Iriana Papamihali, mësuesja grafik dizajnere
Prej 20 vitesh ajo frymëzon dhe është si një rreze dielli për nxënësit e saj. Pikturat që ajo bën i takojnë artit cilësor, por gjithçka e ka nisur nga të qenit grafik dizajner. Në intervistën e mëposhtme ju do të njiheni edhe më tepër me mësuese Irianën, një tjetër mësuese për t’u dashur.
Iriana Papamihalit ka mbaruar Artet e Bukura për skenografi dhe lidhja e saj me artin ka qenë shumë e hershme, që kur ka qenë 5–6 vjeçe, kjo edhe për faktin se rrjedh nga një familje artistësh, ku kultivimi i shijes për artin ka qenë i natyrshëm; babai, Vilson Halimi, ishte piktor-skenograf, mamaja, Myzejen Mullai, ishte soprano në Opera.
Por puna e saj e parë ka qenë grafik dizajner. Nga viti 2002 Iriana është mësuese, ndërkohë ajo merret dhe me art e pikturë, ndërsa është autore dhe bashkautore librash shkollorë. Nëpërmjet impulsesh zotëron artin që e ka pasion dhe, sipas saj, arti ndikon shumë në formimin e nxënësve, pavarësisht se artit nuk i jep rëndësi sa duhet, pasi ai duhet kultivuar. Në intervistën e mëposhtme ju do të njiheni edhe më tepër me mësuese Irianën, një tjetër mësuese për t’u dashur.
Iriana, janë të shumtë vitet e eksperiencës tuaj si mësimdhënëse, por ajo çka është vërtetë e veçantë në personalitetin tuaj është një disiplinë e cila ka treguar që herët aftësinë tuaj që mjedisin ta përshtatni me nevojat materiale dhe shpirtërore. Si nisi pasioni dhe puna me dizajnin? Çfarë viti daton kjo eksperience për ju; sa vjeçe ishit dhe si ishte fillimi?
Eksperienca ime me dizajnin ishte e papritur dhe u gjeta përpara një të panjohure të madhe. Në pranverë të vitit 1995, isha 25 vjeçe, ndoqa një kurs një mujor për kompjuter pranë INIMA. Po në atë vit m’u dha mundësia të filloj punë në një nga studiot e para grafike që ishin hapur në Tiranë. Për mua ishte punësimi im i parë, i cili zgjati 6 vjet, deri në vitin 2001. Dizajni grafik, ishte një disiplinë që nuk njihej në Akademinë e Arteve. Ekzistonte dega e grafikës, që artistët e ardhshëm përgatiteshin, por pa kompjuter. Unë isha diplomuar për skenografi dhe kisha me vete një diplomë dhe talentin tim. Shkolla ime e vërtetë kanë qenë ato 6 vite që unë punova si grafik dizajner. Nuk dija nga t’ia filloja, sepse dhe kursin që bëra nuk kishte lidhje me dizajnin. E vetmja qasje që kisha ishte arti, pra pjesa krijuese. Kisha disa revista të huaja mode që u bënë pika ime e referimit. I studioja natën duke parë çdo detaj të tyre, faqosjen, tekstin, fotot, reklamat. Pak nga pak kuptova më mirë se çfarë ishte dizajni. Në zyrë kishim vetëm një kompjuter dhe një printer. Imagjinoni pak që atëherë nuk kishte as internet, as cliparts. Mbaj mend që punoja me “Corel Draw 4” dhe më duhej që çdo gjë ta vizatoja vetëm me mausin. Nuk e mohoj që ishte shumë i vështirë fillimi. Madje u trishtova se më dukej e pakapshme. Në atë kohë as në shtëpi nuk kishim kompjuter. Sa herë kisha mundësi mundohesha të kuptoja çdo të panjohur të programeve në të cilat unë punoja. Nuk ngeli menu dhe opsion pa zbuluar dhe pa e kuptuar funksionin që kishte. Kështu arrita pak nga pak të aftësohesha në punën time. Puna si dizajner ishte shumë e bukur dhe më mbërthente përpara kompjuterit pa e kuptuar me orë të tëra. Dua të shpjegoj diçka, në atë kohë kishte djem dhe vajza të rinj që merreshin me faqosje, sepse qarkullonin shumë gazeta në treg. Kishte dhe piktorë grafistë që krijonin.
I mban mend punët e para? Sa interes patën ato, si u pritën ose çfarë të thanë, përshtypjet?
