Bullizmi ose tallja

Si ndodh bullizmi në shkollë dhe cilat janë masat që duhet të ndërmerren?

“Ngacmimi mund të fillojë në klasë, në oborr dhe në rrugë. Përmasat e këtij fenomeni sot janë të frikshme. Mendoj se duhen bërë ndryshime në rregulloret e brendshme të shkollave për të kuptuar që ngacmimi, tallja ndaj dikujt, përbën shkelje” shkrim nga Iriana Papamihali.

Nga Iriana Papamihali

Artiste, mësimdhënëse, autore e teksteve shkollore




“Gjuha kocka s’ka, por kocka thyen”.

Si ta parandalojmë bullizmin?

Më erdhi në mend kjo thënie që më duket shumë aktuale për kohën që po jetojmë. Është e vërtetë që fjala të lëndon shumë, sepse të vret thellë në shpirt.


Në ditët tona e dëgjojmë të përdoret shpesh kjo fjalë e huaj. Bullizmi në gjuhën tonë do të thotë ngacmim. Ky ngacmim sot paraqitet në shumë forma, por kuptimi është i njëjtë, TALLJE. Është bërë si modë që fëmijët e çdo moshe qofshin, të ngacmojnë njëri-tjetrin dhe jo vetëm me fjalë, edhe me gjeste edhe me shikim, edhe me shpifje, edhe me dhunë fizike. Përmasat e këtij fenomeni sot janë të frikshme, sepse këto ngacmime, kanë target jo vetëm nxënësit, por edhe familjet e tyre. Tashmë ky ngacmim po arrin deri te mësuesit. Ky është një fenomen zinxhir që po përhapet me shpejtësi sot. 


Ngacmimi mund të fillojë në klasë, në oborr dhe në rrugë. Sapo nxënësit marrin telefonat në dorë, fjala merr dhenë duke u përhapur në kohë rekord nëpërmjet rrjeteve sociale, që shpesh janë burimi i të gjitha zënkave mes të rinjve. 


Ndodh që ngacmimet të jenë mes individëve ose edhe mes grupeve të caktuara shoqërore. Mos harrojmë që ka individë që janë më të ndjeshëm se të tjerët dhe një ngacmim dhe tallje nga dikush, i bën të ndjehen keq dhe nëse fenomeni nuk ndalet, atëherë reagimet mund të jetë me pasoja të rënda. Përdorimi i rrjeteve sociale pa pasur kontrollin prindëror, bën që edhe ngacmimi të jetë më i madh. 


Shpesh kalojmë nga njëra fushatë te tjetra me parrulla dhe postera. Kjo është njëra anë e medaljes. Nxënësit do t’i lexojnë këto, do t’i dëgjojnë edhe në orët edukative dhe nga media. Sa të dalin nga dera e shkollës do t’i harrojnë dhe historia do të fillojë atje ku mbeti, duke gjetur gjithmonë dikë për ta ngacmuar me një dëshirë edhe më të madhe për ta tallur. Për nga mosha që kanë nxënësit ndikohen nga njëri-tjetri më shumë duke imituar shokun ose shoqen dhe vepruar si ata.


Mendoj se duhen bërë ndryshime në rregulloret e brendshme të shkollave për të kuptuar që ngacmimi, tallja ndaj dikujt, përbën shkelje. Tashmë bullizmi nuk është një fenomen që duhet anashkaluar me indiferentizëm. Shumë prindër nuk e kuptojnë që ky problem zmadhohet pasi nxënësit largohen nga shkolla. Me këtë nuk dua të them që ne si mësues i lamë duart, për sa kohë nxënësit largohen nga shkolla. Mësuesit edhe pas pune kanë komunikim të vazhdueshëm me prindërit për ecurinë dhe problemet e nxënësve të tyre duke u bërë faktor i rëndësishëm në zgjidhjen e problemeve. Por shumica e prindërve duan ta heqin përgjegjësinë nga vetja dhe t’ja delegojnë atë shkollës edhe kur ngjarjet ndodhin më pas. Ndodh shpesh që një nxënës ndryshe sillet në shkollë dhe ndryshe në shtëpi dhe kjo ka sjellë debat mes palëve. Në këtë rast fjala e mësuesit nuk bëhet e besueshme dhe prindi nuk merr përsipër përgjegjësitë që i takojnë në raste të caktuara.


Barra më e madhe në luftën kundër bullizmit i mbetet shkollës. Duhen aplikuar politika të tilla ku të përfshihen jo vetëm mësuesit, por edhe punonjësit e shërbimeve sociale, duhen bërë biseda të ndryshme me nxënësit dhe jo sipërfaqësore. Secili mësues në lëndën e tij mendoj që duhet të ketë në fokus luftën kundër ngacmimeve, talljeve në mënyrë që, nesër mos përshkallëzohet ky fenomen dhe të arrijë deri në ekstrem. 

Ka edhe një teprim të fjalës bullizëm, për çdo gjë të vogël nuk mendohen dy herë por thonë: “Ky ose kjo më bullizon”. Prandaj mendoj që përgatitja e një rregulloreje për klasën ose shkollën, do të shmangte disa nga kontradiktat e keqpërdorimit të fjalës së thënë dhe të shkruar nga nxënësit. Duhet mbajtur një qëndrim i caktuar dhe pa kompromis kundrejt bullizmit, duke gjetur më parë shkakun dhe prejardhjen, vetëm atëherë do jemi në gjendje ta parandalojmë. 


Marrëdhëniet njerëzore janë komplekse. Në institucionet arsimore kjo marrëdhënie duhet të bazohet mbi respektin reciprok mes palëve. Mësuesit duhet të reflektojnë profesionalizëm, duke mbajtur një qëndrim me dinjitet përballë çdo konflikti, sidomos kur ky konflikt ka protagonist nxënësin. 


Nëse në një shoqëri nuk do të ketë më respekt dhe dinjitet, atëherë më vjen në mendje shprehja e urtë popullore: “Ç’të mbjellësh, do të korrësh”. 



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

564 Lexime
10 muaj më parë