Familja, dashuri dhe përgjegjësi
“Ah, mrekullia e një shtëpie nuk është strehimi, ngrohja as edhe muret por fakti që ajo ka vendosur lehtësisht në ne rezerva ëmbëlsie”
“Ah, mrekullia e një shtëpie nuk është strehimi, ngrohja as edhe muret porfakti që ajo ka vendosur lehtësisht në ne rezerva ëmbëlsie”. “Saint-Exupery”
Këto janë fjalët e Exupery-së i cili ndërsa ndodhet i vetëm në shkretëtirë me avionin e tij të rrëzuar gjen forcë në vete ndërsa kujton ngjarjet e bukura të fëmijërisë, vatrën ku mblidheshin të gjithë përreth si dhe marrëdhëniet e ngrohta familjare të cilat i japin shpresë dhe e bëjnë të mbijetojë ndaj një fatkeqësie. Rezervat e ëmbëlsisë janë përvoja që zgjasin dhe i rezistojnë jo vetëm kohës por edhe shumë faktorëve të tjerë të situatave të ndryshme që personi i rritur has në jetë.
Cilat mund të jenë, faktikisht këta rezerva ëmbëlsie që familja transmeton te fëmijët?
Elementi parësor është marrëdhënia pozitive e prindërve me njëri-tjetrin. Martin Bubervë në radhë të parë faktorin e marrëdhënies duke thënë se “në fillim ishte marrëdhënia”, kjo jo vetëm për marrëdhëniet që krijohen në gjirin e një familjeje por së pari marrëdhënia që e ndihmon individin të perceptohet si person falë personave të tjerë që ka përballë. Marrëdhënia në këtë rast del jashtë kornizave të materializimit të domethënies së përditshme të një koncepti thjesht “marr-jap” dhe hyn në një dimension ekzistencial pa të cilin personi nuk mund të jetojë. Prindi, në këtë rast bëhet mësuesi dhe edukuesi fillestar i fëmijës duke mbledhur në vete të gjitha elementat që ndikojnë pozitivisht te fëmija i tyre. Në një farë mënyre prindi vetë-edukohet për të edukuar. Shembulli lë shenja të pashlyeshme meqenëse familja është impakti i parë që fëmija ka me shoqërinë. Në gjirin e familjes fëmija mëson rolin e parë të njeriut në shoqëri. Shpesh mund të vihet re te fëmijët e vegjël që ndërsa luajnë role simbolike imitojnë figurën e mamit dhe të babit dhe me fantazinë e tyre projektohen në të ardhmen duke e imagjinuar veten si prind. Janë role që i luajnë seriozisht duke u nisur nga përvojat e bëra në familje.
Përveç familjes kontribuojnë në formimin e karakterit i gjithë ambienti përreth: “natyra, konteksti shoqëror, shtëpitë,rrugët, bota e lajmeve të përditshme, ëndrrat etj.”, por së pari duhet të bëhet një seleksionim i gjithë këtyre elementave ashtu siç bëhet edhe për të krijuar në fëmijën një fizik të shëndoshë duke u shqetësuar për sistemin imunitar, gjithashtu duhet të egzistojë dhe një shqetësim përsa i përket sistemit imunitar shpirtëror dhe psikologjik të fëmijës. Fëmija para se të kuptojë fjalët dhe këshillat që prindi jep percepton thellë përvojën që bën brenda familjes ku jeton. Për këtë arsye prindërit mundohen të seleksionojnë në veten e tyre ato qëndrime, fjalë apo veprime brenda ambientit familjar në mënyrë që të gjitha këta elementa të formojnë dhe forcojnë gjithnjë e më tepër sistemin imunitar shpirtëror dhe psikologjik.
“E çfarë mund të ishte dashuria juaj nëse nuk do të ekzistonte edhe përgjegjësia për gjithçka që forca e saj do të mund të prodhonte?” – pyet Martin Buber, kur rrezikohet të konsiderohet dashuria si element më vete. Sot më shumë se askurrë ndihet një përkujdesje e veçantë për fëmijët ku çdo prind kur punon mendon jo vetëm të tashmen por edhe të ardhmen e fëmijës.
Ç’domethënie merr në këtë rast fjala përgjegjësi prindërore?
Nëse do ta analizonim fjalën përgjegjësi duke u nisur nga gjuha italiane vihet re aspekti i dyfishtë që ajo vetë mbart: Responsabilità- respons (përgjigjem)/abilità (aftësi) që përfshin tërësinë e personalitetit të personit, dhe aftësia në këtë rast qëndron në vërtetimin e vazhdueshëm të efekteve të veprimit të përditshëm prindëror duke e pyetur veten: Çfarë prodhon dashuria jonë e pakufizuar për fëmijën te fëmija dhe për çfarë ka më tepër nevojë fëmija për të krijuar një imunitet sa më të fortë? Përgjigjja i jepet jo duke parë se çfarë sakrificash bëhen për të ardhmen e fëmijës por çfarë pasojash prodhon në fëmijën dinamizmi i marrëdhënieve që krijohen në familjen në tërësinë e saj përsa i përket jetës së përditshme.