Shpesh në fillimet e mia bëja edhe gabime prej të cilave mësova duke përmirësuar punën time. Ndjehesha keq kur ndodhte që të gaboja ndonjë tekst apo numër telefoni. Kënaqësia e punës si dizajner qëndronte në faktin që krijoja dhe e kuptoja nga sytë e klientëve nëse kisha punuar mirë dhe kisha përmbushur pritshmëritë e tyre. Dizajni është një filozofi më vete, dhe shumë kush pretendon që di ta bëjë, por ka shumë të fshehta brenda, që nga ideja, konceptimi i kësaj ideje sipas kërkesës, duke përfshirë në një faqe gjithë misionin e produktit, si dhe të ruash parimet artistike aq të domosdoshëm për anën grafike. Pra në mënyrë simbolike dhe esenciale të krijosh në përputhje me kërkesat e biznesit dhe të tregut. Punët e para të mijat ishin kartvizita, fletëpalosje, postera, libra, kopertina librash, etiketa të produkteve të ndryshme, logo, ftesa të ndryshme, letra, zarfe të personalizuar të bizneseve të ndryshme etj. Më pas filluam të krijonim edhe reklamat ndriçuese, të cilat kur i shikoja nëpër Tiranë kujtoja edhe punën e madhe zinxhir që bënim. Ishim një staf shumë i përkushtuar dhe e donim punën.
Çfarë ndjen kur kthehesh pas në ato vite?
Ato vite janë vitet më të rëndësishme të jetës sime, për faktin që unë u aftësova aq shumë, sa akoma më vlejnë në punën time si mësuese dhe autore. Nuk jam shkëputur nga dizajni asnjë moment. Besimi që patën te unë të zotët e biznesit, u kthye në respekt dhe mirënjohje nga ana ime. Duke qenë femër ky profesion i ri për mua u bë edhe më krijues me ide që nuk shteronin, por gjeneronin nga impulse të ndryshme që më jepte tema që do realizoja. E shikoja me imtësi çdo detaj, tekstin, ngjyrën, imazhin që do përdorja, që të ishin në funksion të asaj që kërkohej. Më vonë u hapën edhe studio të tjera grafike dhe shtypshkronja.
Mbetemi ende në të kaluarën tuaj, çfarë ndodhi pas eksperiencës si profesioniste dizajni, si ishte rrugëtimi arsimor dhe atyre drejtimeve që ndoshta piketojnë ende sot atë çka jeni dhe çfarë keni arritur?
Në vitin 2001, për arsye familjare u detyrova ta le punën si dizajner, dhe në vitin 2002 fillova punë si mësuese e artit pamor në një shkollë private, ndër të parat që u hapën në Tiranë. Atje vazhdoj të jem edhe sot, duke mbushur 20 vite të plota në arsim. Nuk e mendoja që pas dizajnit do gjendesha në arsim. Megjithëse dikur, në vegjëli, e ëndërroja të isha mësuese. Puna si mësuese më pëlqen dhe unë në shkollën ku punoj kam edhe rrënjët e mia si mësuese duke u rritur profesionalisht.
Ju vini nga një familje artistësh, sa ka ndikuar kjo në talentin apo pasionin tuaj për pikturën, dizajnin, mësuesinë, e plot pasione të tjera që i ushtroni?
Është e vërtetë që unë linda dhe u rrita nga dy artistë, por që i përkisnin dy degëve të ndryshme të artit, babai im Vilson Halimi, ishte piktor-skenograf, mamaja ime, Myzejen Mullai, ishte soprano në Opera. Kam patur fatin e madh që u rrita mes elitës së artistëve të asaj kohe të cilët ndikuan drejtpërdrejt në formimin tim artistik. Fëmijëria ime ka qenë mids Operas, Teatrit Popullor dhe Liceut artistik, sepse mamaja ime ishte edhe mësuese në degën e kantos, ndërsa babi im punonte në teatrin popullor pasi aty ishin punishtet që nga krijimi i dekoreve të skenave e deri te butaforia. Çdo proces pune e ndiqja nga afër. Rrethi artistik që kishin prindërit e mi, patjetër që ndikoi në formimin tim. Kam mësuar shumë prej atij brezi artistësh, mahnitesha prej tyre. Babi im ka qenë shumë kërkues ndaj meje në aspektin artistik. Arti kërkon sakrifica, që në fund të shpërblehen. Punoja për ditë me orë të tëra për të perfeksionuar teknikat artistike nën vëzhgimin e rreptë të babit tim, i cili nuk kënaqej lehtë. Ai ishte një artist me disa dimensione, sepse ai ishte njohës shumë i mirë edhe i muzikës klasike dhe operistike, lexonte shumë libra dhe shkruante dhe i rrënjosi edhe tek unë këto pasione. I jam shumë mirënjohëse për këmbënguljen që kishte dhe që më bëri të jem kjo që jam sot.
