Dedikimi

Letra e mësueses Aida Haxhiu drejtuar prindërve të nxënësve të klasës së saj kujdestari, për vitin e ri shkollor 2024-2025

Kjo është një nga letrat më të veçanta që na ka ardhur këtë prag fillim viti shkollor, sepse ajo mbart mesazhe të rëndësishme dhe të ndjera të mësueses Aida Haxhiu, drejtuar prindërve të nxënësve të saj të klasës kujdestari...

Nga Aida Haxhiu

Shkolla 9-të vjeçare “Eftali Koçi” Durrës


Të dashur prindër të klasës sime kujdestare. 


Së shpejti, dyert e shkollës do të hapen për fëmijët tuaj dhe nxënësit e mi. Unë e di, që pritshmëritë tuaja ndaj meje, si mësuese kujdestare, si edhe ndaj fëmijëve tuaj, janë shumë të larta.


Kam bindjen dhe përvojën time në arsim se këto pritshmëri do të realizohen.


  Së pari: Nga ju kërkoj besimin e plotë se duke bashkëpunuar së bashku do të bëjmë të mundur që mjedisin e shkollës ta kthejmë për fëmijët tuaj si ambientin më të favorshëm për realizimin e ëndrrave të tyre. Ju premtoj se veprimtaritë dhe aktivitetet që do të zhvillohen gjatë këtij viti shkollor, jo vetëm në orën mësimore, por edhe jashtë orëve mësimore, do të bëj të mundur shfaqen e talenteve dhe prirjeve të tyre duke e kthyer jetën shkollore me një larmishmëri shumë të lartë.


  Së dyti: Të jemi të vërtetë. Sfidat tona si mësues, të tujat si prindër dhe të fëmijëve, janë bazat më të fuqishme për të ndërtuar të ardhmen e fëmijëve, për të kapërcyer çdo pengesë apo vështirësi që ata do të hasin në jetë. Shkolla i zotëron të gjitha mundësitë dhe mjetet për të qenë pranë tyre, duke i ndihmuar në kapërcimin e çdo vështirësie.


  Së treti: Premtimi im bazohet në punën time dhe në përvojën e gjatë në arsim. Mirëqenia e tyre sociale, fizike dhe mendore do të jetë prioriteti im kryesor. Këto do t’i realizoj duke bërë të mundur një bashkëpunim të ngushtë me ju, duke na dhënë ide novatore se si unë si mësues mund ta përmirësoj punën time ditore me fëmijët tuaj.


Do t’ju qëndroj gjithmonë pranë fëmijëve tuaj,duke kuptuar sa më shumë nga bota e tyre dhe duke i ndihmuar ata të jenë të lumtur dhe ta përjetojnë vitin shkollor si më të bukurin e jetës së tyre.


Duke ju uruar edhe një herë suksese për vitin arsimor 2024-2025, kam besimin e plotë se në fund të këtij viti arsimor do të kem mbajtur të gjitha premtimet e mia drejtuar juve të dashur prindër të klasës sime kujdestare.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

7,093 Lexime
3 muaj më parë