Duke iu rikthyer argumentit fillestar Exupery vë në dukje se “të përgatitësh të ardhmen nuk do të thotë tjetër veçse t’i japësh themel të tashmes”.
Prindërit në këtë rast janë të pazëvendueshëm për fëmijët e tyre që ndërsa kujdesen për ta, nxisin brenda tyre dhe forca të brendshme që e ndihmojnë fëmijën të krijojë marrëdhënie pozitive me botën përreth. Besimi që prindërit ngjallin te fëmijët ndaj gjithçkaje që e rrethon bëhet “kundërhelm ndaj ç’orientimit shoqëror”.
Pa një prani domethënëse atërore organizmi jetësor synon të dobësohet dhe të humbasë interes edhe ndaj ekzistencës; figura atërore e ndihmon fëmijën të marrë një formë të përcaktuar dhe i jep dinamizëm në çdo veprim të tij; po ashtu dhe figura pozitive amësore i jep fëmijës paqe dhe siguri të brendshme afektive (Claudio Risè).
Duke hyrë në brendësi të këtij argumenti evidentojmë konkretisht se si mund të depozitohen te fëmijët këto rezerva ëmbëlsie për formimin e karakterit dhe të personalitetit të tij:
1- Prania e vazhdueshme e prindit në jetën e fëmijës.
Nëse Pedagogjistja shumë e njohur me famë botërore Maria Montesori këmbëngul që shkolla të marrë përmasat e një familjeje ku të ketë vazhdimësi mes ambientit familjar dhe atij shkollor aq më tepër familja duhet të mbesë e tillë dhe të mos shndërrohet në qendër pune ku flitet vetëm për punë dhe çështje të ndryshme që janë jashtë botës së fëmijës ku shpesh herë si për ta mbytur zërin e fëmijës që patjetër i duhet të bëjë diçka të fortë për të tërhequr vëmendjen e prindit dhe menjëherë si për ta shpërqëndruar ndaj kësaj nevoje jetësore e zëvendësojmë menjëherë me një dhuratë të bukur, ndoshta më të fundit që ka dalë në treg.
2. Të aftësohen në zgjidhjen e problemeve.
Realiteti i përditshëm e vë fëmijën përballë problemeve të ndryshme që për vetë ata marrin përmasa të një tragjedie të vërtetë ndërsa neve munden thjesht të na bëjnë të qeshim: “Aty ku unë banoj gjithçka është shumë e vogël… dua që fatkeqësitë e mia të merren seriozisht” - dialogu i princit të vogël në librin e Exupery-së që vë në dukje vështirësitë e të mëdhenjve për t’u ulur në botën e fëmijëve dhe pamundësinë që të mund t’i ndihmojnë ata në mënyrë që t’i aftësojnë në zgjidhjen e problemeve të tyre; nganjëherë nuk kërkojnë tjetër veçse të kuptohen nga të mëdhenjtë. Zgjidhja e problemeve shkon baraz me jetë. Në këtë rast mund ta quajmë disiplinë pozitive që përforcon strukturën psikologjike të fëmijës dhe aktivizon vullnetin personal që të përballojë situata të ndryshme që takon në jetën e përditshme. Edhe përsa i përket këtij aspekti fëmija mëson që nga hapat e parë duke u nisur nga ambienti familjar: «Kur prindërit bëjnë diçka, këtë gjë fëmijët e kuptojnë si mënyrën e vetme të të bërit të diçkaje. Nëse fëmija sheh çdo ditë prindin e vet të disiplinuar, me autoritet dhe të vetëpërmbajtur, që është i aftë të organizojë jetën e vet atëherë ky fëmijë do të pranojë këtë qëndrim me të gjithë unin e tij si të vetmen mënyrë të të jetuarit». (Scott Peck, “Rruga nëpër të cilën rrallëherë shkohet”).
