamenduar mirë. Shpeshherë shumë tema janë tabu mes fëmijëve dhe prindërve. Mungesa e komunikimit në familje dhe në shkollë vetëm sa e thellon hendekun dhe nuk sjell zgjidhje. Nuk është mirë të mbajmë përbrenda vetes sonë mllef dhe inat, nuk duhet ta lejojmë që ky vrer të na helmojë ditën. Mjafton të komunikojmë me personin që kemi përballë, të jemi të qytetëruar në këtë komunikim dhe pa lëndime. Përpara se të lëndojmë dikë duhet ta kthejmë gishtin nga vetja. Kështu duhet të matim mirë hapat tona përpara se ti hedhim. Duhet të tregohemi të pjekur në gjykimet tona dhe mos përpiqemi ta delegojmë fajin diku tjetër. Fundja të gabosh është njerëzore. Shpeshherë kur gabojmë duhet edhe të themi më fal, edhe nëse këtë fjalë duhet t’ja themi një fëmije. Nuk na ulet autoriteti nëse i themi fëmijës apo nxënësit më fal kur e kemi gabim. Kjo është toleranca në komunikim e cila nuk sjell konflikt dhe dëme, por zgjidhje në mënyrë paqësore duke i dhënë dorën njëri tjetrit për të vazhduar përpara. Duhet të përcjellim mesazhin se si të jemi në radhë të parë njerëz me vlera dhe qytetarë të denjë.
Në rrjetet sociale ka aq shumë informacione pafund, por zgjedhja na takon neve, ashtu siç zgjedhim ushqimet, veshjet, librat etj. E kemi vetë në dorë se si ta shfrytëzojmë kohën për të shtuar vlerat në jetën tonë dhe të fëmijëve tanë. Në fund të ditës secili nga ne le të bëjë një përmledhje për kohën që kaloi e nuk kthehet më pas dhe le të nxjerrë konkluzionet e veta.
Iriana Papamihali
Artiste, mësimdhënëse, autore e teksteve shkollore
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Urimet më të bukura që mund t’i dërgoni njerëzve të dashur, miqve apo kolegëve për Vitin e Ri
Ramazan 2024, çfarë duhet të kenë parasysh mësuesit për nxënësit që agjërojnë?
Mbi rritjen e dhunës në shkolla...