Pasioni im më i madh mbetet piktura. Lidhja ime me pikturën është e hershme, që në fëmijërinë time. Babai im ka qenë mësuesi dhe udhërrëfyesi im në rrugën e artit.
Piktura është pjesë e pandarë imja. Tashmë ajo ka formën e zemrës sime, sepse në çdo pikturë që unë bëj, pikturoj atë që ndjej. Punoj përsëri dhe përsëri, rizbuloj vetveten çdo ditë, duke e rilidhur artin me zemrën time, duke përdorur të gjithë mjetet që zotëroj, për ta konturuar energjinë e bukur artistike, në subjektet e mia. Momenti më i bukur është kur piktura përfundon dhe e firmos. Ky moment nuk ka çmim. Zemra më rreh fort dhe sytë më mbushen me lot gëzimi, sepse në çdo pikturë ka një pjesë nga shpirti im.
Sa mirë që ka edhe mësues artistë, piktore në rastin tuaj. Ndërkohë sa vite keni që punoni si mësuese dhe me çfarë parimi keni ecur për të qenë e suksesshme?
Këtë vit mbusha 20 vite në arsim dhe jam në të njëjtën shkollë ku e nisa para 20 viteve, në vitin 2002. E dua shumë profesionin që bëj. Unë e quaj veten nxënëse të përhershme, sepse gjithmonë kërkoj rrugë të reja dhe mundësi të reja, asnjëherë nuk kam turp të pyes kolegët e mi dhe po ashtu jam e gatshme të ndihmoj këdo që kërkon ndihmën time. Mundohem që të mos përsëris veten, dua të sjell gjithmonë ide të reja.
Unë jam produkt i punës sime të palodhur, ku edhe sfidat i kam kthyer në forcë për të përmirësuar punën time. Suksesi nuk vjen asnjëherë vetëm. Kam patur gjithmonë mbështetjen e kolegeve të mia që më kanë shtyrë gjithmonë të vazhdoj përpara, duke besuar tek talenti dhe potenciali im.
Sa lidhje ka lënda e artit që ju i mësoni brezave të rinj me jetën dhe realitetin? Besojmë se një artiste si ju ngjall frymëzim në të gjithë ata që të njohin e po na lexojnë në këto momente....
Së pari sot mësuesinë e shoh si një mision, sepse këndvështrimi im nuk është si ai i para 20 viteve. Sot kam një këndvështrim ndryshe për veten dhe për profesionin. Eksperienca dhe vitet që kalojnë skalitën një formë tjetër të këndvështrimit tim për jetën. Mësuesinë e quaj mision, sepse mundohem që, te brezi i ri të promovoj vlerat e vërteta dhe jo vetëm vlerat artistike, por edhe ato njerëzore. Të jesh artist sot nuk do të thotë të kesh vetëm një telajo dhe një penel në dorë. Të qenët artist sot, nënkupton një spektër më të gjerë mendimi dhe profesionesh. Mundohem që në punën time si mësuese të frymëzoj nxënësit e mi dhe t’i motivoj, dua të jem si një rreze dielli për ta.
Kë veçoni momentin më të bukur në mësimdhënie? Po më të vështirin apo ndoshta një që nuk do ta harroni kurrë?
Momente të bukura kam çdo ditë kur hyj nëpër klasë dhe nxënësit më presin me përqafime dhe me fjalë mirëseardhjeje. Ndodh ndonjëherë, por rrallë, që mungoj dhe ata mërziten shumë dhe kur më shohin më pyesin se kur do e bëjnë orën e artit që ju iku. Mundohem e zëvendësoj kur më jepet rasti se nuk dua t’i zhgënjej nxënësit e mi. Ata dinë të të falin shumë dashuri dhe kjo më bën ta harroj lodhjen. Edhe vështirësi ka patjetër. Ka raste kur të dalin të papritura dhe aty qëndron edhe sfida që të menaxhosh situatën. Ka patur raste që edhe jam mërzitur, por misionin tim nuk e kam braktisur pavarësisht vështirësive. Por momente prekëse që nuk do harrohen janë kartolinat që marr prej nxënësve, ose edhe një fletë fletoreje ku ata më falënderojnë për punën që bëj. Ka edhe momente, kur në derë papritur shfaqen ish nxënësit e mi dhe më takojnë që sot janë studentë ose edhe disa janë bërë prindër. Më vjen mirë që kam lënë gjurmë të mira tek ata dhe ata te mua. Një moment të bukur e kujtoj kur nxënësit e mi ta parë, sa ishte hapur shkolla, unë kisha në spital djalin e vogël, ishte 2 vjeç atëherë, dhe më sollën të gjithë nxënësit kartolina të cilat i ruaj akoma. Dhe të mendosh që ishin vetëm në klasën e parë. Momente të tilla të bukura kam shumë në këta 20 vjet.
