Shkrimi i dorës, art drejt humbjes?
Shkrimi i dorës për hir të së vërtetës është art më vete. Art i cili po shkon drejt harresës pasi vendin e fletoreve e ka zënë teknologjia. Duhet të kujtojmë se shkrimi i dorës mbetet origjinal, i bukur, i thjeshtë dhe unik...
Sa herë flitet për shkrimin e dorës, mendimet e para na dërgojnë instiktivisht tek mësuesit e klasës së parë. Figura e tyre mbetet e paharrueshme e pazëvendësueshme. Mundi për t’u mësuar nxënësve shkronjat është i jashtëzakonshëm.
Shkrimi i dorës për hir të së vërtetës është art më vete. Art i cili po shkon drejt harresës, vendin e fletoreve e ka zënë teknologjia dhe të lapsit e kanë zënë tastierat elektronike. Mendja dhe gishtat po kthehen në robotë të të shkruarit e po funksionojnë vetëm mekanikisht.
Nuk dihet se sa kohë iu desh mësuesit tonë të na mësonte se si shkruhej një shkronjë e shqipes, sa herë mund të ketë ardhur te banka për të na mbajtur dorën dhe të mendojmë se nuk ishte vetëm një nxënës, por disa e kështu breza me radhë… Kaq shpejt duhet të harrojmë të shkruajmë?!
Tastierat elektronike mbeten vetëm kursyes të kohës dhe asgjë më shumë. Shkrimi i dorës mbetet origjinal, i bukur, i thjeshtë dhe unik. Sa më pranë teknologjisë të jemi, aq më larg shkrimit me dorë do të qëndrojmë. Atmosfera e festave nuk ndjehet më pëmes kartolinave të shkruara me dorë. Nuk dërgojmë dhe nuk marrim letra, mjaftohemi me një mesazh, ku në shumicën e rasteve të shkruar edhe me shkurtime gjë që është akoma më e rëndë. Teknologjia nuk po e ndihmon gjuhën shqipe, po e deformon dhe shkatërron atë. Bukurshkrimi po venitet.
A nuk do të jetë turp që nëse një ditë të takojmë një të ri në rrugë dhe t’i kërkojmë një adresë që t’a shkruajë në një letër dhe të përgjigjet se nuk di të shkruajë me dorë?
Përgatiti për publikim P.Shtini
Shkroi Elsa Sula, mësuese e Gjuhës Shqipe
Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Forbes: "Nuk ka më mësues të rinj, kriza epike që po përballet e gjithë bota në vitin 2024"
Roli dhe detyrat e mësuesit koordinator për sigurimin e cilësisë në arsimin dhe për këshillimin e karrierës
Historia e shkrimit