Vlerësimi i nxënësit në arsimin e mesëm të ulët dhe në arsimin e mesëm të lartë
Material shpjegues në ndihmë të shkollave, mbi vlerësimin e nxënësit, vlerësimin e vazhduar, vlerësimin periodik dhe vlësimin përfundimtar, për çfarë përdoren dhe si dokumetohen.
I. Vlerësimi i nxënësit
Vlerësimi është procesi gjatë të cilit mblidhen të dhëna dhe gjykohet për vlerën e arritjes së
rezultateve të të nxënit, duke u bazuar në nivelet e arritjes. Qëllimi kryesor i vlerësimit është
përmirësimi i përmbushjes së rezultateve të të nxënit nga nxënësi dhe i vetë procesit të të
nxënit.
Vlerësimi përdoret:
Për të gjykuar mbi përpjekjet e nxënësve për të nxënë;
Për të motivuar dhe për të nxitur nxënësit për të nxënë;
Për të gjykuar, reflektuar dhe përmirësuar procesin e mësimdhënie -nxënies;
Për të matur arritjet e nxënësve;
Për të raportuar arritjet;
Për t’u dhënë sugjerime nxënësve për përparimin e tyre;
Për t’u dhënë sugjerime prindërve mbi përparimin e fëmijëve të tyre.
Vlerësimi i nxënësit kryhet nëpërmjet:
Vlerësimit të vazhduar (vlerësimi për të nxënë) (40%);
Vlerësimit me test/detyrë përmbledhëse (vlerësimi i të nxënit) (40%);
Vlerësimit të portofolit lëndor të nxënësit (20%).
II. Vlerësimi i vazhduar (vlerësimi për të nxënë)
Vlerësimi për të nxënë shpesh quhet vlerësim formues dhe është vlerësim që mbledh të dhëndhe dëshmi rreth të nxënit të nxënësve gjatë procesit të të nxënit. Ky lloj vlerësimi mundëson që mësuesi të identifikojë pikat e forta të nxënësve, problemet dhe vështirësitë që ata kanë dhe të japë reagime të menjëhershme, të cilat i ndihmojnë nxënësit të mësojnë më mirë. Gjithashtu, vlerësimi për të nxënë ndihmon mësuesin të planifikojë punën për të zhvilluar mësimin në mënyrë m efektive. Shpesh ky vlerësim është informal dhe nxënësit mund të mbajnë edhe vetë shënime mbi progresin e tyre. Një shembull është një kuiz i shpejtë për të parë nëse nxënësit i kujtojnë pikat e rëndësishme të mësimit. Ndryshimi kryesor që ka ndodhur në vlerësimin e nxënësit gjatë zbatimit të kurrikulës së re është vlerësimi për të nxënë (vlerësimi i vazhduar). Fokusi kryesor i vlerësimit për të nxënë (vlerësimit të vazhduar) është që nxënësi të përmirësojë të nxënit e tij, si dhe të motivohet më shumë për të mësuar. Pra, vlerësimi për të nxënë nuk ka si qëllim kryesor vendosjen e një note, por të evidentojë te nxënësi pikat e forta dhe problematikat dhe ta ndihmojë që t’i përmirësojë ato. Në këto kushte, mësuesi duhet të fokusohet te procesi i të nxënit dhe jo te vendosja e notës.
Si dokumentohet vlerësimi i vazhduar (vlerësimi për të nxënë)?
-Fletorja personale dhe evidenca nënkuptojnë të njëjtin dokument. Pra, mësuesi ka vetëm një dokument për vlerësimin e vazhduar (vlerësimin për të nxënë)
-Mësuesi mban shënime në fletoren e tij personale (apo në evidencë) ecurinë e progresit të
nxënësit lidhur me rezultatet e arritjes.
-Fletoren personale (evidencën) mësuesi e formaton në mënyrën më të përshtatshme për
të, por duke ruajtur logjikën e vlerësimit për të nxënë. Me fletoren personale (evidencën)
mësuesi është i lehtësuar nga ngarkesa ose nga presioni për të vënë nota në regjistër në
mënyrë të vazhduar.
