Paradokse pedagogjike të punës mësimore edukative
"Sot gjejmë shkolla me problematika të tilla infrastrukturore për të cilat konkretizimi i punës mësimore padyshim se është i vështirë për këto shkolla, në veçanti për stafin e mësimdhënësve të këtyre shkollave"
Përpara shkollës sonë, tani fare në fillim të riorganizimit si dhe gjatë procesit të zbatimit të tij, qëndrojnë një tok problemesh të ndërlikuara arsimore që ndodhin në procesin edukativo- arsimor. Riorganizimi i shkollave po të shpreheshim në mënyrë figurative, shëmbëllen me një problematikë matematike e cila të josh ta zgjidhësh, të bësh llogaritje të panumërta, prova dhe eksperimente të vërteta shkencore. Por matematika ka logjikën e vet. Para zgjidhjes së problemit duhet t’i rendisim qartë të dhënat dhe kërkesat dhe këtyre t’iu japim përgjigje për ta çuar zgjidhjen në fund. Riorganizimi kërkon ndryshimin e metodave të të mësuarit. Duhet të rritet efikasiteti i orës mësimore, të luftohet verbalizimi, të përdoret në shkallë të gjerë konkretizimi i mësimit, të zhvillohet puna e pavarur e nxënësve dhe iniciativat e tyre.
Kundrejt kësaj, reformimi i tanishëm i procesit edukativo- arsimor në vetvete doemos kërkon edhe infrastrukturë shkollore që ka kuptimin e asaj se në rast se kërkohet puna me metodologji të reja të punës, edhe këto kushte kërkohet që të jenë në nivel. Rrjedhimisht edhe sot gjejmë shkolla me problematika të tilla infrastrukturore për të cilat konkretizimi i punës mësimore padyshim se është i vështirë për këto shkolla, në veçanti për stafin e mësimdhënësve të këtyre shkollave. Megjithatë edhe pse kërkohet që mësuesi të jetë “Mjeshtër” brenda orës mësimore në kuptimin e asaj që të jetë kreativ dhe shpikës i teknikave dhe metodave të punës në përputhje me plan-programin ditor që ai mund të ketë për një orë mësimore.
Mbi punën me gabimet gjuhësore të nxënësve
Çështja e gabimeve gjuhësore të nxënësve vazhdon të jetë në rend të ditës në shkollat tona, bile edhe në klasat e larta të shkollave të mesme. Kjo çështje duhet të shqetësojë mësuesit, jo vetëm të gjuhës shqipe, por edhe të lëndëve të tjera, të cilët, të gjithë së bashku, duhet të luftojnë me këmbëngulje në këtë drejtim. Në udhëzimet e programit të gjuhës shqipe e leximit letrar thuhet: Në klasat V-VII puna e mësuesit duhet të synojë që të zhdukë gabimet ortografike, trajtat e gabuara, konstruktet e ndërtuara keq, në mënyrë që mos të ketë problem më në shkollën e mesme. Në shkolla të ndryshme kemi parë se për korrigjimin e gabimeve gjuhësore mësuesi vepron kështu: merr të korrigjojë hartimet e nxënësve me laps të kuq; ai nënvizon, prish ndonjë fjalë me këtë laps.
Pak fjalë për mësuesit e klasave të para
Punë mjaft e vështirë është ajo që bëjnë mësuesit e klasave të para e veçanërisht në fillim të vitit shkollor. Kjo vështirësi është më e pakët kur në klasat e para vijnë nxënës që kanë të përfunduar parashkollorin në të cilin edukatorët kanë pasur parasysh gjithnjë se: shprehitë që fitohen në moshën parashkollore në procesin e veprimtarisë figurative, bëhen një bazë po të asaj veprimtarie në shkollë dhe në shtëpi në vitet e mëvonshme. Fëmijët që në fillim duhet të mësohen, në mënyrë që shkolla dhe familja mos të detyrohen t’i rimësojnë, por përkundrazi, ata duhet t’i shfrytëzojnë shkathtësitë në përdorimin e lapsit që kanë rëndësi më vonë jo vetëm për vizatimin, por edhe për shkrimin. Vështirësitë e fillimit të vitit mund të evitohen në qoftë se mbahet një bashkëpunim i mirë i mësuesve të klasave të para me edukatorët, që punojnë në institucionet parashkollore.
(Nga: PhD. Can. Besjana Rexhepi; Portali Shkollor)
Vlerësimi i nxënësve në klasat 1-3, bazuar në udhëzimet përkatëse
“Ditari i karrierës”, udhërrëfyes për nxënësit e klasave të 9-ta në drejtim të zhvillimit personal dhe profesional
Teste vlerësimi për klasën e parë