Veliaj, pritje për festat me mësuesit e Liceut
Liceu Artistik “Jordan Misja” do jetë në qendër të vëmendjes së Bashkisë së Tiranës edhe për vitin e ardhshëm, pasi në të do të vazhdojnë investimet për të mbyllur plotësisht projektin e rikonstruksionit.
Liceu Artistik “Jordan Misja” do jetë në qendër të vëmendjes së Bashkisë së Tiranës edhe për vitin e ardhshëm, pasi në të do të vazhdojnë investimet për të mbyllur plotësisht projektin e rikonstruksionit dhe rivënies në punë të sallës së koncerteve në këtë shkollë. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë një pritje që dha me rastin e festave të fundvitit me trupën pedagogjike të këtij Liceu.
“Unë jam optimist nga natyra. Mendoj që gjithmonë më e mira nuk është kjo që kemi, është ajo që do të vijë, se po të mos ketë ëndërrimtarë na kap pezmi i gjithë gjërave që na rrethojnë, ndaj dua që të ëndërroj bashkë me ju disa gjëra të bukura që duam të bëjmë siç është salla e koncerteve, do kemi një lirim të shkollës, duke qenë se po fillon ndërtimi shkollës Kosova”, -tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai gjithashtu u shpreh i gatshëm që të marrë në konsideratë nevojat dhe kërkesat e trupës së mësuesve në mënyrë që Liceu të marrë rëndësinë që i takon dhe të jetë vërtetë fidanishtja e artistëve të ardhshëm të Shqipërisë.
“Nëse ka disa gjëra më specifike patjetër që jemi të gatshëm t’i adresojmë. Nuk do të bëjmë dot mrekulli, do të kandisemi me ato që kemi, ashtu si secili prej jush kryesisht është amvisa nikoqire që sido të jetë ekonomia, e mbyllim vitin, edhe ne do të bëjmë më të mirën, që të kujdesemi për të gjithë nevojat që kemi”, shtoi kryetari i Bashkisë. Ai gjithashtu falënderoi mësuesit dhe të gjithë mjeshtrit që kontribuojnë në përgatitjen e brezave të rinj të artistëve shqiptarë, duke theksuar se falë tyre Shqipëria ka sot një emër të mirë në botë.
“E vlerësoj shumë që jam këtu sot, ne bëjmë shumë gjëra në jetë, ju detyrën tuaj, ata që administrojnë, ata që janë mësues, që drejtojnë, ata që merren me shërbimet e higjienës, rojet, pastrues, e gjitha është si një koncert, një orkestër, ku disa kanë role sporadikë, disa kanë role solistësh janë kryesorë, por nëse nuk koordinohemi të gjithë, në këtë qytet nuk mund të prodhojmë dot muzikë të bukur dhe ndonjëherë harrojmë se pas gjithë mundit të madh të gjërave që ndodhin, të bëjmë ndoshta gjënë më të thjeshtë që na kushton më pak, t’i themi njëri-tjetrit faleminderit, puna e mbarë, bravo të qoftë, kurajë për më tej dhe unë doja që ne ta ndryshojmë këtë kulturë në qytet”, -theksoi në fjalën e tij kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
“Manushaqja”, tregim nga Iriana Papamihali
“Manushaqja”, tregim nga Iriana Papamihali
Letër vetes time 35 vjeç