-Mësuesi është i lirë t’i mbajë shënimet në fletoren e tij personale (evidencë) duke vendosur simbolet, që ai gjykon si të përshtatshme, të shoqëruara me komente shumë sintetike, të cilat iu referohen niveleve të arritjes së kompetencave lëndore.
-Komenti përmban nivelin e arritjes duke e shënuar me simbolin përkatës (p.sh., N3 ose N4), si dhe konceptin/konceptet përkatëse për të cilin është vëzhguar nxënësi.
-Përgjigjet me gojë ose me shkrim, punët në grup, punët individuale, diskutimet e mësuesit me nxënësit, vetëvlerësimi inxënësit, vlerësimi inxënësit nga nxënësi, pjesëmarrjet në aktivitete dhe diskutimet në klasë, detyrateshtëpisë apo të klasës etj.,vlerësohen me simbole. Vendosja e notës në mënyrë të vazhduar gjatë vlerësimit për të nxënë nuk ndihmon procesin e të nxënit, motivimin e nxënësve për të nxënë dhe zhvillimin e kompetencave.
-Nota në fletoren personale (evidencë) mund të vendoset vetëm në raste specifike, siç janë testet e ndërmjetme apo punët me shkrim etj.
-Nota e vlerësimit të vazhduar që vendoset në regjistër në faqen “Vlerësimi periodik” duhet të jetë rezultante progresive (ose regresive) e vlerësimeve që mësuesi ka mbajtur në fletoren e tij personale.
-Fletorja personale (evidenca) është objekt monitorimi, por nuk dorëzohet në përfundim të periudhës.
-Mësuesi mban përgjegjësi për fletoren personale dhe duhet të argumentojë notën e vlerësimit të vazhduar të vendosur në regjistër.
-Mësuesi duhet të ruajë deri në përfundim të vitit shkollor fletoren personale (evidencën), teste/detyra të ndërmjetme, punët me shkrim, etj. Këto do t’i shërbejnë për të argumentuar notën e vlerësimit të vazhduar.
-Drejtuesit e shkollave nuk duhet të ngarkojnë mësuesit me detyrimin për të mbajtur dy dokumente për vlerësimin e vazhduar të nxënësve: evidencën e vlerësimit të vazhduar dhe fletoren personale të shënimeve, ato janë e njëjta gjë.
-Gjatë periudhës, mësuesi i lëndës ka përgjegjësi për të informuar nxënësin për ecurinë dhe mundësinë e tij për progres.
III. Vlerësimi i portofolit lëndor të nxënësit
Portofoli është koleksionim sistematik i detyrave dhe i punimeve të kryera nga nxënësi për të dëshmuar zhvillimin e kompetencave (njohurive, shkathtësive, qëndrimeve). Portofoli i nxënësit duhet të përmbajë detyra hulumtuese, krijime ose zbatime të ndryshme, projekte të nxënësve etj., që zhvillojnë kompetencat kyç dhe lëndore. Detyrat e portofolit nuk janë pjesë e vlerësimit të vazhduar të nxënësit. Për një periudhë, detyrat që vlerësohen në portofol janë: Projektin ose një fazë e tij, e cila është pjesë e detyruar e portofolit për çdo periudhë. 1 -2 detyra krijuese, zbatuese, hulumtuese etj. (P.sh., në lëndët me 1-2 orë në javë portofoli mund të përmbajë një detyrë hulumtuese dhe një fazë të projektit lëndor ose gjithë projektin, ndërsa lëndët me më shumë se 2 orë, portofoli mund të përmbajë 2 detyra hulumtuese dhe një fazë të projektit lëndor ose gjithë projektin, nëse është projekt i vogël). Detyrat e portofolit duhet të jenë me të njëjtën temë për çdo nxënës.
Detyrat e portofolit mund të jenë punime të kryera në klasë dhe/ose jashtë saj, dëshmi e kontributeve dhe talentit të nxënësit, me karakter hulumtues dhe krijues të tilla si:
-punë praktike individuale,
-produkte të krijuara nga nxënësit,
-punime audio-vizuale,
-aktivitete në grup ose individuale;
-projekte individuale ose në grup;
-etj.
