Kompetenca e komunikimit në lëndën e gjuhës shqipe
Astrit Hoxha sjell një analizë të kompetencës së komunikimit dhe të shprehurit në lëndën e gjuhës shqipe, e cila si rezultat përfundimtar synon ta bëjë nxënësin komunikues efektiv.
Siç dihet tashmë, që nga shtatori i këtij viti, në Kosovë do të punohet me kurrikulën e re të arsimit, e cila bazohet në kompetenca dhe rezultate. Janë gjashtë kompetenca të njëjta pavarësisht fushës dhe lëndëve, megjithatë me një lexim të vëmendshëm mund të gjejmë elemente që janë specifike për lëndë të caktuara.
Me këtë rast, do të përpiqemi të analizojmë kompetencën e komunikimit dhe të shprehurit e cila si rezultat përfundimtar synon ta bëjë nxënësin komunikues efektiv. Në shikim të parë duket se kjo kompetencë është më e përshtatshme për lëndën e gjuhës shqipe, megjithatë është e vlefshme dhe e detyrueshme sipas kurrikulës së re edhe për lëndët tjera, meqë komunikimi në lëndët e tjera realizohet përmes gjuhës shqipe.
Në Kornizën e Kurrikulës së Arsimit Parauniveristar kjo kompetencë synohet të realizohet përmes: komunikimit nëpërmjet gjuhës amtare, komunikimi nëpërmjet gjuhëve të huaja, të shprehurit kulturor nëpërmjet simboleve, shenjave dhe shprehjeve të tjera artistike, komunikimi nëpërmjet teknologjisë informative, angazhimi dhe kontributi për dialog produktiv, respektimi i rregullave të komunikimit, dhënia dhe pranimi i informatës kthyese në mënyrë konstruktive, shprehja e tolerancës dhe bashkë ndjesisë në komunikim, inicimi i veprimeve konstruktive etj. (http://masht.rks-gov.net/uploads/2015/06/korniza-e-kurrikules11.pdf).
Ndërkaq, në Kurrikulën bërthamë për arsimin e mesëm të ulët në Kosovë ( http://masht.rks-gov.net/uploads/2015/06/kb-niveli-ii-03-04-2014.pdf), kompetenca e komunikimit dhe e të shprehurit specifikohet edhe më tej, duke u zbërthyer në veprime e aktivitete konkrete që çojnë deri te arritja e rezultatit për një nxënës – komunikues efektiv.
Natyrisht se në përputhje me kurrikulën e re, do të përpilohen edhe tekstet përkatëse, megjithatë në këtë shkrim do të përpiqemi të identifikojmë tekste, aktivitete e përmbajtje që na ndihmojnë në realizimin e kësaj kompetence.
Zhvillimi i komunikimit dhe i të shprehurit në lëndën e gjuhës shqipe, si hap të parë duhet të ketë identifikimin e llojit të tekstit nga nxënësi, nëse teksti është letrar ose joletrar, shkencor apo joshkencor dhe leximi e komentimi me shkrim duhet t’i përshtatet natyrës së tekstit dhe fjalorit përkatës.
Shfrytëzimi i burimeve të ndryshme të informacionit për të mbështetur me argumente një shkrim, identifikimi i teksteve nga letërsia popullore, dialekti, debate për tekste artistike, sidomos në prozë për të analizuar strukturën e tekstit, përdorimi i teknologjisë informative për të sjellë modele të deklamimit të poezive ose modele folësish më të mirë të standardit gjuhësor, po ashtu edhe identifikimi i regjistrave të përdorimit të gjuhës dhe përshtatja në këto situata, madje në ndonjë rast mund të përdoren edhe incizimet audio apo video, me ç’rast nxënësit vetë do të mund të identifikonin dhe vlerësonin e vetëvlerësonin punën e tyre, pengesat dhe sfidat etj.
Një element i rëndësishëm, që duhet ta kemi të gjithë parasysh është mosha e nxënësve, e cila luan një rol të madh dhe përshtatja e teksteve e përmbajtjeve mësimore duhet bërë duke marrë parasysh këtë faktor, sidomos për shkallën 4 (kl.VIII dhe IX). Synimi i kësaj shkalle është përforcimi dhe orientimi, andaj nxënësit tanë duhet të përgatiten për orientim në karrierë dhe përmbajtja mësimore edhe në gjuhën shqipe, duhet të jetë pasqyrim i këtij synimi.
Për të arritur këtë kompetencë, mund të shfrytëzohen dhe të përzgjidhen përmbajtje nga tekstet aktuale mësimore, si dhe të hulumtohen informacione nga burime të ndryshme, por edhe të krijohen materiale në bazë të kërkesave për realizimin e kësaj kompetence.
(Nga Astrit Hoxha, student në nivelin Master në Fakultetin e Edukimit)
“Ditari i karrierës”, udhërrëfyes për nxënësit e klasave të 9-ta në drejtim të zhvillimit personal dhe profesional
Vlerësimi i nxënësve në klasat 1-3, bazuar në udhëzimet përkatëse
Teste vlerësimi për klasën e parë