PËRMIRËSIMI I ARSIMIT

Sistemi parauniversitar dhe nevojat emergjente për përmirësimin e tij

Nese nuk kapërcehen këto pengesa të dëmshme dhe keqdashëse, atëherë me keqardhjen më të madhe dhe me bindjen e plotë e them hapur se kurrë nuk kemi për të pasur sistem arsimor modern dhe cilësor...

Sistemi ynë parauniversitar ka njohur përmirësime të prekshme në këto dekada duke njohur në mesin e saj arritje të mëdha në infrastrukturë, shërbime dhe metoda të larmishme e bashkëkohore të mësimdhënies dhe mësimnxenies. Por sot ka akoma shumë për të bërë dhe dua të theksoj se akoma nuk janë ngritur tamam ashtu si duhet dy kolonat më të rëndësishme, për të cilat me gjithë punën e palodhur të ekspertëve të fushës akoma nuk është gjetur çelësi magjik i zgjidhjes. 


Vendet e zhvilluara për të cilat njihen ndërkombtarisht për arsimin e tyre modern dhe cilësor në nivelet më të larta që historia e njerëzimit njeh në ditët e sotme, i kanë kapërcyer me kohë këto pengesa të dëmshme. Dy janë nevojat më të mëdha për ndërhyrje emergjente në këtë sektor, për t'i thënë një herë e mirë stop dembelizmit dhe paaftësisë për të gjithë aktorët qe marrin pjesë ne procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies. 


E para, nevoja emergjente për testime periodike në radhët e arsimtareve dhe marrja e masave për ngelësit me masën shkarkim nga puna. Hedhja me anë të një database-i i të dhënave personale dhe pikëzimit të rezultateve të testimeve periodike për të gjithë mësimdhënësit pa dallim me status të përhershëm apo të përkohshëm. Një ranking i tyre dhe i të gjithë institucioneve shkollore sipas performancës dhe rezultateve në nivel individual dhe në nivel stafi pedagogjik. 


Ti jepet me tepër akses dijeve të lëndës që njeh mesimdhënësi sesa përgatitjes apo përvojës pedagogjike që është bërë deri më tani dhe që ka rezultuar e dështuar. Çdo gjë nis tek njohja e dijeve shkencore të lëndës dhe ky është burimi kryesor ku duhet të mbështetet puna, performanca dhe rezultatet. Duhet te implementohet së pari tek mësimdhënësi, pastaj duhet të kalohet tek një nivel tjetër, tek produkti kryesor që është nxënësi. 


E dyta, shtrëngimi i masave disiplinore për nxënësit që tentojnë apo që prishin procesin mësimor. Ndërtimi real dhe sa më parë i bordeve dhe këshilleve të prindërve dhe detyrimi i marrjes së përgjegjësisë së prindërve të atyre nxënësve që tentojne apë prishin proçesin mësimor. 


Nevoja emergjente e pajisjes së klasave me kamera brenda klasës dhe në ambientet e tjera të brendshme dhe të jashtme të institucionit. 


Prezenca e përmuajshme e psikologut në ambientet e brendshme të institucionit. Bashkëpunimi i institucionit me policinë e shtetit për raste emergjente dhune apo kanosje, ku jeta e aktorëve në institucion vihet ne rrezik. 


Nese nuk kapërcehen këto pengesa të dëmshme dhe keqdashëse, atëherë me keqardhjen më të madhe dhe me bindjen e plotë e them hapur se kurrë nuk kemi për të pasur sistem arsimor modern dhe cilësor sipas standarteve më të larta që bota mbarë njeh sot. Gjithmonë vlera dhe antivlera do të jenë në antagonizëm dhe në luftë të hapur me njëra-tjetrën.

2,940 Lexime
5 vjet më parë