Kujdes! Detyrat NUK duhet të jenë domosdoshmërisht të punuara me kompjuter.
Si dokumentohet dhe vlerësohet portofoli?
Në fillim të periudhës, mësuesi në bashkëpunim me nxënësit, përcaktojnë detyrat që do të përfshijnë në portofol përgjatë periudhës, në varësi të specifikave të lëndës.
Mësuesi përcakton kriteret e vlerësimit të portofolit.
Mësuesi në fillim të periudhës përcakton dhe iu prezanton nxënësve peshat/pikët për vlerësimin e secilës detyrë të portofolit dhe kriteret e vlerësimit të tij.
Vlerësimi i secilës detyrë të portofolit bëhet mbi bazë të kritereve që mësuesi vendos, duke u bazuar në llojin e detyrës së dhënë.
Mësuesi ka përgjegjësi për vlerësimin e portofolit bazuar në kritere vlerësimi duke argumentuar notën e tij.
Instrumentet që mësuesi harton për kriteret e vlerësimit të portofolit nuk janë objekt monitorimi.
Detyrat e portofolit apo një fazë e projektit vlerësohen në momentin që ato dorëzohen ose prezantohen.
Vlerësimi i portofolit mund të planifikohet si orë e veçantë në planifikimin e periudhave ose mund të realizohet përgjatë tri - katër orëve mësimore të periudhës.
Mësuesi duhet të kujdeset që të mos mbingarkojë nxënësin me detyra në përfundim të periudhës. Ai, gjithashtu, mund të bashkërendojë punën me mësuesit e lëndëve të tjera për të shmangur ngarkesën e nxënësve.
Vlerësimi i portofolit jodomosdoshmërisht bëhet në fund të periudhës. Mësuesi e gjykon vetë kohën se kur do të zhvillojë vlerësimin e portofolit.
Në momentin që mësuesi ka përfunduar me vlerësimin e detyrave të portofolit dhe të projektit ose të një faze të tij, notat e portofolit i vendos në regjistër.
Mësuesi duhet t’i udhëzojë nxënësit që t’i ruajnë detyrat e portofolit deri në përfundim të vitit shkollor ose t’i mbajë vetë këto detyra.
IV. Vlerësimi i të nxënit (testi/detyra përmbledhëse)
Vlerësimi i të nxënit ndryshe quhet vlerësim përmbledhës. Përdoret për të mbledhur prova dhe të dhëna që tregojnë nëse mësimdhënia ka realizuar qëllimin e saj. Ky është një vlerësim formal dhe kryhet edhe për efekt raportimi.
Si dhe kur realizohet testi/detyra përmbledhëse?
Në pjesën e fundit tëperiudhës kryhet vlerësimi me test ose me detyrë përmbledhëse, që ka për qëllim të matë nivelin e arritjeve të nxënësit për një grup të caktuar rezultatesh të nxëni për periudhën përkatëse.
Mësuesi ka lirinë të përcaktojë vetë nëse do të zhvillojë test apo detyrë përmbledhëse sipas specifikave të lëndës.
Testi/detyra përmbledhëse planifikohet nga mësuesi. kur përmbyllet një grup rezultatesh të të nxënit dhe mësuesi është i lirë ta vendosë vetë se kur do ta zhvillojë atë.
- Testi/detyra përmbledhëse është 45 minuta.
- Drejtoria e shkollës menaxhon organizimin e testeve ose detyrave përmbledhëse sipas një
grafiku, në mënyrë që të mos ngarkohet nxënësi në fund të periudhës.
- Testi/detyra përmbledhëse jo domosdoshmërisht bëhet në fund të periudhës. Mësuesi e
përcakton vetë kohën se kur do ta zhvillojë atë.
- Në momentin kur mësuesi vlerëson testet/detyrat përmbledhëse, i vendos notat në
regjistër.
- Mësuesi duhet të ruajë deri në përfundim të vitit shkollor testet ose detyrat
përmbledhëse.
