Tiranë

Përurohet kompleksi multisportiv te Liqeni

Fushat sportive janë funksionale ditën dhe natën, me ndriçim dhe ujitje, si dhe do të mirëmbahen nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit. Një nga fushat është me bar, ndërsa dy të tjerat janë me tartan për basketboll, volejboll, kalçeto.

Pas këndit të lojërave për fëmijë dhe këndit të forcës, Parkut të Liqenit i është shtuar edhe një kompleks i madh multisportiv. Ai u shërben të gjithë atyre që duan të luajnë futboll, basketboll, volejboll,regbi, hendboll, hokej me patina etj.


Ky kompleks i jep më shumë jetë parkut dhe krijon mundësi argëtimi për të gjitha moshat.

“Më vjen mirë që në një periudhë rekord stafi iAPR-së transformoi një djerrinë, një pellg, një kënetë, një moçal, një vend aspak të dashur, një vend në terr, ku askush nuk donte të kalonte kohë, madje edhe kur e bënte vrapin e bënte shpejt sepse nuk kishte asgjë tërheqëse, në një mjedis të jashtëzakonshëm për qytetarët”, tha kryebashkiaku Erion Veliaj.


Ai theksoi se fushat ofrojnë standarde bashkëkohore dhe do jenë të hapura për qytetarët në çdo kohë. Kreu i bashkisë shtoi se ato do të shërbejnë edhe për organizime të ndryshme sportive, duke ofruar edhe një hapësirë për akomodimin e shikuesve.

Fushat sportive janë funksionale ditën dhe natën, me ndriçim dhe ujitje, si dhe do të mirëmbahen nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit. Një nga fushat është me bar, ndërsa dy të tjerat janë me tartan për basketboll, volejboll, kalçeto. Ndërkohë, tre tribunat ofrojnë 600 vende ulëse për publikun.

2,495 Lexime
7 vjet më parë