Çfarë mesazhi dëshiron të specifikosh për mësuesit dhe nxënësit? Po për prindërit?
Shkolla duhet të jetë gjithmonë vatër dijesh, por dhe vatër dashurie. Mësuesi në shkollë është pika e referimit për nxënësin. Është si një fanar që i tregon rrugën anijeve, është si një dritë në fund të tunelit. Duhet të kemi më shumë besim te nxënësit dhe motivimi i tyre është hallka më e rëndësishme e procesit mësimor. Nxënësit duhet t’i japin më shumë rëndësi lëndës së artit pamor, sepse nëpërmjet artit do të shohin një botë me ngjyra dhe plot dritë. Kohët që po jetojmë kanë një ritëm marramendës. I qëndroj mendimit që roli i familjes është i pazëvendësueshëm dhe ajo është bërthama e shoqërisë. Prindërit duhet të jenë më prezent në jetën e fëmijëve të tyre duke i mbështetur dhe duke i mësuar se si të ecin përpara edhe t’u japin dorën kur ata të rrëzohen pa i gjykuar, por duke i qëndruar pranë.
Si ja keni dal të qenit femër, bashkëshorte, mama, mësuese, familjare? Si i vendosni ekuilibrat mes këtyre roleve?
Ja kam dalë si të gjitha ato gra shqiptare që mundohen me të gjitha forcat deri vonë, për të përmbushur detyrat që u takojnë në familje dhe në profesion. Familje do të thotë sakrificë dhe vetëmohim. Por familja ime më ka dhënë hapësirat e nevojshme që unë të merrem edhe me pasionet e mia. Pa ndihmën dhe mirëkuptimin e tyre do ta kisha shumë të vështirë të vazhdoja. Ekuilibrat vendosen nga harmonia familjare që unë kam. Familja ime është shumë e shtrenjtë për mua dhe mundohem që mos anashkaloj asnjë nga përgjegjësitë e mia, por ndonjëherë ka edhe pengesa. Ka raste që edhe le diçka mangët, por diçka të parëndësishme që pret për t’u bërë edhe më vonë.
Cili apo cila ka qenë mentori/mentorja juaj në jetë?
Mësuesi im i parë ka qenë babai im. Ai më ka mësuar si të mbaj lapsin, penelin, si të bëj dritëhijen, si të përziej ngjyrat, si të kuptoj një vepër arti. I jam shumë mirënjohëse babait tim, për atë që unë jam sot. Më vonë gjatë përgatitjes sime për diplomim si skenografe, udhëheqëse diplome kërkova Anila Zajmin, e cila e pranoi ftesën time me kënaqësi. Bashkëpunimi me Anilën vazhdon edhe sot, duke qenë mentorja ime dhe kemi një miqësi shumë të mirë. Për çdo gjë konsultohem me të, sepse ajo ka një shpirt të dlirë pa xhelozitë që e mbysin një miqësi.
Ëndrrat kam përshtypjen që nuk shterojnë asnjëherë...sa mirë që ato janë, për të ecur edhe më, e për ta shijuar jetën, apo jo....cilat janë të tuat të radhës, apo ndonjë projekt që don të lesh gjurmë edhe më të mëdha me emrin e veçantë?
Ëndrra e çdo artisti është të ekspozojë punët e tij për publikun. Dëshira ime më e madhe është realizimi i një ekspozite. Për momentin nuk kam ndonjë gjë konkrete, sepse jam akoma në fazën e kërkimit të hapësirave dhe mundësive.
Nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të themi që të ketë plotësim të dëshirës tuaj. Faleminderit për kohën e intervistës. Ju uroj suksese në vazhdim në projektet tuaja...
Ju falënderoj edhe unë shumë për mbështetjen e madhe që më jep familja e madhe Albas. Bashkëpunimi me ju ka qenë një nga pikat e forta që më ndihmoi të rritem jo vetëm në profesionin tim si mësuese, por edhe si autore. E ndjej veten me fat që jam edhe unë pjesë e kësaj familjeje të madhe me profesionistë avangardë në të gjitha fushat.
Faleminderit nga zemra!
Intervistoi Nanila Allkja Biçaku
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Zemërimi i Mujit”, filmi i parë vizatimor i realizuar me punime të nxënësve - flet mësuesi Altin Shuaipi
Dimensioni njerëzor i një mësuesi
Mësuesi i letërsisë, Erget Cenolli, mes pasionit për mësimdhënien, krijimit poetik dhe shkrimit publicistik