Ndryshimi i formave nëpërmjet ndikimit të forcës shtytëse dhe tërheqëse - orë model nga klasa III, shkolla “Jordan Misja”
Ora model që do ju paraqesim sot është një orë e integruar jo vetëm brenda temave mësimore që i takojnë lëndëve mësimore që zhvillohen në Arsimin Fillor, por është konceptuar si një mësim i integruar edhe me ciklet me të larta ku nxënës më të rritur i japin përvojën e tyre nxënësve të një moshe më të vogël.
“Ajo që ne e konsiderojmë sot si traditë është produkt i një evolucioni të vazhdueshëm…Tradita mund të jetë një lëvizje, për të jetuar në mënyrë krijuese”- tha drejtori i shkollës artistike “Jordan Misja” Shkëlqim Sirika gjatë realizimit të një projekti nga nxënësit e klasës së tretë.
Mësuesit po shohin mënyra për të krijuar lidhje midis lëndëve dhe shikojnë ndërsa nxënësit gjejnë besim dhe zë krijues në shprehjen e tyre.
Ora e mësimit që do ju paraqesim sot është një orë e integruar jo vetëm brenda temave mësimore që i takojnë lëndëve mësimore që zhvillohen në Arsimin Fillor, por është konceptuar si një mësim i integruar edhe me ciklet me të larta ku nxënës më të rritur i japin përvojën e tyre nxënësve të një moshe më të vogël dhe së bashku sjellin një eksperiencë të re mbështetur edhe në specifikën që ofron shkolla jonë. “Mendojmë se kjo e bën interesante dhe rrit bashkëpunimin brenda shkollës në mënyrë që klasat të mos jenë të mbyllura dhe të veçuara”, tha kryetarja e ekipit lëndor të specialiteteve të departamenti figurative Dr.Blegina Bezo.
Kohët e fundit, një mësim i klasës së tretë mbi NDËRVEPRIMET (forcat e shtytjes dhe tërheqjes) në lëndën dituri natyre, shqyrtoi punën e artistit të famshëm Odhise Paskali, skulptori që skaliti historinë e shqiptarëve në vepër pavdekësie, të referuar nga mësuesi Emanuel Koko. Nxënësit dëgjuan për punën e tij dhe më pas krijuan artin e tyre duke përdorur kënde në stilin e tij. Nxënësit duhej të ishin në gjendje të identifikonin këndet që kishin përdorur dhe t'i tregonin ato në artin e tyre. Mësuese Alma Teqja, zgjodhi një fushë lëndore si dituria e natyrës dhe e integroi atë me një formë arti, ajo që bëri ishte lidhja me lëndën artistike (skulpturën) dhe gjetja e mënyrave të integrimit në mbështetje të njëra-tjetra. Ndërkohë mësuesja e arteve Dr.Blegina Hasko Bezo bashkë-planifikoi dhe bashkë- mësoi së bashku me mësuesen e arsimit të përgjithshëm për të ndihmuar në sigurimin e mësimit akademik nëpërmjet një forme arti dhe anasjelltas.
Edukimi artistik është një rrugë kryesore drejt të mësuarit, një rrugëtim zbulimi i kuptimit të mësimdhënies për përvojën estetike. Arti është një shprehje e ideve të krijuara nga imagjinata, aftësia dhe shpikja njerëzore. Ekziston një thënie "Muzika është ajo që tingëllojnë ndjenjat". Në mënyrë të ngjashme kjo vlen për format e tjera të artit. Manifestimi i lëvizjes, modulimi i zërit i hap rrugën vetes së brendshme, vizatimi zbulon shtresat e brendshme të mendjes, skulptura pasqyron vetveten e brendshme — Ky është Arsimimi. Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për edukimin artistik. Edukimi artistik është fusha e të mësuarit që bazohet në:
- Arti pamor, i prekshëm
- Artet skenike
“Nxënësit e përfshirë në klasat e artit performojnë më mirë në shkollë. Nga përvoja ime personale si mësuese në shkollën Artistike 'Jordan Misja', mendimi dhe arsyetimi më i lartë analitik dhe zëri i nxënësve përshtaten mirë me artet. Sipas Teorisë së Shumëfishtë të Inteligjencave të Howard Gardener-it, nxënësit që marrin pjesë në klasat e artit zhvillojnë një kapacitet më të madh për të mësuar, sepse ata zgjerojnë stilet e tyre të të mësuarit përtej arsyetimit gjuhësor dhe matematikor në klasat e tyre tradicionale. Është zbuluar se nxënësit që marrin klasa arti performojnë më mirë në shkollë dhe kanë një nivel më të lartë potenciali të menduari”, u shpreh Dr.Blegina Hasko Bezo.
