BINJAKET E SHQIPES

Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi, mësueset e para të gjuhës shqipe

Do ishin mësueset e para shqiptare në shkollën e vashave dhe vite më pas do bëheshin drejtueset e saj. Sa guxim, sa ngadhënjim, sa forcë! Karriera e motrave Qiriazi të bën përshtypje në një kohë obskurantizmi. Por ia dolën në udhëtimin e arsimit shqip.

Në vitin 1891, Korça qyteti më elitar shqiptar, qyteti i dijeve dhe i mësonjëtores së parë shqipe do të shënonte dhe hapjen e një shkolle për vashat. Ishte një hap i madh për kohën. Ndoshta më moderni. Në një kohë kur prej pesëqind vjetësh sundonin osmanët, të cilët e kishin mbajtur në obskurantizëm popullin shqiptar dhe veçanërisht femrën, hapja e një shkolle për vashat do të ishte një kthesë vendimtare drejt emancipimit.


Të ishe mësues në atë kohë për meshkujt ishte e vështirë sepse të rrezikohej jeta në çdo moment nga turqit, dhe qarqet shoviniste greke, të cilët dënonin çdo përpjekje për mësimin e gjuhës shqipe. Janë jo të rralla rastet kur ata që predikonin shqip dhe mësuesit e parë vdiqën në mënyrë të llahtarshme e të mistershme.

Por brezi i shqiptarëve që rritej në atë kohë do ishte me të vërtetë brezi i artë i kombit shqiptar. Ata e adhuronin kombin, ata edukoheshin me një frymë të tillë, ku jeta nuk ishte asgjë para këtij ideali të çmuar. Dhe jepnin çdo gjë për idealin. Ishte një frymë mahnitëse shqiptare.


Motrat Qiriazi do të ishin pjesë e kësaj fryme, pjesë e këtij ideali me emrin komb. Dhe do realizonin diçka që deri në atë kohë as nuk ishte menduar e jo më të bëhej realitet. Do ishin mësueset e para shqiptare në shkollën e vashave dhe vite më pas do bëheshin drejtueset e saj. Sa guxim, sa ngadhënjim, sa forcë!


Të bën përshtypje karriera e tyre në një kohë obskurantizmi. Por ia dolën. Të dyja bashkë në udhëtimin e arsimit shqip, aq sa më të drejtë mund të cilësohen si binjaket e shqipes së çmuar.

Sevasti Qiriazi

“Motër, punë më të mirë dhe më të vyer nuk mund të bësh për Shqipërinë e mjerë”.

Për Sevastinë kjo ishte porosia dhe “bekimi” i Naim Frashërit, kur e takoi në Stamboll dhe i firmosi diplomën e arsimit të lartë në Ministrinë e Arsimit turk.


Dhe në fakt të dyja do shkëlqenin në karrierën e tyre në një vend të vështirë si Shqipëria duke dhënë kontribute të çmuara jo vetëm në arsim por dhe në emancipimin e gruas shqiptare.


Ishin të pandara në veprimtarinë e tyre derisa vdekja i ndau. Së bashku do ishin mësueset e para të shkollës së vashave, më pas do shkonin në Rumani dhe në Amerikë ku do jepnin një kontribut të padiskutueshëm dhe në revistën “Ylli i mëngjesit” në Amerikë.

Parashqevi Qiriazi 

Ajo që do ndriste pak më shumë nga këto veprimtare patriote dhe ndër më të kulturuarat në jetën shqiptare do ishte Parashqevia. Rezultatet e saj do ishin shkëlqyese.


Parashqevi Qiriazi do të lindë në 2 qershor të vitit 1880 në Manastir. Shkollën e parë fillore dhe të mesme do ta kryente në vendin e saj të lindjes. Më pas do të vazhdojë studimet në kolegjin e Stambollit për vajza në degën e letërsisë dhe do të shquhej për veprimtaritë e saj studentore.


Ëndrra e saj e madhe ishte të kontribuonte për atdheun. Në një kohë të artë ku veprimtaria patriotike ishte në kulmin e saj njerëzit më të ndritur të kombit shqiptar iu përkushtuan ideve kombëtare dhe veçanërisht çështjes së gjuhës shqipe. Kështu ajo u bë mësuese dhe pak muaj më vonë drejtuese në Shkollën shqipe të Vashave në Korçë.


Parashqevia do të marrë pjesë në Kongresin e Manastirit ku u hartua alfabeti shqip dhe ajo do të përpilonte këngën e Famshme të alfabetit.


Në 16 janar të vitit 1909 Parashqevia do të hartojë në bazë të alfabetit të ri të vendosur nga Kongresi i Manastirit abetaren shqipe që është teksti i parë i hartuar me alfabetin e ri.


Në vitin 1912 ajo do regjistrohet në studimet pauniversitare për pedagogji në Kolegjin e Oberlinit në Ohaio, SHBA. Dhe aty ajo do shkëlqente me temën e saj të doktoraturës që ishte: “Zhvillimi i shkollave në Perandorinë Turke dhe një sistem ideal i arsimit në Shqipëri”.


Në Amerikë ajo hartoi dhe programin mësimor të Qeverisë së Përkohshme të Ismail Qemalit.


Për shkak të fillimit të Luftës së Parë Botërore në vitin 1914 do të largohet nga Shqipëria. Gjatë fundit të vitit mori pjesë në krijimin e partisë “Partia Kombëtare Shqiptare” në Sofje ku do të jetë sekretare.

Gjatë viteve 1917-1920 ajo do qëndrojë në SHBA ku do të hapë një revistë shumë të njohur me emrin “Ylli i mëngjesit”. Në vitin 1913 ajo emërohet drejtoreshë e shkollës së Vashave në Korçë e cila më pas do hapet në Tiranë.


Në vitet e pushtimit nazifashist do të arrestohet dhe do të internohet në kampet e përqendrimit. Pas çlirimit do t’i shtetëzohet Instituti Qiriazi. Dhe do ta ngrysë jetën si Mësuese patriote.



(Portali Shkollor) 

8,894 Lexime
4 vjet më parë