V. Vlerësimi periodik
Vlerësimi periodik bëhet në përfundim çdo periudhe dhe përmban tri nota:
Vlerësimin e vazhdueshëm – NVv (nota e vlerësimit të vazhduar), e cila vendoset në
regjistër në kolonën përkatëse në faqet e vlerësimit.
Vlerësimin me test përmbledhës – NTp (nota e testit përmbledhës), e cila vendoset në
regjistër në kolonën përkatëse në faqet e vlerësimit.
Vlerësimin e portofolit lëndor – NVp (nota e vlerësimit të portofolit),e cila vendoset në
regjistër në kolonën përkatëse në faqet e vlerësimit.
VI. Vlerësimi përfundimtar
Vlerësimi përfundimtar shënohet në regjistër duke plotësuar kolonat “Vlerësimet vjetore” dhe kolonën e “Nota përfundimtare”.
Vlerësimet vjetore përmbajnë:
- Notën vjetore të vlerësimit të vazhduar,që është rezultati tri periudhave.
- Notën vjetore të vlerësimit me test ose me detyrë përmbledhëse, që është rezultati tri
periudhave.
- Notën vjetore të vlerësimit të portofolit që është rezultat i tri periudhave. Kur ecuria e nxënësit është e dukshme progresive ose regresive gjatë dy periudhave të fundit, vlerësimi i tij vjetor në secilën nga rubrikat mund të jetë progresiv ose regresiv. Kur ecuria e nxënësit nuk është e qëndrueshme përgjatë tri periudhave, atëherë vlerësimi llogaritet me mesatare. Nota përfundimtare llogaritet me përqindje për secilën nga rubrikat.
Hapat për njehsimin e notës përfundimtare janë:
- Përcaktohet nota vjetore e vlerësimit të vazhduar (NVV), bazuar në tri notat e periudhave,
duke gjykuar në mënyrë progresive.
- Përcaktohet nota vjetore e testit përmbledhës (NTP) bazuar në tri notat e periudhave, duke
gjykuar në mënyrë progresive.
- Përcaktohet nota vjetore e portofolit të nxënësit (NVP) bazuar në tri notat e periudhave,
duke gjykuar në mënyrë progresive.
- Shumëzohet secila prej notave me përqindjen përkatëse
- Mblidhen këto prodhime dhe shuma rrumbullakoset me numër të plotë (p.sh., 8,8 9).
(NVV x 0.4) + (NTP x 0.4) + (NVP x 0.2) = Nota përfundimtare
Përshkrimi i notës përfundimtare vjetore argumenton nivelin e arritjeve të kompetencave të
lëndës. Përshkrimi u referohet pikave më të forta që ka nxënësi lidhur me përmbushjen e
kompetencave të lëndës.
VII. Regjistri i klasës
Regjistri i klasës është dokument shtetëror.
Në faqet e lëndëve mësuesi vendos mungesat e nxënësit, temat e mësimit dhe realizimin e programit mësimor, të dhënat për nxënësit etj.
Regjistri ka faqet e vlerësimit (Vlerësimi periodik dhe Vlerësimi përfundimtar), ku mësuesi vendos notat, mbasi i ka gjykuar me kujdes dhe duke u bazuar në argumente.
Faqet e vlerësimit periodik në regjistër janë pa datë pasi mësuesi i vendos notat, kur e shikon ai të arsyeshme dhe kur ka mbledhur një sërë informacionesh për nxënësin.
Mësuesi vendosnotat në faqet e vlerësimeve në javët e fundit të periudhës, kur e shikon ai të arsyeshme dhe jo domosdoshmërisht ditën e fundit të periudhës.
Në përfundim të vitit shkollor nxënësi ka 9 nota, të cilat janë të mjaftueshme për të nxjerrë notën përfundimtare.
Nota përfundimtare shoqërohet me përshkrimin e niveleve të arritjes për kompetencat lëndore.
VIII. Monitorimi i drejtuesve të shkollave për vlerësimin e nxënësit
Drejtuesit duhet ta përqendrojnë monitorimin e tyre te argumetimi i notës dhe te ecuria e nxënësve.