Modeli i orës së hapur
Mësim i integruar
Klasa III
Arsimi Fillor
Tema mësimore: Ndryshimi i formave nëpërmjet ndikimit të forcës shtytëse dhe tërheqëse.
Krijimi i modeleve me plastelinë, argjile, brumë dhe materiale rrethanore.
Rezultatet e te nxënit për secilën lëndë:
Nxënësi/ja:
Lënda: Dituri natyre
Eksploron se si forcat mund të ndryshojnë formën e objekteve .
Shqyrton se si shtytja mund të përdoret për t’i dhënë formë plastelinës, argjilës, brumit etj.
Lënda: Art pamor
Përdor materiale të ndryshme për modelim. Realizon një skulpturë me mjete rrethanore. Shpjegon mënyrën e realizimit të skulpturës. Ekspozon punimet në tavolinë.
Lënda: Kurrikul me zgjedhje
Shpjegon ç’është riciklimi dhe cili është përfitimi i shoqërisë me riciklimin e materialeve të riciklueshme.
Lënda: Qytetari
Sillet si një qytetar/e i /e denjë dhe i/e aftë për të përballuar sfidat e së ardhmes. Situatat e të nxënit:
Përdorim plasteline, argjile, brumë, për krijimin e modeleve. Fjalë kyçe: forcë, shtytje, tërheqje, shqyrtoj, hetoj, skulpturë.
Baza material e përdorur: plasteline, argjile, forma, mjete pune, figura ilustruese.
Metodologjia e përdorur: Punë me grupe. Teknika e pyetjeve, Diskutim, veprimtari praktike.
Ecuria e orës së mësimit
Veprimtari hyrëse:
Një grup prej dy ose tri vetash nga nxënësit e rritur modelojnë duke përdorur materiale dhe forma te ndryshme. Shtrohet pyetja:
Çfarë po përdorin nxënësit e rritur për të ndryshuar formën e materialeve?
Përgjigje e mundshme: Ata po përdorin një çekiç dhe duart e tyre, pra po përdorin shtytjen dhe tërheqjen.
Pse përdoret forca e shtytjes dhe e tërheqjes në këtë rast?
Përgjigje e mundshme: Forcat përdoren për të ndryshuar formën e materialeve. Njihen nxënësit me ecurinë e punës. Ju do të eksploroni për të krijuar forma. Ju do të përdorni duart tuaja për të bërë një formë duke e shtrirë, shtypur, tërhequr materialin me të cilin do të punoni.
Veprimtaria e nxënësve: Ndahen nxënësit në grupe ku marrin pjesë edhe nxënësit e klasave më të larta. Kjo veprimtari drejtohet nga kryetarja e ekipit lëndor të specialiteteve të departamenti figurative Dr.Blegina Bezo.
Grupi i parë
Punon një maskë.
Si mund të krijojmë një maskë duke përdorur forma të gatshme?
Grupi i dytë
Punon një enë balte.
Si quhet mjeti që përdorim për të krijuar një enë? Cilat elemente marrin pjesë në dhënien e formës së enës?
Grupi i tretë
Punon një skulpturë me çorape.
A mund të realizoni një skulpture me çorape? Çfarë mjetesh do të përdorni?
Grupi i katërt
Punon një objekt me materiale të riciklueshme . Çfarë materialesh keni përdorur?
Ç’është riciklimi?
Cila është dobia e riciklimit?
Përgjigje të mundshme.
Pakëson sasinë e mbetjeve. Mbron shëndetin dhe mjedisin.
Ruan burimet tona natyrore,sepse ul nevojën për lëndë të parë. Punimet ekspozohen nga përfaqësuesit e grupeve.
Vlerësime të nxënësve për punën e bërë në grup.
Bisedë përmbyllëse nga skulptori Emanuel Koko
Falënderime………………………………….
Punoi: Mësuesja Alma Teqja
Ideoi: Dr.Blegina Hasko Bezo, Kryetare e ekipit lëndor
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Teste vlerësimi për klasën e parë
Teste për klasën V, gjuhë shqipe, matematikë dhe dituri natyre, periudha I
Si të përpilojmë një procesverbal