"Kur mësuesit zihen ngushtë nga reagimet e papritura të nxënësve"
“Rasti më poshtë s’është një trill, por një realitet. E rëndësishme s’është të paraqitesh në pozicionin e një të diplomuari, por të pranosh se intelektualiteti zhvillohet çdo kohë duke reflektuar në çfarëdo lloj situate me urtësi dhe maturi. Natyrshëm kjo vlen për të gjitha profesionet”, nga Evans Drishti.
Ju ka qëlluar të ziheni ngushtë nga një apo disa reagime / përgjigje të papritura të nxënësve në situata të caktuara?
Rasti i mëposhtëm sjell një realitet që ngjan jo rrallëherë në institucionet tona.
***
Tri herë i zënë në befasi:
Një nxënës hyn në mensën e shkollës dhe vë re se të gjitha vendet ishin të zëna, ndërkaq si zgjidhje shkon të ulet në tryezën ku ish ulur profesori i tij. Ky i fundit, paksa i revoltuar nga ky veprim i nxënësit, rrudh vetullat dhe i drejtohet duke i thënë në mënyrë ironike:
-Derrat dhe zogjtë s’mund të ulen në një tryezë!
Nxënësi mendon për pak çaste dhe ia kthen:
-Atëherë unë fluturoj... (Befasia e parë)
I revoltuar së tepërmi nga kjo përgjigje e nxënësit, profesori përpiqet të mbajë në mendje profilin e tij dhe pret me padurim ditën e provimit, në mënyrë që ta shohë fletën e testit të nxënësit dhe të bëjë çmos t’ia zbresë pikët në shenjë hakmarrjeje. Pasi ia kontrollon me shumë kujdes të gjitha përgjigjet e dhëna, me keqardhje vë re se nxënësi u ishte përgjigjur shkëlqyeshëm të gjitha pyetjeve.
I zënë ngushtë, mendon planin e radhës dhe kërkon të bisedojë drejtpërdrejtë me të. Pasi e thërret e pyet menjëherë:
-Do të të bëj edhe një pyetje të fundit. Nëse të zë syri në rrugë dy qese, ku në njërën ka para dhe në tjetrën tru, cilën do kishe preferuar të merrje.
-Natyrshëm që do kisha preferuar të merrja qesen me para – i përgjigjet nxënësi.
-Kurse unë do kisha preferuar të merrja qesen me tru – ia kthen profesori.
-Mundet natyrisht. Thonë se njeriu zakonisht preferon të përzgjedhë atë për të cilën ka më shumë nevojë. (Befasia e dytë)
I revoltuar sërish nga kjo përgjigje e papritur e nxënësit, profesori ia merr nga dora nxënësit fletoren e shënimeve dhe i shkruan “derr” në pjesën e përgjigjeve të testit.
Nxënësi largohet pa e vënë re shënimin, por pas pak çastesh i kthehet sërish profesorit duke i thënë:
-Profesor, kishit hedhur firmën tuaj, por kishit harruar të vendosnit notën që kam merituar. (Befasia e tretë)
Rasti që parashtruam s’është një trill, por një realitet.
***
Intelekti dhe intelektualiteti i një arsimtari domosdoshmërish dhe çdoherë qëndrojnë paralelisht të pandara dhe të pashmangshme, pasi e para ka të bëjë me mençurinë dhe instinktin e individit, ndërsa e dyta me profesionin që ushtron individi. Ndaj e rëndësishme s’është thjesht të paraqitesh në pozicionin e një të diplomuari, por të pranosh se intelektualiteti zhvillohet çdo kohë duke reflektuar në çfarëdo lloj situate me urtësi dhe maturi. Natyrshëm kjo vlen për të gjitha profesionet.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Forbes: "Nuk ka më mësues të rinj, kriza epike që po përballet e gjithë bota në vitin 2024"
Sfidat kryesore me të cilat përballen mësimdhënësit sot
Ja cilat janë 7 arsyet pse duhet të lexosh libra