
Bisedë letrare për librin "Pinoku" nga nxënësit e klasës 3-B, shkolla “Protagonistët”
Vetëm duke i nxitur nxënësit drejt librit, u kemi dhënë çelësin për të zbuluar botën nëpërmjet imagjinatës. E kështu ka bërë edhe mësuesja Elmira Ismaili, me nxënësit e saj të klasës së 3-të B të shkollës “Protagonistët”. Ata kanë zhvilluar një bisedë letrare mjaft interesante mbi librin “Pinoku”.
Bisedë letrare për librin "Pinoku"
Shkolla “Protagonistët”, Klasa e 3-të b, mësuese Elmira Ismaili

Biseda letrare merr tjetër kuptim kur integrohen disa lëndë së bashku si: Gjuhë shqipe, Art, Muzikë, Anglisht, Greqisht dhe Italisht. Libri i përzgjedhur për bisedën letrare ishte “Pinoku”, kjo histori kaq e bukur dhe e pëlqyer nga fëmijët.
Nxënësit e shijuan plotësisht rezultatin e punës së tyre dhe të gjithë u përfshinë në këtë bisedë. Të gjithë e pritën me entuziazëm ditën e bisedës letrare dhe klasa u mbush me zërat e tyre të ëmbël, me piktura shumëngjyrëshe dhe me muzikë. Të gjithë nxënësit kishin ilustruar pjesë nga historia e Pinokut.Klasa ngjante më një galeri arti nga pikturat e tyre plot ngjyra. Dikush kishte punuar mbi letër e dikush mbi telajo, por e rëndësishme ishte gjithëpërfshirja e nxënësve në këtë bisedë. Pikturat kishin lidhje me situatat e ndryshme në libër nga aventurat e Pinokut dhe personazheve të tjerë. Madje nxënësit kishin printuar edhe postera të ndryshëm.

Të gjithë bashkë kënduan këngën “Shoku im Pinoku”. Mësuese Elmira ishte kujdesur që çdo nxënës të kishte pjesën e vet në këtë bisedë letrare.

Disa nxënës përgatitën përmbledhjen e disa ngjarjeve në libër në shqip dhe anglisht. Dy vajza e përshkruan figurën e Pinokut në greqisht. Një tjetër nxënëse e përshkroi secilin personazh në italisht, në gjuhën me të cilën e krijoi autori librin. Tre nxënës të tjerë përshkruan jetën dhe veprën e autorit Karlo Kolodi.

Dy nga episodet më të pëlqyera nga nxënësit, u interpretuan në role nga nxënësit. Mësuesja i drejtonte pyetje nxënësve në formën e gjëegjëzave si dhe pyetje për disa nga momentet e ndryshme të ngjarjes. Nxënësit sollën një buqetë të bukur të gjuhëve të huaja. Klasa u kthye në një skenë teatri dhe përrallash ku çdo nxënës kishte një rol për të përmbushur.


Dashuria për librin zgjon te fëmijët imagjinatën e cila është e pafundme dhe lundron atje ku ëndrrat bëhen realitet, në botën e fëmijëve, bota më e pasur dhe më e bukur. Vetëm duke i nxitur nxënësit drejt librit, u kemi dhënë çelësin për të zbuluar botën nëpërmjet imagjinatës.
Veprimtaria u mbyll me vlerësimi e certifikata për secilin nxënës.
Iriana Papamihali
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Modele Testesh për Arsimin Fillor për të tria periudhat, viti shkollor 2024-2025
Një model ore mësimore për kualifikimin e mësuesit, punuar nga Erida Memaj
Material ndihmës për prezantimin e projektit kurrikular lëndor, hap pas hapi