Mësuesja dhe Albi Mall!

"Kush thotë që s’ka mësues model në Kosovë?”

E dinte se ajo çfarë u mësonte fëmijëve sipas plan-programit ishte vetëm 1/3 e mësimit. Sepse, personaliteti i mësueses, vlerat, sjellja, komunikimi, pa ndërprerë përçohen valë-valë çdo çast që ajo rri me fëmijët ...

I kishte mbledhë si zogjtë, të gjithë nxënësit e klasës së saj t’i qonte në Cineplex, në Albi Mall, që të shihnin filmin “E Bukura dhe Bisha”. Sapo arritën tek shkallët lëvizëse në katin përdhesë dhe të gjithë po ngjiteshin të gëzuar, plot zhurmë, e plot energji, Arta u rrëzua, e të gjithë qeshën. 


Mësuesja, e mori Artën dhe e qetësoi, sytë iu njomën nga ajo që kuptoi: “mësuese s’kam qenë kurrë në Albi Mall dhe kurrë s’kam hipur në shkallë lëvizëse”. “S’ka gjë, ja tani ke ardhur”,- i tha mësuesja dhe po e mbante për dore tek ngjitnin shkallët, që i dukeshin mësueses si dy tullumbat e Lulit që po lëviznin. 


Edhe kur e thirrën kolegët të ulej në tavolinën e tyre, mësuesja nuk pranoi, ajo e kishte nën observim sjelljen e Artës, që dukej shumë e hutuar nga ajo çfarë e rrethonte. Ato dyqane të bukura, ajo aromë ushqimi që vinte, ishte kërcënuese, marramendëse dhe e panjohur për Artën. Mësuesja e ndjente se ç’po përjetonte Arta, andaj i rrinte afër. 


Arta vetëm kur vuri syzet 3D dhe u rehatua në ulësen e saj në sallën e Cineplex -it, harroi gjithçka, u fut në botën e filmit dhe aty u relaksua, u ndje se ajo ishte e Bukura, e dehur nga kënaqësia! Edhe kur doli nga kinemaja, nuk i hoqi syzet, s’donte ta linte atë botë, ecte pas shoqeve e shokëve. Dikur u ndal tek qoshi i një vitrine dhe tashmë po guxonte t’i vidhte me sy gjërat joshëse prapa vitrinës. 


Mësuesja iu afrua, i vuri dorën në sup, pastaj i shpupurishi flokët e saj, e Arta ndjeu ngrohtësi. “E di Arta, dua që ti t’më premtosh diçka”-tha mësuesja, tek po i zinte dy duart e Artës. Arta pohoi me rrëmbim “Ç’të duash ti mësuese”. “Mirë, i sheh këto gjëra në këtë vitrinë, edhe në ato tjerat, e sheh gjithë këtë Albi Mall gjigant”- pyeti mësuesja, ndërsa Arta pohonte me kokë. “Dua ta kuptosh mirë dhe kurrë mos ta harrosh, se gjithë Albi mall nuk vlen sa mendja dhe zemra jote” - tha mësuesja duke i prekur kokën dhe zemrën e Artës. “Ma ka thënë edhe nëna këtë, po se kam besuar, mësuese”- tha Arta duke i hequr syzet 3D pas kaq kohësh. “Por meqë e thua ti, qenka e vërtetë”- tha Arta. 


Sytë i xixëlluan dhe i erdhi ta shtrëngoj fort mësuesen. Në atë përqafimin mësueses iu duk se vuri një tullë në vetëbesimin e Artës dhe u ndje e përmbushur dhe e lumtur që nuk ishte vetëm një mësuese klase, e cila mendon se objektivat e mësimit arrihen vetëm deri sa të bie zilja e orës së fundit në klasë! Ishte e lumtur për observimin e thellë që kishte bërë, për empatinë ndaj Artës dhe për reagimin e duhur. Ajo e dinte se mbarimi i një shkollimi për mësues, mund të të kualifikojë si mësues, por të jesh mësues i vërtetë duhet ta ndjesh si një thirrje nga brenda! 


E dinte se ajo çfarë u mësonte fëmijëve sipas plan-programit ishte vetëm 1/3 e mësimit. Sepse, personaliteti i mësueses, vlerat, sjellja, komunikimi, pa ndërprerë përçohen valë-valë çdo çast që ajo rri me fëmijët dhe në mënyrë të pavetëdijshme ushqejnë vetëbesimin, dijen e fëmijëve, atyre kamerave të fshehura, apo sfungjerëve që absorbojnë gjithçka. Sa mision hyjnor të jesh mësues autentik, pohoi mësuesja në vete. "Kush thotë që s’ka mësues model në Kosovë?”- e preki në sup kolegia që po vinte drejt saj.


(Shkruar nga Teuta S. Haxhimusa, Portali Shkollor)

2,901 Lexime
7 vjet më parë