Mbrojtja e mjedisit, projekt mbi rëndësinë e punimeve me materiale të riciklueshme
Msc.Iriana Papamihali: Nxënësit e pëlqejnë shumë krijimin e objekteve me materiale të ricikluara, sepse ata nga diçka e përdorur, kanë dëshirën e madhe për të krijuar një objekt të ri artistik. Më klasat e pesta organizova një projekt me temë: “Më jep një mbeturinë, të të jap një vepër arti”.
Riciklimin e përdorim shpesh si fjalë bashkë me nxënësit.
Por sa të vetëdijshëm janë nxënësit për këtë proces kaq të rëndësishëm në ruajtjen e mjedisit?
Sa i kemi ndërgjegjësuar ne si mësues dhe si prindër fëmijët për funksionet dhe dobitë e riciklimit në ruajtjen e mjedisit dhe mbajtjen pastër të tij?
Nxënësit e pëlqejnë shumë krijimin e objekteve me materiale të ricikluara, sepse ata nga diçka e përdorur, kanë dëshirën e madhe për të krijuar një objekt të ri artistik. Më klasat e pesta organizova një projekt me temë: “Më jep një mbeturinë, të të jap një vepër arti”. Pasi bëra fushatën sensibilizuese rreth procesit të riciklimit dhe fjalëve kyç: Riciklo-ripërdor-redukto, u dhashë temën e projektit.
Nxënësit u entuziazmuan shumë dhe filluan të gumëzhinin se si do të mund të krijonin diçka të bukur. Ndërkohë kujtuam materialet me të cilat do të punonim orën e dytë të projektit. Nxënësit me padurim prisnin të vinte momenti i duhur për të krijuar veprën e artit me materiale të riciklueshme. Krijuan me tuba kartoni, me kuti kartoni, me shishe plastike, me lule artificiale, etj.
Punën e organizova në grupe në mënyrë që nxënësit të ndanin ide, mendime, përvoja dhe mjetet e materialet gjithashtu. Kur përfunduan secili grup prezantoi punën e bërë dhe me një kënaqësi të madhe nxënësit krenoheshin me punimet e tyre.
Nxënësit mund edhe të ndërtojnë një qytet duke përdorur kuti kartoni të produkteve të ndryshme.
Në mbrojtje të mjedisit mund edhe të krijohen disa mjedise nëpër shkolla ku nxënësit të ndajnë mbetjet sipas materialeve. Koshat mund të jenë plastikë dhe me nga një etiketë mund të shkruhet mbi to lloji i mbeturina që do hidhen aty. Vetë nxënësit, mund të bëjnë fushatë sensibilizuese për riciklimin, që arrihet edhe nga ndarja e mbeturinave në mënyrë që ato të përpunohen më lehtë.
Mbajtja pastër e mjedisit është detyrë e secilit prej nesh, jo vetëm e personelit përkatës. Duhet të kuptojmë që edhe në vende të zhvilluara bashkëpunohet me qytetarët, për mbajtjen pastër të mjedisit. Nuk mund të jemi indiferent ndaj fenomeneve që shohim në jetën e përditshme dhe të ikim tutje si pa të keq.
Edhe në klasë në formën e një pushimi të vogël mund të organizojmë nxënësit të kujdesen për mbajtjen pastër të klasës, duke filluar që nga mjetet vetjake, bankat etj.
Duhet ta fillojmë që në bankat e shkollës edukimin për mjedisin dhe jo vetëm të bëhet si orë mësimi, por edhe të lidhet me praktikën.
Mjedisi mbahet pastër jo vetëm duke hequr mbeturinat, por edhe duke mbjellë një lule dhe duke u kujdesur për të, duke mbjellë pemë kudo ku është e mundur në bashkëpunim me institucionet përkatëse ku vetë nxënësit të jenë pjesëmarrës. Nëse teoria do të lidhet ngushtë me praktikën, atëherë riciklimi, do të ishte më i prekshëm nga të gjithë.
Shpesh i anashkalojmë veprimtaritë praktike në lëndë të ndryshme, por nxënësit nuk kanë nevoja vetëm për të mësuar dhe shkruar me orë të tëra, kanë nevojë edhe për ajër të pastër, duke u kujdesur për mjedisin. Kështu do të mbjellim tek ata dashurinë për këtë mjedis dhe vetëm kur ta duan do të dinë të kujdesen dhe ta ruajnë atë. Duhet biseduar me nxënësit shpesh në mënyrë që ata vetë të jenë nismëtarë të ruajtjes së mjedisit, duke u bërë pionierët e kësaj nisme.
Vetëm nëse ne vërtetë i japim përgjegjësitë e duhura nxënësve për ruajtjen e mjedisit dhe i drejtojmë ata duke u dhënë shembuj konkretë, atëherë do kemi rezultatet që presim.
Nxënësit mund të bëjnë më shumë se vetëm mësime dhe detyra, ata dinë të jenë krijues dhe të papërtuar dhe nëse u tregojmë mënyrën e duhur se si të përdorin energjitë e tyre pozitive për kauza të drejta.
Përgatiti Msc. Iriana Papamihali
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Objektet e trashëgimisë kulturore, veshja popullore shqiptare
Pesëvargëshi
Test Përmbledhës, klasa e dytë