Festa "ideale"

Si të organizojmë festën e fundvitit në klasë

Festa duhet organizuar me detaje me qëllime të caktuara si: argëtues, edukativ, për të nxënë por pse jo edhe për të njohur më mirë njëri- tjetrin e për të përmirësuar marrëdhëniet nxënës-nxënës, mësues-nxënës, mësues-prind.

Pothuajse të gjithë mësuesit e Arsimit Fillor, kur planifikojnë aktivitetet e klasës në fillim të vitit shkollor, një ditë të lirë ia kushtojnë festave të fundvitit, por pak kush organizon me hollësi atë ditë. Kryesisht mësuesit vënë ca tullumbace, një magnetofon me muzikë dhe fëmijë që kërcejnë. 


Pikërisht ky është një moment që duhet organizuar me detaje me një qëllim të caktuar, madje me disa qëllime si: argëtues, edukativ, për të nxënë por pse jo edhe për të njohur më mirë njëri- tjetrin e për të përmirësuar marrëdhëniet nxënës-nxënës, mësues-nxënës, mësues-prind.


Kur bisedojmë për planifikimin e projekteve në klasat e para, dyta, mësuesit hidhen: Po çfarë projekti mund të bëjnë ata. Janë shumë të vegjël. Unë mendoj se është shumë e lehtë të organizosh një projekt për një ditë të tillë. 


Si fillim pyesni nxënësit se si kanë dëshirë ta organizojnë këtë festë.


Pastaj hidhni në letër një plan për të gjitha veprimtaritë, detyrat, kohën, pjesëmarrësit si për çdo projekt tjetër. 


Ndani klasën në grupe duke shfrytëzuar prirjet që kanë, por dhe më qëllim për të përmirësuar diçka, që do të thotë: grupet e punës të jenë të tilla që të kenë një apo dy nxënës që mendoni se e kryejnë shumë mirë atë punë, por dhe nxënës që  kanë nevojë të përmirësohen në atë drejtim.


Një grup mund të caktohet për të recituar poezi. Caktoni në këtë grup edhe nxënës që kanë vështirësi në të lexuar, sepse ata do të kenë një qëllim më shumë për të përmirësuar leximin.


Një grup mund të merret me zbukurimet e klasës. Për këtë detyrë do të marrin pjesë të gjithë nxënësit dhe ju mund të shfrytëzoni orët e arteve pamore, por detyra e këtij grupi mund të jetë të udhëheqë, drejtojë, ndihmojë nxënësit e tjerë që kanë më pak aftësi në këtë drejtim. Në këtë grup mund të aktivizoni nxënës që  janë hiperaktivë që kanë nevojë të lëvizin nga banka. Mund të vini në të njëjtin  grup nxënës që mbase nuk kanë raporte të mira me njëri-tjetrin (kemi plot të tillë nëpër klasa). Këtyre do t’i jepni shumë qartë detyrën si p.sh.: Ju të dy do të ngjisni yjet në dritare apo diçka të ngjashme. Do të shihni se kur punojnë bashkë, raportet mes tyre do të përmirësohen.


Këmbëngulni tek zbukurimet e bëra me dorë, pasi nxënësit do të marrin më shumë kënaqësi nga puna e tyre. Për këtë detyrë, mund të kërkoni që nxënësit të sjellin në klasë një zbukurim, ornament etj. të punuar së bashku më një njeri nga familja, kujdes, kjo nuk duhet të jetë e blerë në dyqan, por e bërë me dorë. Për këtë vini në dijeni prindërit më parë. Është rasti që të ftosh prindërit të bashkëpunojnë dhe po t’i ftoni duke i sqaruar për pritshmëritë që keni një bashkëpunim të madh. 


Përcaktoni këngët që do të këndohen dhe bëni prova në orën e muzikës


Mund të punoni një koreografi të vogël në orën e kërcimit.


Orën e matematikës mund ta lidhni me format gjeometrike të zbukurimeve të ndryshme. Apo duke krijuar situata problemore si p.sh.: Numërohen ornamentet zbukuruese që janë përgatitur dhe u kërkohet që t’i ndajnë me numër të barabartë, apo kaq më shumë e kaq më pak nëpër dritare, pemë etj. 


Mos harroni që të bëni një skaletë me veprimtaritë e ditës që të mos i lini vend rastësisë. Pasi t’i keni bërë të gjitha këto, mund të organizoni festën finale. 


Ju uroj punë të mbarë dhe festa të gëzuara!


(Nga Drita Kolndreu, Portali Shkollor)

20,916 Lexime
7 vjet më parë