I njëjti autor vë në pah që zhvillimi dhe kuraja shpirtërore varet nga fakti i të ngjallurit të aftësive në vetë fëmijët për të zgjidhur problemet. Prirja, që shpesh eksperimentohet, për të mënjanuar problemet dhe vuajtjen që shkaktohet për moszgjidhjen e këtyre problemeve bëhet baza nga e cila lindin sëmundje të ndryshme psikike. Prindi shpesh e zëvendëson fëmijën e vet duke i dhënë zgjidhje të menjëhershme problemeve në vënd që të përforcojë në fëmijët vullnetin personalpër t’i përballuar ai vetë problemet e përmasave të tij. Shpesh ndodh që ndaj një ankesë të bërë nga fëmija për një konflikt me shokun e klasës prindi t’ipërgjigjet: “Bëja të ditur se nga vjen dhe kush është babi yt. Thuaji se vjen babi dhe ta dreq qejfin ty”. Një qëndrim i tillë nuk bën tjetër veçse dobëson vullnetin e fëmijës i cili bëhet i paaftë për të përballuar problemet e tij, si pasojë dobësohet edhe sistemi shpirtëror dhe psikologjik i tij duke mos e lejuar fëmijën të perceptohet si person (në marrëdhënie me). Jung thotë që “ky zëvendësim është më i dhimbshëm se vetëvuajtja, e cila mundohemi ta mënjanojmë. Kështu nevrozi bëhet automatikisht problemi kryesor” dhe vë në dukje mungesën e ekuilibrit mes zhvillimit intelektual dhe pjekurisë së fëmijës, ku fëmijët me inteligjencë mbi mesataren paraqesin mungesë interesi dhe japin rezultate të ulëta për shkak të vullnetit të dobët dhe jo të zhvilluar. Kthehemi sërishmi te Princi i Vogël i cili duke iu drejtuar lules i thotë: «Ku janë njerëzit? – dhe ajo u përgjigj: Ekzistojnë, besoj, gjashtë apo shtatë. I kam parë shumë vite më parë. Por nuk dihet kurrë se ku mund t’i gjesh. Era i shtyn aty-këtu. Nuk kanë rrënjë, dhe kjo gjë i bën të ndihen shumë ngusht». Mungesa e ekzistencës, në këtë rast, është e lidhur me të pasurit apo jo të rrënjëve. Është një alegori shumë e fortë kjo, dhe akoma më e përshtatshme për kohët tona. Rrënjët krijohen thellë në një familje që i jep qëndrueshmëri dhe siguri fëmijës pa e zëvendësuar atë.
3. Ballafaqimi dhe bashkëndarja e paradigmave personale me ato të shkollës.
Çdo person apo Institucion në mënyrë të ndërgjegjshme apo jo udhëhiqet në veprimet e përditshme nga paradigmat (modelet apo pikëpamjet) personale, dhe në këtë rast, në aspektin edukativ të fëmijës. Mësimdhënia dhe edukimi i personalizuar gjen vend aty ku fëmija studiohet duke u nisur nga mënyra si e sheh prindi, mësuesi, edukatori, psikologu, shokët e klasës dhe ambienti që e rrethon gjithashtu edhe si fëmija e sheh vetveten. Asnjë nga këta elementa nuk ka një përgjigje të plotë dhe të saktë nëse nuk konsideron edhe pikëpamjet e tjera pikërisht për faktin që në fëmijën nuk ndikon një marrëdhënie por një dinamizëm marrëdhëniesh që nëse ballafaqohen secila prej tyre ofron një pjesë të përgjigjes mbi natyrën e fëmijës. Çka për një çast, ndërsa dialogohet, do të mund të na duket se bihet në kundërshtim nuk është tjetër veçse një fotografim i fëmijës i bërë nga këndvështrime të ndryshme. Askush më shumë se prindi nuk mund të ofrojë ndihmën dhe kontributin përsa i përket bashkëndarjes së perspektivave dhe të njohjes mbi fëmijën. Nëpërmjet mendimit të prindërve mund të arrijmë t’i japim zë mendimit të heshtur të fëmijës. Vërtetë që qëllimi i përbashkët mbështetet në: “Emancipimin shpirtëror dhe zhvillimin e personalitetit të nxënësve, zhvillimin e mendimit dhe veprimit të tyre të pavarur, kritik, krijues, konstruktiv e tolerant… (Ligjit nr. 8381 dt. 30.07.1998 neni 4 i MAS) por këtu po flitet jo vetëm për qëllimin e përbashkët por dhe rrugën e përbashkët që duhet të ndjekim për t’ja arritur këtij qëllimi. Bashkëndarja metodave na orienton më tepër drejt nevojave reale të fëmijës. Një shkollë e efektshme e vë veten vazhdimisht në diskutim ndërsa bashkëpunon me prindërit, po ashtu dhe prindi ndërsa bashkëpunon me personelin drejtues, edukativ dhe mësimor, pikërisht për faktin se çdo fëmijë është unik.
Marrëdhëniet mes botës familjare dhe botës shkollore kërkojnë besueshmëri dhe pritshmëri të ndërsjellë, shprehja e së cilës lejon të përcaktohen disa mënyra komunikuese, që parashikojnë dhe rezultatet e mundshme të kësaj marrëdhënieje. Në familjen aktuale duhet të vihet në plan të parë edukimi emocional dhe afektiv, duke hartuar një projekt edukativ për ndërtimin shpirtëror dhe psikologjik të fëmijës, projekt ky i hartuar edhe në shkollë duke ndjekur hap pas hapi në bashkëpunim të ndërsjellë aktualizimin e tij.
Përgatiti për Portalin Shkollor: Shega Mirashi, nëndrejtoreshë e shkollës 9-vjeçare “Don Bosko” Tiranë.
Ramazan 2024, çfarë duhet të kenë parasysh mësuesit për nxënësit që agjërojnë?
Si mund të kuroni "herpes"-in tek fëmijët tuaj, me kura natyrale në kushte shtëpie?
Urimet më të bukura që mund t’i dërgoni njerëzve të dashur, miqve apo kolegëve për Vitin e Ri