Drejtuesit mund të krahasojnë rezultatet ndërmjet periudhave, për të gjykuar për ecurinë e nxënësit.
Drejtuesit mund të krahasojnë notat e testeve (të cilat sipas DN ruhen deri në përfundim të vitit), me notat e vlerësimit të vazhduar.
Drejtuesit duhet të organizojnë pyetësorë me nxënës për të parë nëse ata ndihen të motivuar nga vlerësimi i organizuar nga mësuesi, dhe jo vetëm të kujdesen thjesht për faktin nëse nxënësi ka nota apo jo.
Drejtuesit mund të monitorojnë procesin e zhvillimit dhe të vlerësimit të testit/detyrës përmbledhëse.
Drejtuesit mund të përshtasin kohën e zhvillimit të testeve të drejtorisë me testet /detyrat përmbledhëse të periudhave për të verifikuar objektivitetin e vlerësimit të mësuesit.
Drejtuesit duhet të organizojnë biseda me prindër ose pyetësorë për të monitoruar vlefshmërinë që siguron informacioni rreth anëve të forta të fëmijëve të tyre, progresit dhe arritjeve të tyre, nevojave dhe mënyrave përmes të cilave mund t’u vihet në ndihmë.
IX. Informacioni për prindin lidhur me procesin e vlerësimit të nxënësit
Në takimin e parë me prindër mësuesi kujdestar, përveç informacioneve të tjera që i jep prindërve, ka për detyrë të shpjegojë shumë mirë procesin e vlerësimit te prindërit në= mënyrë që ai të marrë informacionin e nevojshëm për mënyrën e raportimit të ecurisë së fëmijës së tij dhe nivelet e arritjes.
Informacioni te prindi për ecurinë e nxënësit në lëndën përkatëse gjatë periudhës jepet nga mësuesi i lëndës, i cili komunikon me prindin për ecurinë e fëmijës, pikat e forta, problematikat që ka shfaqur dhe mundësitë që ka për përmirësim.
Mësuesi i lëndës, bazuar në të dhënat e mbledhura në fletoren e tij personale dhe punë të tjera të nxënësit informon prindin për ecurinë e fëmijës dhe jep orientim për përmirësim.
Në përfundim të periudhës, mësuesi kujdestar informon prindërit për notat që ka marrë nxënësi gjatë kësaj periudhe. Prindi mund të kërkojë informacion më të detajuar për arritjet e fëmijës së tij te mësuesi i lëndës.
Drejtuesit e shkollave organizojnë takimin me prindër sipas klasave në ditë të ndryshme, në mënyrë që të mos ketë ngarkesë të madhe në një ditë, madje mund të vendosin edhe orare të ndryshme që të mos krijohet ngarkesë.
Nota e vlerësimit për të nxënë (vlerësimit të vazhduar) nuk duhet të jetë “surprizë” për nxënësin dhe prindin, por gjatë periudhës nxënësi duhet të ketë informacione për nivelin e arritjeve të tij.
X. Përshkrimi i notës në dëftesë
Dëftesa në përfundim të vitit shkollor i jep informacion prindit mbi rezultatet e fëmijës së tij lidhur me lëndët e zhvilluara gjatë vitit shkollor.
Përshkrimi i notës së nxënësit që mësuesi plotëson në regjistër në përfundim të vitit shkollor nuk do të hidhet në dëftesë.
Në dëftesë, rubrika “Vlerësimi i kompetencave kyç” dhe rubrika “Përshkrimi i notës” sipas lëndëve do të shkrihen në një rubrikë të vetme që do të quhet “Vlerësimi i kompetencave”.
Në këtë rubrikë mësuesi kujdestar do të plotësojë formimin e përgjithshëm të nxënësve duke iu referuar vlerësimit të kompetencave kyç, si dhe përshkrimit të notave sipas lëndëve të vendosura në regjistër.
Materialin mund ta shkarkoni më poshtë
(Portali Shkollor)
Struktura e vitit shkollor 2024-2025
Urdhri për miratimin e strukturës së vitit shkollor 2023-2024
Standardet e zhvillimit dhe të nxënit të fëmijëve 3-6 vjeç